Krasniqi: Është jetike që kjo Qeveri e kapelave të zeza të bie

Aktuale

Krasniqi: Është jetike që kjo Qeveri e kapelave të zeza të bie

Më: 16 tetor 2024 Në ora: 16:41
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka shprehur shqetësimin për situatën aktuale në qeverisjen e vendit, duke e cilësuar atë si një “qeveri të kapelave të zeza”.

Krasniqi ka akuzuar Qeverinë Kurti se po vepron kundër interesave të shtetit dhe qytetarëve, duke u fshehur nga përgjegjësitë dhe duke shmangur transparencën në Kuvend.

“I zënë pamohueshëm në flagrancë duke vepruar kundër interesit të shtetit dhe qytetarëve, pushteti ka zgjedhur ikjen, fshehjen dhe me këtë rast, edhe turpin. Ata nuk u paraqitën as sot në Kuvend, të paktën që të marrin kapelat e zeza që ua bëmë dhuratë.

Nga jashtë sallës së Kuvendit, duke vazhduar të shtrijnë diktatin edhe në televizionin publik, RTK, komisarët e Kryeministrit tentuan ta heshtin opozitën dhe ta fshehin të vërtetën, duke mos transmetuar seancën që kishim ftuar sot në Kuvend.

Por, aferat e tyre të fundit, të cilat tashmë kanë marrë dhenë, janë më të fuqishme sesa tendencat e tyre për manipulim. Tani, nuk ka më dyshime: shteti është i kapur! Mëkatet e Qeverisë janë zbuluar. Akterët po ashtu. E prapa të gjithëve, siç e kemi ditur gjithmonë, doli ai: kryeministri i vendit.

Tash kanë mbetur vetëm dy gjëra para se kjo Qeveri të bie për t’u mos u kthyer më: prokuroria të bëjë punën e saj dhe qytetarët të votojnë për largimin e saj më 9 shkurt të vitit 2025. Rikthimi i Kosovës në drejtimin e duhur, të zhvilimit dhe të integrimit euro-atlantik, e ka vetëm një adresë: Bedri Hamza dhe Partia Demokratike e Kosovës!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat