Shefi i NATO-s: Situata fragjile në Kosovë dhe përparimi i dobët në dialog, po na shqetësojnë

Aktuale

Shefi i NATO-s: Situata fragjile në Kosovë dhe përparimi i dobët në dialog, po na shqetësojnë

Më: 16 tetor 2024 Në ora: 17:17
Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte

Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në një konferencë për media nga Brukseli para takimit të ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare, ka thënë se situata në Ballkanin Perëndimor mbetet shqetësuese.

Në këtë konferencë, ai tha se situata fragjile e sigurisë në Kosovë, progresi i pakët i bërë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërcënimet secesioniste në Bosnje e Hercegovinë, janë ato që po kontribuojnë në këtë aspekt.

Ai tha po ashtu se Rusia po ashtu kërkon të minojë demokracitë në rajon me kërcënime kibernetike dhe hibride, përfshirë dezinformimin, keqinformimin duke përdorur pika të dobëta të brendshme për të nxitur përçarjet.

Për më shumë se dy dekada, Rutte tha se KFOR-i ka punuar për një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë, dhe për lirinë e lëvizjes.

“Përkushtimi i NATO-s për KFOR-in mbetet edhe tani i fortë”, deklaroi shefi i NATO-s, Mark Rutte.

Takimi mes ministrave të mbrojtjes të shteteve anëtare të NATO-s do të mbahet në Bruksel më 17 dhe 18 tetor. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat