Takohet Komiteti ndërministror për administrimin e tokës, kërkohet përmirësimi i sistemit katastral

Aktuale

Takohet Komiteti ndërministror për administrimin e tokës, kërkohet përmirësimi i sistemit katastral

Më: 17 tetor 2024 Në ora: 14:06
Pamje nga takimi

Është mbajtur takimi i Komitetit ndërministror për administrimin e tokës dhe infrastrukturës kombëtare për informacionin hapësinor në Kosovë, në të cilën u theksua rëndësia e së drejtës së pronësisë.

Gjatë këtij takimi po ashtu u tha se me zbatimin e suksesshëm të kësaj strategjie nga të gjitha institucionet, përfitimet do të jenë shumë të mëdha, si në aspektin financiar e po ashtu edhe në aspektin e rritjes së cilësisë së shërbimeve të të gjitha institucioneve.

Zëvendësministri Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka ka thënë se e drejta e pronësisë është e garantuar dhe e qartë vetëm përmes një sistemi kadastral të strukturuar sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.

Ai derisa ka thënë se në kuadër të kësaj qeveria ka miratuar disa ligje, shtoi se tani është thelbësore të shqyrtojnë kërkesat për plotësim dhe ndryshim të ligjit për administrim dhe pushtetit lokal në mënyrë që të funksionalizohet në tërësi këtë ligj.

“E drejta e pronësisë është e garantuar dhe e qartë vetëm përmes një sistemi kadastral të strukturuar sipas standardeve më të larta ndërkombëtare. Përmes së cilës do të krijojmë një treg të sigurt për pronën i cili do të jetë një katalizator për tërheqjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Kam kënaqësinë të ju njoftoj që për të arritur nivelin e shërbimeve kadastrale në fund të vitit të kaluar është miratuar ligji për kadastër për pronën e paluajtshme. Ky ligj përfaqëson një hap të rëndësishëm në organizmin vertikal dhe tani është thelbësore të shqyrtojmë kërkesat për plotësim dhe ndryshim të ligjit për administrim dhe pushtet lokal në mënyrë që ta funksionalizojmë në tërësi këtë ligj. Ky ligj do të realizojë një reformë të rëndësishme në organizimin e kadastrit duke unifikuar shërbimet kadastrale në të gjitha komunat e vendit, që do të ndihmojnë në rritjen e efikasitetit dhe transparencës. Më tej përmes këtij ligji po hapim rrugën për realizimin e projektit të rindërtimit të informacioneve katastrale për 120 zona katastarle, një iniciativë që do të sjell përfitime të drejtpërdrejta për qytetarë”, tha Raka.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti ka theksuar se me zbatimin e suksesshëm të kësaj strategjie nga të gjitha institucionet përfitimet do të jenë shumë të mëdha, si në aspektin financiar e po ashtu edhe në aspektin e rritjes së cilësisë së shërbimeve të të gjitha institucioneve.

"Republika e Kosovës është angazhuar për të implementuar një infrastrukturë moderne të administrimit të tokës duke ndjekur praktikat më të mira nga vendet anëtare të BE-së. Si Agjenci Kadastrale kemi arritur një serë reformash legjislative, është thelbësore tani që të shqyrtojmë ndryshimet e ligjit për administrimin e pushtetit lokal në mënyrë që të sigurojmë funksionalizimin e plotë të ligjit të ri për kadastër. Me aprovimin e strategjisë dhe planit të veprimit tashmë janë të qarta punët dhe obligimet që na presin secilin prej institucioneve që jemi këtu dhe jo vetëm. Me zbatimin e suksesshëm të kësaj strategjie nga të gjitha institucionet përfitimet do të jenë shumë të mëdha, si në aspektin financiar e po ashtu edhe në aspektin e rritjes së cilësisë së shërbimeve të të gjitha institucioneve...Po shpresojmë që edhe informimi për qytetarët do të jetë në kohë dhe i saktë për gjitha aktivitetet që realizohen prej shumicës së institucioneve", tha Ahmeti.

Ndërsa, Helege Onsrud nga Banka Botërore është shprehur e lumtur që është zhvilluar progres në zbatimin e projektit të infrastrukturës patundshmërive dhe gjeohapësirës.

"Jemi shumë të lumtur që shohim progresin e zbatimit të projektit të infrastrukturës së patundshmërive dhe gjeohapësirës që financohet nga Banka Botërore dhe zbatohet nga Agjencia Kadastrale e Kosovës. Ndërkohë ne jemi të ndërgjegjshëm për diskutimin për një zgjatje të këtij projekti edhe për 12 muaj të tjerë, KCA (Agjencia Kadastrale e Kosovës) aktualisht është në proces të zbatimit të një plani veprimi për aktivitetet. Dhe me këtë që theksuam, ne vazhdojmë mbështetjen tonë praktike dhe jemi shumë të lumtur që shohim bashkëpunimin duke vazhduar me organizata të tjera si ATRC për ndërgjegjësimin e publikut në të ardhmen e afërt", tha ai.

Drejtoresha e aktiviteteve të USAID, Jennifer Ober ka thënë se po bashkëpunojnë ngushtë me sistemin dhe institucionet e ndryshme që të sigurohet një qasje e mirë në të dhënat kadastrale.

“Aktiviteti për përmirësim të qeverisjes synon përmirësimin e sistemit katastral në Kosovë që rritë transparencën dhe llogaridhënien. Ne bashkëpunojmë ngushtë me sistemin dhe institucionet e ndryshme që të sigurohet një qasje e mire në të dhënat katastrale. Sa po kemi filluar një program tre-vjeçar dhe po punojmë në 19 komunat e Kosovës përmes komitetit për praktika të mira që udhëhiqet nga agjencia… Një nga shtyllat kryesore ka qenë digjitalizimi i shërbimeve dhe të dhënat e hapjes katastarale dhe kjo është kyqe për ta harmonizuar regjistrimin e të dhënave dhe për të siguruar të dhëna katastrale transparente”, ka thënë ajo.

Drejtori ekzekutiv në ATRC, Kushtrim Kaloshi, ka theksuar se qëllimi kryesor i këtij programi është informimi i qytetarëve të Kosovës në përgjithësi me target të veçantë gratë, pakicat etnike dhe të rinjtë për qasjen në pronë.

Ndërsa, ka shtuar se deri më dje kanë arrit që diku 3 mijë e 600 familje të vizitohen fizikisht, në këtë drejtim të shpërndahen informacione për procedurat e regjistrimit të pronës.

"Qëllimi kryesor i këtij programi është informimi i qytetarëve të Kosovës në përgjithësi me target të veçantë gratë, pakicat etnike dhe të rinjtë për qasjen në pronë, regjistrim të pronës. Deri tash kemi krijuar partneritete me rreth 11 konzurciume të organizatave joqeveritare në Kosovë, diku 22 organizata janë të përfshira dhe gjitha këto organizata janë angazhuar në gjithë territorin e Kosovës, në gjitha komunat me shumicë serbe dhe kanë zhvilluar fushatën derë më derë të informimit të qytetarëve kryesisht grave për të drejtën e pronës. Deri më dje kemi arrit që diku 3 mijë e 600 familje të vizitohen fizikisht, të shpërndahen informacione për procedurat e regjistrimit të pronës dhe nevojën e regjistrimit të punës...", tha ai.

Në anën tjetër, Amir Sogujeva ka prezantuar në detaje çështjen e sistemit të adresave dhe ndërlidhjen e qytetarit me adresën zyrtare. Derisa ka thënë se deri më tani janë të identifikuara rreth 22 mijë rrugë ose zona qarkullimi publik.

"Deri më tani rezultat e arritura sa i përket sistemit të adresave është korniza ligjore duke përfshirë ligjin, udhëzimet administrative dhe doracakun për sistemin e adresave, këto dy të fundit tashmë të rishikuara në vitin 2019, pastaj është ngritja e kapaciteteve profesionale në komuna dhe nivelin qendror, identifikimi dhe emërtimi i zonave të qarkullimit publik, mbledhja e të dhënave të adresave në terren, digjitalizimi dhe numërtimi i të dhënave të adresave në ARIS, sinjalizimi i adresave duke përfshirë emrat e rrugëve dhe numrat e adresave, përditësimi i të dhënave të adresave dhe ndërlidhja e adresave me sistemet elektronike shtetërore”, theksoi ai.

Përfaqësuesi nga Ministria e Bujqësisë, Idriz Gashi, ka thënë se janë 130 mijë ekonomi familjare, duke theksuar se është shumë me rëndësi sepse që në regjistrimin e fundit kanë qenë 170 mijë. Ai po ashtu u shpreh se ka rënë numri i ekonomive familjare por është rritur sipërfaqja për ekonominë familjare.

“Këtu janë të dhënat për sektorin agrar në Kosovë. Siç shihet sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore është 420 mijë hektar. Është shumë më rëndësi të dihet se sipërfaqja e madhe e këtyre është e shfrytëzueshme duke mundësuar fonde që qeveria i shpërndanë për fermerët qoftë për pagesat direkte, qoftë përmes fondeve të zhvillimit rural. I kemi 130 mijë ekonomi familjare, është shumë me rëndësi sepse që në regjistrimin e fundit kanë qenë 170 mijë, ka rënë numri i ekonomive familjare por është rritur sipërfaqja për ekonominë familjare", tha ai.

Ndërsa është aprovuar procesverbali nga takimi i Komitetit Ndërministror për Administrimin e Tokës dhe IKIH, mbajtur me 6 qershor 2024.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat