Rikthimi në banesë pas 24 vjetësh, Çuni: Se kam paramenduar se vjen kjo ditë

Aktuale

Rikthimi në banesë pas 24 vjetësh, Çuni: Se kam paramenduar se vjen kjo ditë

Më: 17 tetor 2024 Në ora: 20:57
Muhamed Çuni

Familja e Muhamed Çunit është kthyer në banesën e vet në Mitrovicë të Veriut, e cila ishte e uzurpuar që nga viti 2000. Ata thanë se e gjetën banesën në gjendje të mjerueshme, por iu gëzuan faktit se tani e tutje do të jetojnë në banesën e tyre.

Pas më shumë se dy dekadash Muhamed Çuni është kthyer në apartamentin e tij në veri të Mitrovicës, e cila i ishte uzurpuar nga serbët pas luftës. Pas 24 vitesh ai kthehet aty ku kishte bërë hapat e parë si fëmijë

Porsa hapi derën Çunit iu kthyen edhe shumë kujtime.

"Është një ndjenjë e veçantë, sepse as nuk e kemi paramenduar që mund të ndodhë kjo një ditë, por ja që ndodhi dhe unë u ktheva sot në banesën time pas 24 viteve. Unë sot erdha për herë të parë. Gjendja është e mjerueshme, mobilet janë të dëmtuara, janë shfrytëzuar, nuk janë mirëmbajtur por kjo nuk ka fare rëndësi sepse këto janë gjëra që mund të renovohen. E rëndësishme është që jemi kthyer në banesë pas kaq viteve", tha ai për RTK-në.

Teksa shikonte çdo kënd të shtëpisë, nuk ka se si të mos i kujtohet kur ai dhe familja u dëbuan dhunshëm nga forcat serbe në vitin 2000.

"Kam ardhur me policë të UNMIK-ut, e kemi bërë evakuimin e familjes në mënyrë urgjente dhe nuk kemi pasur kohë të marrim as gjërat elementare. Kemi pasur edhe gjëra me vlerë, por tash kur erdha në banesë ato nuk po i shoh, sigurisht janë vjedhë apo janë hedh", shtoi ai.

Në proces të rikthimit të pronave në veri janë edhe shumë familje të tjera.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat