Nga Serbia, pengohen qytetarët serbë që punojnë në komunat veriore

Aktuale

Nga Serbia, pengohen qytetarët serbë që punojnë në komunat veriore

Më: 17 tetor 2024 Në ora: 21:15
Persheva

Tashmë, Izmir Zeqiri nuk e ka problem të dal e të flas para objektit të komunës së Zubin Potokut.

Por, ai vazhdon të ketë telash tjetër, atë të rekrutimit të stafit që i nevojitet për udhëheqjen e komunës, sidomos në disa drejtori.

Kjo, madje sipas tij po pengohet direkt nga Serbia, që edhe i ka në shënjestër serbët që tentojnë të punojnë për institucionet e Kosovës.

 “Punëtorë që i kemi pranuar të rinj në disa zyre, që është interes i të gjithë qytetarëve, këta në një formë janë targeti, janë në lista të ndalimit në rast se kalojnë kufirin atëherë, i marrin në pyetje, eventualisht mund të i arrestojnë, dhe shihet ajo fikë dhe panik e tyre”, tha kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

Zeqiri shton se vazhdon të ketë probleme thuajse në të gjitha drejtoritë, veçse për dallim nga më herët në konkurset e hapura po ka aplikime.

“Të gjitha i kemi mangu, por një pjesë është pranu, presim deri të fillojën këta, dhe jemi në trendin e hapjës së konkurseve për me plotësu akoma staf duke u nis prej zyrës së ofiçarive”, shtoi Zeqiri.

Probleme të njëjta ka edhe homologu i tij, nga komuna e Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ani pse thotë që shumë shpejt  do t’i mbuloj të gjitha vendet e lira të punës.

 “I kemi 13 drejtori, drejtoritë i kemi të gjitha aktive, staf i kemi marrë nga 3-4 vetë nëpër drejtori me konkurs, të tjerët i kemi kontratë mbi vepër. Diku i kemi edhe 209 vende të lira për punëtorë në komunë.”, tha Hetemi.

Hetemi thotë që edhe pagat janë më të larta, sesa kur me komunën udhëhiqnin paraardhësit e tij.

“Kur kemi ardhë para 1 viti e gjysëm këtu ishin kanë pagat 200 deri në 300 euro, e kështu tash më pak se 400 euro pagë, nuk ka në komunën tonë”.

Të dy kryetarët thanë që mungesa e stafit po i pengon në kryerjen e punëve, por janë duke bërë shumë më shumë punë nëse krahasohet me periudhën kur morën drejtimin e komunave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat