Ministri Maqedonci mohon se FSK e ka humbur një dron: Përkundrazi, flota e dronëve është shtuar dhe po vazhdon të shtohet

Aktuale

Ministri Maqedonci mohon se FSK e ka humbur një dron: Përkundrazi, flota e dronëve është shtuar dhe po vazhdon të shtohet

Më: 17 tetor 2024 Në ora: 23:39
Ejup Maqedonci

Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Ejup Maqedonci, ka mohuar humbjen e një droni, siç tha sonte në Pressing në T7 anëtari i kryesisë së AAK-së Daut Haradinaj. Në një përgjigje ministri Maqedonci tha se “flota e dronëve vëzhgues dhe sulmues është shtuar edhe pas blerjes së parë dhe po vazhdon të shtohet”.

Ish-deputeti Daut Haradinaj, duke iu referuar fotografive të kryeministrit Albin Kurti pranë dronëve Bayraktar tha se “amaterizimi i tyre që dalin bojnë foto me drona e ju humbin natën është humoristik dhe vepër penale”.

Haradinaj këmbënguli se informatën për humbjen e dronit e ka edhe ministri Maqedonci, “kjo është 1 miliard % e vërtetë, ai zotëria e di më më mirë, ju ka humb droni”, tha Haradinaj..

Por, ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, mohon humbjen e dronit.

“Jo që nuk ka humbur ndonjëherë ndonjë dron por përkundrazi, flota e dronëve vëzhgues dhe sulmues është shtuar edhe pas blerjes së parë dhe po vazhdon të shtohet. Kurse për çështjen e furnizimeve ju siguroj që në vazhdimësi pranojmë furnizime me sisteme të armatimit dhe pajisje ushtarake. Pozita ime dhe ndjeshmëria e procesit të blerjeve dhe furnizimit nuk më lejon që të jap detaje por janë shumë aktivitete të vet FSK-së ku janë shumë evidente pajisjet dhe sistemet me të cilat po furnizohemi pa ndërprerë. Të tjera po vijnë” tha Maqedonci në një përgjigje me shkrim.

Madje ministri shton se “asgjë e pavërtetë që thuhet për FSK-në nuk i kontribuon zhvillimit”.

“Forca e Sigurisë së Kosovës po zhvillohet si një forcë profesionale, e ndërveprueshme me NATO-n dhe e gatshme për të kryer detyra te saj bazuar në mision. Asgjë e pavërtetë që thuhet për të nuk i kontribuon zhvillimit të saj, përkundrazi mbështetë tentativat për minimim e një pune kolosale brezash duke përfshirë edhe vet kontributin e çmuar të zotit Haradinaj për një ushtri të gatshme për mbrojtje të territorit”, tha Maqedonci.

Kosova ka blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia vitin e kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat