Haradinaj në forumin “Pearson 2024”: Kosova pret integrim në NATO

Aktuale

Haradinaj në forumin “Pearson 2024”: Kosova pret integrim në NATO

Më: 18 tetor 2024 Në ora: 19:53
Pamje nga takimi

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se me ftesë të Universitetit të Çikagos, në “Forum Global Pearson 2024”, pati rastin të ndajë historinë e Kosovës – nga lufta në shtet-ndërtim.

Haradinaj, në një postim në Facebook, thotë se para shumë studiuesve dhe vendimmarrësve të nivelit të lartë botërorë dhe ekspertëve, paraqiti vizionin e tij për një të ardhme të qëndrueshme.

“Fola për rëndësinë e diplomacisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Theksova rrugën e Kosovës drejt lirisë e shtetndërtimit dhe rëndësinë që ka përqafimi i vlerave perëndimore në arritjen e aspiratave tona për integrim euro-atlantik. Liria erdhi si rezultat i një procesi të gjatë. Në vitet ’90, nisi rezistencën paqësore. Në vitet 1997-1999 filluam Luftën Çlirimtare dhe më pas, më 24 mars 1999, filluan sulmet ajrore të NATO-s, udhëhequr nga ShBA, të cilat çuan në liri dhe pavarësi”, ka shkruar Haradinaj.

Ai tha se ky rrugëtim nuk ishte aspak i lehtë, por ishte dhe vazhdon të jetë i qëndrueshëm.

“Kosova, është tregim i suksesshëm, suksesin e bënë edhe më madh mbështetja dhe partneriteti që vjen nga bota demokratike e udhëhequr nga Amerika. Kosova pret me padurim të ecë më shpejt drejt integrimit në NATO. Është e rëndësishme që shtetet të jenë përgjegjëse dhe të veprojnë me llogaridhënie”, ka shkruar ai në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat