“Spiunë, kriminelë, hajna...”, politika në Kosovë ashpërson gjuhën - rrezik për dhunë

Aktuale

“Spiunë, kriminelë, hajna...”, politika në Kosovë ashpërson gjuhën - rrezik për dhunë

Më: 18 tetor 2024 Në ora: 21:11
Foto ilustrim

Gjuha e deputetëve të Kosovës është rënduar së fundmi me akuza e ofendime mazhorancë-opozitë që kanë kaluar edhe në nivele personale. Seancat e fundit ku është diskutuar për çështje të ndryshme, deputetët janë lëshuar në epitete si “spiunë”, “kriminelë” e “hajn” kur i janë drejtuar njëri-tjetrit nga foltorja e Kuvendit.

Kjo gjuhë konsiderohet si shumë e rrezikshme, sidomos në këtë fazë para zgjedhjeve që mund të çojë edhe në dhunë. 

Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, shprehet për A2 CNN: “Është me shumë rëndësi që para procesit zgjedhor deputetët të përmbahen nga sjelljet dhe gjuha jo e përshtashme sepse kjo mund të bartet edhe te përkrahësit e partive politike dhe kjo ta dëmtojë pastaj procesin zgjedhor, të shkojë në zgjedhje në një atmosferë shumë të acaruar që mund të prodhojë incidente të ndryshme”.

Kuvendi ende nuk ka miratuar Kodin e Sjelljes së deputetëve që parashihen sanksione edhe për gjuhën, por edhe me rregulloren aktuale nuk ka dënime për deputetët me gjuhë joparlamentare: “Fatkeqësisht, nuk ka pasur as sanksione të mjaftueshme nga ana e kryetarit të Kuvendit, i cili do të duhej që në bazë të rregullores së Kuvendit të ndëshkonte deputetët që kanë përdorur gjuhë të tillë, ka vërejtje të shumta që parasheh rregullorja deri në përjashtim nga seanca”.  

Së fundmi, shumë diskutime ka pasur edhe se kush prej partive shqiptare ka bashkëpunuar me Listën Serbe. Një retorikë e tillë me epitete “tradhtar” kur flitet për bashkëpunim me komunitete pakicë konsiderohet se mund të dëmtojë Kosovën në sytë e ndërkombëtarëve: “Kjo mund të dëmtojë procesin e integrimit të komunitetit serb në Kosovë që Kosova e synon që shumë vite, prandaj në këtë aspekt mund të them që deputetët nuk kanë pasur kujdes me gjuhën, kanë dëmtuar shumë edhe reputacionin e Kuvendit, por mund ta kenë dëmtuar reputacionin e Kosovës në raport me shtetet e tjera”.  

Lëvizja Vetëvendosje me 53 deputetë tashmë është e varur nga grupi multietnik prej 8 deputetësh për të bërë kuorumin minimal për mbajtjen dhe kalimin e projektligjeve që kërkojnë shumicën e thjeshtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat