​Hoxhaj: S’ka kontekst evropian e as global që të ketë momentum të ri për dialogun

Aktuale

​Hoxhaj: S’ka kontekst evropian e as global që të ketë momentum të ri për dialogun

Më: 19 tetor 2024 Në ora: 09:12
Nënkryetari i Kuvendit, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj

Nënkryetari i Kuvendit, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, thotë se s’ka kontekst rajonal, evropian dhe as global që të ketë një momentum të ri në dialogun Kosovë-Serbi.

Një raund i ri i takimeve në nivel të kryenegociatorëve pritet të zhvillohet javën e ardhshme në Bruksel.

Pavarësisht takimeve të tilla, Hoxhaj nuk pret zhvillime pozitive drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë dhe aneksit të saj.

Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë në shkurt të vitit 2023 në Bruksel. Një muaj më vonë ishte arritur dakordim për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

“Dialogu Kosovë-Serbi as në Prishtinë, as në Beograd por mbi të gjitha as në Bruksel s’po shihet asnjë vizion strategjik se si palët të përfitojnë...S’ka kontekst rajonal, evropian dhe global që të ketë një momentum të ri për dialogun. Në rrafshin global, pa përfunduar procesi zgjedhor në Shtetet e Bashkuara, pa pasur një president të ri për ShBA-në s’do të ketë ndonjë vëmendje të veçantë amerikane për dialogun. Në rrafshin evropian pa e marrë mandatin komisioni i ri, pa ndodhur zëvendësimi i [shefi i politikës së jashtme të BE-së] Borrell me zonjën Kallas dhe pa e ditur një qartësi për zotëri Lajçak; a është ndërmjetës i dialogut apo është dikush që po lobon që të bëhet sekretar i OSBE-së. Në Kosovë s’ka ndonjë kontekst vendor për dialog sepse kemi zgjedhje. Pasi zgjedhjet mbahen me 9 shkurt, s’pres që qeveria Kurti të marrë ndonjë vendim sa i përket dialogut dhe ne do të shohim ndonjë moment kthese gjatë javëve në vijim”, thekson Hoxhaj.

Derisa flet për porositë e emisarit amerikan, Alexander Kasanof, i cili ditë më parë vizitoi Kosovën, Hoxhaj thotë se amerikanët nuk i besojnë më kryeministrit Albin Kurti.

Sipas tij, Kosova mund të rikthehet në binarët e zhvillimit dhe ruajtjes së raporteve me aleatë vetëm me fitoren e PDK-së në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

“ShBA-ja qëndron pas mbështetjes së një Kosove e cila do të përmbyllë shtet-ndërtimin. Brenda për brenda vet Kosovës s’ka një qeveri e cila është interesuar për të përmbyllur shtet-ndërtimin e Kosovës. Unë mendoj se vetëm me një ndryshim që do të ndodh me 9 shkurt, me fitoren e PDK-së mund të presin një Kosovë që mund të rikthehet në binarë. Një Kosovë që është partnerë i besueshëm në raport me Uashingtonin, Londrën, Brukselin dhe Parisin. Atëherë shoh një kontekst të ri që gjërat të lëvizën”, deklaron ai.

Sa i përket samitit të Procesit të Berlinit që u mbajt me 14 tetor, Hoxhaj konsideron se miratimi i planit të dytë të veprimit për tregun e përbashkët rajonal është një lajm pozitiv.

Megjithatë, ai thotë të ketë pritur një qëndrim më të qartë të Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian për, siç thotë, të ndalur Serbinë nga ambiciet e saj hegjemoniste ndaj Kosovës, por edhe rajonit.

“Natyrisht se tregu i përbashkët rajonal është një arritje e madhe, pasi duhet të ketë sa më shumë bashkëpunim ekonomik rajonal, pasi është parakusht për integrim evropian. Mirëpo pas luftës në Ukrainë dhe ndryshimeve tektonike gjeopolitike globale kam pritur se BE-ja do të ri-zgjohet politikisht dhe do të përdorë Procesin e Berlinit si një instrument të fuqishëm për të anëtarësuar shtete të rajonit në BE. Përderisa nuk ndodh një gjë e tillë nuk pres që Serbia të heq dorë nga ambiciet e saj hegjemoniste për të kontrolluar rajonin. Nuk pres që Serbia të heq dorë për të qenë një platformë e ndikimit rus dhe ndikimit kinez në rajon. Nga takimi kam prit më shumë qëndrime gjeopolitike. S’mund të sillet Procesi i Berlinit sikur të ishim në vitin 2014 kur kjo është kohë e luftërave. Kur kjo është kohë e ndryshimit të madh global dhe kur duhet që ky ishull i madh i Ballkanit Perëndimor të integrohet në BE”, thotë Hoxhaj.

Hoxhaj flet edhe për komunikimet e shefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq - personi që mori përgjegjësinë për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, në Banjskë të Zveçanit.

Sipas tij, kjo bisedë është bërë në kohën kur Radoiçiq ka qenë duke trajnuar paramilitarët e tij që të ushtrojnë agresion mbi Kosovën.

Ai e quan të dëmshme për vendin edhe sjelljen e qeverisë dhe mazhorancës në Kuvend “se gjoja s’ka ndodhur asgjë”.

“Unë e shoh serioze faktin se zonja Mimoza Kusari-Lila ka folur me Millan Radoiçiq, në një kohë kur ka qenë pas një vendimi politik që të bëjë agresion kundër Kosovës, në kohën kur ka qenë duke trajnuar paramilitarët e tij që të ushtrojnë agresion mbi Republikën e Kosovës dhe kur e shoh një sjellje të shumicës parlamentare dhe qeverisë se gjoja s’ka ndodh asgjë. Në asnjë vend demokratik nuk do të kishte një situatë të tillë që një shumicë parlamentare e cila udhëheq qeverinë dhe institucionet pas një publikimi të tillë s’jep një llogari për atë çka po ndodh. Përtej betejës kjo ka të bëjë me sigurinë e shtetit. Ne nuk e dimë se çfarë është biseduar, cilat janë motivet e një koordinimi të tillë dhe se kuptojmë se çka i bie kjo për Kosovën. Një gjë e tillë duhet të trajtohet në tërësi dhe politikisht por edhe në instanca të tjera”, thekson Hoxhaj.

Në anën tjetër, Hoxhaj shton se edhe arrestimet në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, tregojnë se në krejt çka ka pretenduar LVV-ja për një epërsi morale, nuk qëndrojnë.

“Krejt çka ka pretenduar Lëvizja Vetëvendosje për një epërsi morale dhe për atë që është një parti që ndjek kauzat e larta, e realiteti është krejt i kundërt. Këto janë tema që duhet t’i hetojë gjyqësia dhe prokuroria deri në fund. Neve çka na takon si parti politike në opozitë është që ne të kërkojmë llogaridhënie politike”, përfundon Hoxhaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat