​Mustafa i kundërpërgjigjet Kurtit për Asociacionin, ka disa fjalë edhe për Osmanin

Aktuale

​Mustafa i kundërpërgjigjet Kurtit për Asociacionin, ka disa fjalë edhe për Osmanin

Më: 19 tetor 2024 Në ora: 12:28
Isa Mustafa

Drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe i hartuar nga Bashkimi Evropian është autonomi për serbët në Kosovë, thotë ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Sipas tij, edhe aleatët ndërkombëtarë nuk po e thonë të vërtetën, derisa po deklarojnë se ai draft është në harmoni me Kushtetutën. Ish kryeministri nënvizon se ky draft është më i keq se marrëveshja e vitit 2013 dhe 2015 për Asociacionin.

Mustafa në një intervistë për KosovaPress flet edhe pritjet e tij nga dialogu Kosovë-Serbi, punën e presidentes Vjosa Osmani dhe raportin e tij me lidershipin aktual në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Mustafa: Drafti i Asociacionit i hartuar nga BE-ja është autonomi për serbët në Kosovë

“Marrëveshja që po përmendet për Asociacionin, pika shtatë e aneksit të marrëveshjes që është aprovuar në Ohër është shumë më e rëndë sesa ka qenë marrëveshja bazike e vitit 2013 ose marrëveshja e parimeve në vitin 2015. Kjo s’ka të bëjë fare me Asociacionin...Tani ne me këto dokumente të Brukselit dhe Ohrit ne s’kemi Asociacion por kemi autonomi dhe vetë menaxhim të komunitetit serb në Kosovë. Autonomi politike dhe territoriale të serbëve. Ne mund t’i gënjejmë qytetarët dhe t’iu themi se po bëhet Asociacion. Ndërkombëtarët që po flasin për Asociacionin dhe po thonë se ata besojnë se është në harmoni me Kushtetutën ata s’po e thonë të vërtetën pasi nuk është ashtu. Askund në Kushtetutën e Kosovës nuk thuhet se një pakicë ose një komunitet etnik në Kosovë mund të vetmenaxhojë”, thotë ai.

Duke iu kundërpërgjigjur kritikave të kryeministrit Albin Kurti ndaj marrëveshjes së vitit 2013 dhe 2015 për Asociacionin, Mustafa thotë se Gjykata Kushtetuese e ka bërë të qartë se Asociacionin duhet të themelohet sipas marrëveshjes së vitit 2013 të ratifikuar në Kuvend.

Madje ai përmend edhe garancitë që i ka marrë se ky mekanizëm nuk do të ketë kompetenca ekzekutive nga ish-kryediplomatja evropiane, Federica Mogherini.

Mustafa: Marrëveshja e vitit 2013 dhe 2015 për Asociacionin është më e mirë se drafti aktual

“Marrëveshja e parimeve nuk është rrëzuar sepse gjykata kushtetuese nuk ka konstatuar në asnjë vend se marrëveshja është në kundërshtim me Kushtetutën...Por janë theksuar se disa nene nuk janë tërësisht në frymën e kushtetutës. Pastaj Gjykata Kushtetuese ka thënë qartë se Asociacioni duhet të themelohet sipas marrëveshjes së parë të vitit 2013 të ratifikuar në Kuvend. Gjykata Kushtetuese ka bërë mirë se duke i përshkruar nenet veç e veç ka dhënë udhëzime sesi të bëhet Asociacioni...Gjykata Kushtetuese s’mund ta trajtojë nëse qeveria nuk ia dërgon Gjykatës Kushtetuese ose dikush tjetër, presidentja, siç e pati dërguar presidentja Jahjaga atë dokumentin e vitit 2015. Por unë dyshoj se kushtetuesja mund të trajtojë atë pasi janë disa norma që s’kanë lidhje me Kushtetutën”, thekson Mustafa.

Duke e shprehur skepticizmin e tij për zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mustafa thotë se dialogu i ka shërbyer më shumë për populizëm, kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Mustafa: Dialogu ka shërbyer më shumë për populizëm për Kurtin e Vuçiq

“Dialogu më tepër ka qenë një lloj takimi që iu ka shërbyer dy vendeve. Kosovës dhe Serbisë për të zhvilluar politika populiste brenda vendit. Kurtit që të plasojë populizmin në KOsovë dhe të Vuçiqit në Serbi. Kemi dy pushtete, mos të them regjime që kanë votë të fuqishme dhe të cilat pastaj i kanë shfrytëzuar që këto takime të përforcojnë pozicionin e tyre në vend. Se kanë zgjidh asnjë problem. S’kemi asnjë çështje që është zgjidhur, por kemi çështje që janë komplikuar”, deklaron Mustafa.

Në anën tjetër, Mustafa flet edhe për punën e deritanishme të presidentes, Vjosa Osmani.

Sipas tij, Osmani deri tani ka qenë notere e Kurtit, pasi është pajtuar me çdo vendim të tij.

Ai flet edhe për përçarjet e fundit ndërmjet krerëve të shtetit dhe raportet të presidentes Osmani me ish-bashkëpunëtoren e saj të afërt, tashmë ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Mustafa: Presidentja Osmani ka qenë notere e Kurtit

“Presidentja për gjatë gjithë periudhës përveç kësaj të fundit është pajtuar me kryeministrin dhe ka shërbyer në verifikimin e plotë ose siç është shprehur edhe Kurti përpara, noterizimin e akteve të Kuvendit të Kosovës. Ne se kemi pas një ligj që e ka kthyer presidentja që ka thënë se nuk është në harmoni me Gjykatën Kushtetuese. I ka kthyer Gjykata Kushtetuese mbi bazën e veprimit të opozitës, por jo të presidentes së vendit. Tani relacionet e tyre s’mund t’i përshkruajë ose s’mund t’i komentojë. Është mirë që presidentja prej fillimi të kishte respektuar pozicionin e vet. Të sillej si presidente e pavarur dhe të kishte bashkëpunim korrekt me pozitën dhe opozitën. T’i shërbente një lloj barazie të institucioneve të Kosovës....Vjosa ose presidentja e ka përkrah me kritere ose pa kritere zonjën Gërvalla që nga fillimi. Ne kemi pas atëherë edhe mosmarrëveshje të caktuara brenda, por nuk dëshirojë të lëshohem në to. Do të kisha dëshirë edhe presidentja Osmani dhe zonja Gërvalla të bëjnë punën e tyre”, thotë ai.

Ndërkaq, Mustafa e sheh të domosdoshme rikthimin në pushtet të LDK-së dhe rikthimin e elektoratit të humbur gjatë zgjedhjeve të vitit 2021.

Ai nuk preferon të komentojë raportet e tij aktuale me lidershipin në LDK.

Mustafa: LDK duhet të rikthejë elektoratin e humbur gjatë zgjedhjeve të vitit 2021

“Unë s’mund të japi vlerësim, por mendoj se ai elektorat nuk është dashur të shkoi, por ka qenë një frymë që është krijuar në atë periudhë edhe e brendshme por edhe jashtme, e cila e kapi më së shumti LDK-në. Tani qytetari duhet të vendosë se çfarë po donë, çka presin apo çka kërkojnë. A duhet të vazhdohet kështu, kur çdo ditë flasim për luftën, rrezikun dhe problemet që kemi në nivel të vendit, apo duhet të kemi një qeveri stabile që do të merrej me probleme të brendshme dhe do të koordinojmë aktivitetet e jashtme... S’mund të komentojë tani dhe s’dëshirojë të komentoj pasi jemi në një situatë të zgjedhjeve. Ajo çka dëshiroj për LDK-në dhe zotëri Abdixhiku është që të ketë përkrahje dhe LDK ta zërë pozicionin që i takon”, përfundon Mustafa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat