Bolton ende “e kokorizë” idenë e shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi, kjo është deklarata e tij e fundit

Aktuale

Bolton ende “e kokorizë” idenë e shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi, kjo është deklarata e tij e fundit

Më: 19 tetor 2024 Në ora: 12:46
Ish-presidenti Donald Trump dhe në prapavijë, këshilltari i tij i Sigurisë Kombëtare, John Bolton

Ish-ambasadori i ShBA-së në Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar i Sigurisë Kombëtare në administratën e ish-Presidentit Donald Trump, ka thënë se vendi i tij ka kohë që shpreson në një zgjidhje Kosovë-Serbi të arritur mes vetë këtyre dy vendeve.

John Bolton, në një intervistë për gazetën serbe “Politika”, thotë madje se edhe shkëmbimi i territoreve është opsion, “nëse të dyja palët do të pajtoheshin”.

“Mendoj se tash e një kohë, qëndrimi amerikan në fakt ka qenë shpresa se Kosova dhe Serbia së bashku mund të arrijnë diçka që është e pranueshme për të dyja palët, duke përfshirë shkëmbimin e territoreve, për të cilën të dyja palët do të pajtoheshin, e cila gjithashtu do të kontribuonte në stabilitet në Ballkan, do të kontribuonte që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje”, citohet të ketë thënë Bolton.

Më tej, ish-këshilltari i Trumpit tha se ka kohë që ShBA-ja është tërhequr nga mosmarrëveshjet e Ballkanit Perëndimor dhe se zgjidhjen e këtyre çështjeve ia ka lënë në dorë Evropës.

Për Boltonin, “kjo ishte një gjë e mirë”.

“Pikëpamja ime, ndërsa isha në administratën e Presidentit Trump, është se Shtëpia e Bardhë, se ShBA-ja mund të kishte bërë më shumë, sepse ekziston një interes për të stabilizuar një rajon që ka qenë i paqëndrueshëm në vitet e fundit dhe për t’i dhënë fund atij konflikti në mënyrë që të na lejohet të përqendrohemi në problemet më të mëdha që lindin nga shfaqja dhe rritja e aleancave të reja midis Kinës dhe Rusisë, si dhe kërcënimet për Evropën që vijnë nga situata në Lindjen e Mesme dhe Azinë Lindore”.

“Pra, kjo është diçka që ka ndodhur për një kohë të gjatë, që nga koha e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe shpresoj se së shpejti do të gjendet një zgjidhje për të cilën palët mund të bien dakord”, Ka thënë John Bolton.

Diplomati amerikan ka qenë përkrahës i shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë edhe në kohën sa ishte këshilltar i Presidentit Trump.

Mirëpo, në një intervistë për “Foreign Press Association” në vitin 2023, ai pati thënë se nuk ka qenë propozues i kësaj ideje, por vetëm përkrahës, pasi thotë se palët veçse kanë qenë duke e diskutuar atë.

“Shiko, unë nuk e propozova vetë, ata po flisnin për atë, dhe u dëshmua politikisht e pamundur, fillimisht në Kosovë dhe më pas edhe në Serbi. Por Tony Blair erdhi më takoi për këtë dhe më tha se aktualisht kemi liderë që mbase mund ta bëjnë që kjo të funksionojë”.

“Por reagimi im ishte i njëjtë si i James Bakerit kur ishte Sekretar i Shtetit e kur foli për mospajtimin mes Izraelit dhe Arabisë. Ai tha që ne nuk mund ta duam paqen më shumë se vetë palët. Ne nuk imponojmë asnjë zgjidhje, por nëse funksionon, duhet ta përkrahim”, pati thënë Bolton për FPA.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat