Deputeti i Kuvendit të Kosovës, tashmë i pavarur, Fatmir Humolli, ka deklaruar se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të kandidojë me asnjërën nga subjektet politike.
Humolli në një prononcim ka pohuar se do të garojnë me subjektin e tyre politik nëse arrijnë t’i krijojnë kushtet për të kaluar pragun.
“Me partitë aktuale nuk do garoj. Nëse arrijmë me i kriju kushtet për të kalu pragun prej 5% do të garojmë me subjektin tonë politik.Jemi duke punue dhe duke vlerësuar gjendjen dhe mundesit reale për të patur sukses” tha Humolli.
Ai tha se nëse do të jenë pjesë e garës do të publikojnë gjithçka në ditët në vijim.
“Nëse vlersojmë se nuk ka mundësi me kalu pragun, nuk do provojmë fare.Nese hyjmë në garë do publikojmë gjithçka që është e nevojshme” tha Humolli në përgjigjen e dhënë për blic.
Një vit më parë deputeti, Fatmir Humolli, konfirmoi largimin nga Lëvizja Vetëvendosje.
Humolli pati deklaruar se arsye e largimit është për shkak të mos plotësimit të kushteve që ai i ka prezantuar në momentin kur ka hyrë në listë zgjedhore të kësaj partie.
“Unë e kam paralajmëru gati që një vit se si të bëhen dy vite në qoftë se Qeveria nuk ndërron qasje në zgjidhjen e problemeve atëherë nuk kam vend në grupacion. Kur kam hy në listë i kam pasë tri kushte të cilat ia kam prezantu kryeministrit, për të cilat s’e ka marrë as përpjekjen më të vogël që me i zgjidh problemet” deklaroi Humolli pas largimit.