Prokuroria ngriti aktakuzë afër 12 vjet pas rastit, i plagosuri ndërroi jetë pa parë epilogun e rastit

Aktuale

Prokuroria ngriti aktakuzë afër 12 vjet pas rastit, i plagosuri ndërroi jetë pa parë epilogun e rastit

Më: 19 tetor 2024 Në ora: 21:13
Ilustrim

H.B në vitin 2008, si 60-vjeçar u plagos me dy predha të pushkës mu në ballë.

Për fatin e tij, ai kësaj plage do i mbijetonte. Por, drejtësinë për këtë rast nuk do ta priste.

Ai ndërron jetë më 2017, ndërsa aktakuza për këtë rast do ngritej tek më 2019, afër 12 vjet pas rastit.

Prokuroria e Qarkut në Prishtinë atë kohë, kishte zhvilluar hetimet dhe mbledhur provat. Megjithatë, për afër 12 vjet, kjo dosje kishte mbetur e pluhurosur diku në ndonjë dollap të Prokurorisë.

Do ndërrohej edhe Kodi i Procedurës Penale e tek më 2019, do ngritej aktakuza ndaj Besnik Krasniqit për vrasje të rëndë në tentativë. Por, tanimë kishte kaluar afati ligjor dhe aktakuza ishte ngritur jashtë çdo afati ligjor.

Për mbajtjen në sirtar të kësaj dosje për kaq shume vjet, përgjegjës nuk është mbajtur askush.

Pak ditë para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 3 shkurt 2008, Besnik Krasniqi, si 20 vjeçar thuhet se kishte gjuajtur me pushkë, të dëmtuarin H.B që e kishte në lagje.

“Po rasti ka ndodhur në shkurt të 2008, pas një zënke të vogël që ka ndodhur mes neve, ku i akuzuari- personi në fjalë e ka gjuajtë babën tim me llovaqkë, ku faktikisht ky e ka gjuajt për me vra edhe si pasojë e qasaj gjuajtje babi im ka pësuar lëndime në kokë. Ka pas dikun katër ose pesë saçme (predha) në kokë, këtë pjesën ballore. Lëndimet kanë qenë jashtëzakonisht të rënda, por falë mjekëve kanë arritë me pshtu babën tem”, ka thënë B.B, djali i të dëmtuarit.

Vetë i akuzuari për ketë rast, në deklaratën e dhënë në Prokurori atë kohë, do pranonte se e kishte bërë këtë, duke përshkruar se si kishte nisur konflikti, pas një zënke me djalin e të plagosurit në rrugë.

“Pasi ka ardhur B., me vëlla dhe me disa shokë, ka filluar të më ndjekë, duke ikur mua më ka zënë dhe më ka goditur me pendrek në kokë, por prapë kam ikur dhe jam larguar në drejtim të shtëpisë sime…”, ishte shprehur ai.

Deklarata e tij, vazhdonte me atë se si kishte marrë armën në shtëpi.

“Me të arritur në shtëpi, kam marrë pushkën e gjuetisë nga një dollap së bashku me 5 fishekë dhe kam filluar t’iu shkoj pas. Kam shkuar para dyerve të shtëpisë së tyre dhe kam shtënë dy herë në drejtim të tyre. Aty kanë qenë 7 apo 8 persona, qëllimi im nuk ka qenë për m’i rrokë ata, por t’i frikësoj”, kishte deklaruar ai.

I akuzuari deklaronte se kishte ikur menjëherë dhe se arma ishte e babait të tij, teksa kishte thënë se ndjehej fajtor për veprën që i vihej në barrë, por që e kishte bërë nga shqetësimi dhe pa dashje.

Në anën tjetër, i plagosuri në këtë rast ngjarjen e kishte përshkruar se ishte duke biseduar me një mik dhe djalin e tij dhe kishte dalë para dyerve të oborrit për t’i përshëndetur.

“…derisa unë e kam mbajtë cigarllukun me cigare në dorë, jam goditë në kokë dhe atë në mesin e ballit me një plumb të llovaqkës. A., me djalë të tij janë kanë të kthyer me shpinë kah ka krisë llovaqka. Në momentin e goditjes, R,. më ka kapë dhe më ka trus poshtë për toke. Mandej, më tha “ruju babë se po gjuan dikush”, kishte deklaruar ai.

Këtë rast, po e hetonte prokurori Feti Tunuzliu, i cili më 12 shkurt 2008, kishte marrë aktvendim për fillim të hetimeve.

Përveç të dyshuarit për tentim vrasjen, po hetoheshin edhe tre të tjerë. B.B., po hetohej për “Lëndim të lehtë trupor”, A.K., për “Armëmbajtje pa leje” dhe B.B., për “Lëndim të lehtë trupor” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Për ngjarjen, prokurori kishte intervistuar dëshmitarët, kishte mbledhur provat, ekzaminuar armën dhe predhat.

“Krejt veprimet që i ka ndërmarrë Prokuroria, bazu në shkesat e lëndës, janë veprime që janë marrë në periudhën kohore gjatë vitit 2008, gjatë kohës kur e kanë fillu hetimin zyrtarisht. Hetimin e ka fillu në shkurt të 2008, krejt veprimet hetimore me marrje në pyetje me gjitha provat, i ka siguru gjatë asaj kohe. Por, pse ka mbetë kjo lëndë e padorëzume në gjykatë? Pse s’e ka procesu tutje, këtu nuk kam përgjigje”, ka thënë avokati i të akuzuarit, Naser Sopjani.

I dyshuari do qëndronte në paraburgim mbi një muaj. Ndërsa, po aq në spital do qëndronte edhe viktima.

“Në spital ka qëndrua afër 1 muaj ditë, domethënë është operu aty, i ka hjek ato të saçmet, masanej ka pas probleme vazhdimisht, ka pas kokëdhimbje po kështu diçka shumë, shumë të randë jo, amo është anku çdo herë që po i dhem koka”, është shprehur djali i viktimës, B.B./Betimi per Drejtesi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat