25 vite në pritje, familjarët e personave të pagjetur në ankth

Aktuale

25 vite në pritje, familjarët e personave të pagjetur në ankth

Më: 19 tetor 2024 Në ora: 23:22
Ali Havolli

Familjarët e personave të pagjetur kanë një apel për Bashkësinë Ndërkombëtare, derisa kërkojnë drejtësi për të afërmit e tyre.

Që nga marsi i vitit 1999, Ali Havolli nuk e pa më kurrë vëllain e tij të vogël, Skënderin.

Ndërsa me mallin e dhimbjen për të,  i vdiq edhe e ëma.

“Në momentet e vdekjes ka pasë thanë ‘’djali jem a po e sheh çka na gjet’’, i thashë ‘’çka na gjet bre nanë, s’ka gjetë kurgja’’. Po po, se krejt e kish mendjen te ky, po nuk mujke me ja përmend emrin prej dhimtës. Brengë në trup, në jetë atë e kam që ka shku me mall të tij e po shkojmë edhe na tjerët”, tha Havolli.

Ai nuk rreshti së kërkuari vëllanë e zhdukur asnjëherë.

Ndërsa zemra i rri në shpresë për një thirrje nga institucionet.

“Sot e atë ditë, numrin e telefonit timin ata e kanë, kurrë s’kam mujt telefonin me ndërru veç sebep tij, numri mos me i hupë. Kena komuniku, protesta, ç’protesta jena dalë, deri jena mërzitë ma. Gjakun s’ja falim, asnjë mbi këtë tokë s’ja falim, as Serbisë as kërkujt, se e kanë marrë pa pikë faji. Gjaku nuk falet, tregoni Bashkësisë Ndërkombëtare”, tha ai.

Nga Këshilli Koordinues i familjarëve të personave të pagjetur theksojnë se për tërë këto vite pritjeje, familjarët po përjetojnë ankth e traumë.

“25 vite ankth, 25 vite pritje, 25 vite dhimbje, çdo gjë në shëndetin e atyre familjeve është amortizuar, po shpresa vdes e fundit”, tha Ahmet Grajçevci nga Këshilli Koordinues i Familjarëve të Personave të Pagjetur.

E një apel për Bashkësinë Ndërkombëtare e kanë edhe Komisioni Qeveritar për të pagjeturit.

“Për të siguru këto informata, pra po flasim për informatat që do duhej të vinin nga arkivat e institucioneve të Serbisë, nga përvoja 25 vjeçare, sigurisht se duhet një presion më i madh i Bashkësisë Ndërkombëtare”, tha Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit.

Në listën e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë vazhdojnë të mbesin mbi 1590 persona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat