Kushtetuta, sikurse edhe Institucionet e Kosovës janë plotësisht legjitime për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përfshirë edhe ato të shtrira në veri të vendit.
Këtë qëndrim e ka bërë të qartë ditë më parë, ambasadori Jeffrey Hovenier, duke shtuar se SHBA-ja është krenare për përkrahjen që ka dhënë në ndërtimin e tyre.
“Qëndrimi i SHBA-së është i pandryshuar, është i qartë dhe s’do të ndryshojë. Kushtetuta e Kosovës është legjitime. Institucionet e Kosovës janë plotësisht legjitime. Jemi të lumtur për përkrahjen që kemi dhënë për ndërtimin e këtyre institucioneve”, ka deklaruar Hovenier.
E ndaj kësaj deklarate ka reaguar edhe avokati shqiptar, Spartak Ngjela.
Ai përmes një postimi në Facebook deklaroi se kjo nuk pritej, ku shtoi se ky është një sukses i madh, në arritjen e të cilit përmendi edhe rolin e Kurtit.
“Politika amerikane deklaroi: Institucionet e Kosovës në veri, janë plotësisht të ligjshme.
Dhe kjo pritej.
Ky është një sukses i madh, por kuptohet që Kurti nuk ka qenë pa një instruksion nga aleati i madh.
Ose, pastaj, vetëkuptohet që Kurti e njeh mirë politikën amerikane për Ballkanin Perëndimor.
Sukseset e Arbërisë moderne po vijojnë.
Dhe koha po kërkon hapa të tjerë drejt albanizimit të madh me anë të shqiptarisë”, nënvizoi ai.
Krahas kësaj, Ngjela tha se tani ka ardhur koha e shqiptarëve, derisa kërkoi nga të gjithë të jenë të bashkuar.
“Koha është e shqiptarëve dhe shqiptarët duhet të jenë të bashkuar për një qëllim të përbashkët, kudo ku ata janë.
Gjuha shqipe, me shenjtërinë e saj, pasi shpëtoi Shqipërinë në vitin 1912-1913, erdhi dhe ngjalli atdhetarisht të gjithë shqiptarinë, e cila sot ka dy shtete. Por, janë edhe dy të tjerë po në këtë rrugë: Maqedonia dhe Çamëria.
Prandaj sot, është mëse aktuale poezia e famshme e Ndre Mjedës
...Geg' e tosk', malsi, jallia
jan' nji komb, m'u da, s'duron;
fund e maj' nji a Shqipnia
e nji gjuh' t'gjith' na bashkon...”, shkroi ndër të tjera Spartak Ngjela, përcjell “Bota sot”.