Geci në Hagë thotë se komunikatën nr.59 e ka shkruar Hashim Thaçi, flet për Rexhep Selimin e Abedin Rexhën

Aktuale

Geci në Hagë thotë se komunikatën nr.59 e ka shkruar Hashim Thaçi, flet për Rexhep Selimin e Abedin Rexhën

Më: 21 tetor 2024 Në ora: 10:10 Përditësuar në ora: 16:57 më 21.10.2024
Fadil Geci, sot në Speciale

Geci: Si pasojë e komunikatës së 59-të i kemi të plagosur dy vëllezër e të vrarë dy shokë

Dëshmitari Fadil Geci tha se komunikata e 59-të ka qenë sherr i madh në Drenicë dhe më tej, e që si e tillë ka qenë e rreme.

Sipas tij, si pasojë e kësaj komunikate ata i kanë dy vëllezër të plagosur e dy shokë të vrarë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Komunikata 59-të është sherri më i madh i lyer me benzinë që e ka kallë jo vetëm Drenicën, por edhe më larg. E ajo komunikatë është e rreme, shpifëse, dashakeqe, që i ka ba dëm të gjithëve, por familjes time i ka kriju shqetësime të mëdhaja edhe me pasoja të mëdhaja. I kemi pasur dy shokë të vrarë e dy vëllezër të plagum”, tha Geci.

Përpara kësaj, dëshmitarit iu prezantua një intervistë që ai e kishte dhënë lidhur me këtë komunikatë.

“Në intervistën që na ke dhënë, ke thënë që lidhur me komunikatën 59-të dhe po lexoj: “E gjithë Drenica u ngritë në këmbë për të nënshkruar deklarata që kjo komunikatë ishte e rreme si kundër Sami Lushtaku dhe të gjithë përfaqësuesit e Drenicës kanë thënë… dhe ky është dokument zyrtar”, lexoi prokurori James Pace.

Geci: Faleminderit Rexhep Selimi

Ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmitari Fadil Geci, tha se komunikatën nr. 59 e ka shkruar Hashim Thaçi.

Faleminderit Rexhep Selimi që ke tregu kush e ka shkruar komunikatën, ke punuar më shumë se tjerët Rexhep Selimi, edhe ndonjë fjalë që e ke thënë ta fali. Ti e din që nuk është asht. Mirë e din që Gani Geci nuk është tradhtar, po është ndër luftëtarët e parë, por ke dashtë me thanë, ka qenë koha.

Prokurori: Të lutem përgjigu në pyetje dhe mos iu drejtoni personave të tjerë që janë në sallë.

Dëshmitar, ku sipas jush Rexhep Selimi ka thënë të vërtetën dhe ka thënë emrin e personit që e ka shkruar komunikatën numër 59.

Geci: Informacionin e kam parë bashkë me ju, ma keni dhënë deklaratën e Rexhep Selimit e kam pa që ka thënë, edhe në të TV drejtpërdrejt në emision se komunikatën numër 59 e ka shkruar një dashakeq po ai është Hashim Thaçi. Ai dashakeq që i ka bërë dëm Drenicës në këtë komunikatë për një interes të tij personal me i largu nga skena vëllezërit Geci, sikurse i largoi Serbia familjen Jashari dhe me qenë i lirë me veprua kah të dojë. Por, ka gabuar, ka gabuar shumë. Ai mentalitet ka qenë sllav, rus, e nuk e ka ditur që është Amerika, e një ditë do të marr fund dhe kemi me u pa në sy dhe ka me u turpërua për këto punë që i ka bërë

Fadil Geci: Pas familjes Jashari tentuan të na likuidojnë familjen tonë, atyre që shkruan komunikatën 59 duhet t’iu bëhet ADN-ja

Ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmitari Fadil Geci, tha se pas familjes Jashari, tentuan që ta likuidojnë familjen e tij, duke përfshirë edhe vëllanë e tij.

Ai gjithashtu tha se ata që shkruan komunikatën 59-të nuk munden me qenë shqiptarë dhe se duhet të iu bëhet analiza e ADN-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, dëshmitarit iu kërkua që të tregojë se a ka ndonjë rast konkret ku dikush nga LPK-ja ka thënë që Qendra e Këshillit të Emergjencave që ishte në shtëpinë e Gecit duhet të ndryshonte.

“Veç bisedë që është ba, veç bisedë që është luhatë ajo dihet se kah ka ardhë ajo frymë. Këta e pamë ma vonë me komunikatën 59. Mbas familjes Jashari, tentuan që të na likuidojnë familjen tonë, vëllain tonë dhe me e heq prej ndikimi në atë terren me rrena e shpifje që është turp. Mendoj që ata njerëz që kanë shkruar komunikatën 59-të, duhet me ua bë ADN-në se mundem me qenë qergash e jo shqiptarë”, tha Geci.

Dëshmitarit iu kërkua që të tregojë se kush janë personat që kanë kërkuar që të ndryshohet vendi i Këshillit të Emergjencave, por përgjigja e tij nuk u dëgjua.

Ndërsa, prokurori James Pace menjëherë pyeti dëshmitarin a e ka bërë Jakup Krasniqi ndonjë pohim të tillë në publik. Kjo pyetje nxiti reagimin e mbrojtjes së të akuzuarit, duke thënë se kjo është pyetje orientuese, e që u rrëzua nga trupi gjykues.

“Prej Prishtine, thojke Zoti ju ndihmoftë, Zoti ju ndihmoftë, Zoti ju ndihmoftë e na ishim në luftë, dikur erdhi ai u bë kryesori e na nuk dishim cila është e vërteta. Prej Prishtine në telefon se janë kanë atëherë një telefon me rrjet për çdo ditë nashta është shumë, por kur ka mujt thojke Zoti u ndihmoftë, po edhe ajo është fjalë e mirë se na ka ndihmu Zoti”, tha Geci.

Fadil Geci: Kanë qenë grupet e ndara për shtet dhe pushtet, disa prej atyre që ishin në të dytin janë këtu e unë do të ballafaqohem me ta

Fadil Geci, gjatë dëshmisë së tij në Hagë, tha se në Kosovë kanë qenë dy grupe, njëri për shtet e tjetri për pushtet.

Geci tha se në grupin e parë ka qenë ai së bashku me anëtarët e tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Ndërsa, në grupin e dytë sipas tij bëjnë pjesë disa prej të akuzuarve në Hagë, e që sot ai është aty për t’u ballafaquar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Organizimi shtetëror, mbrojtja e Kushtetutës, lufta brenda sistemit, aso çfarë e kishim, ka qenë një drejtim që kemi qenë tanë unik. 99 %  e popullit të Kosovës kemi qenë një vend edhe dikur në momentin pas Jasharajve kanë ardhë një grup prej jashtë që e përfaqësonin një grup, që janë disa këtu e disa që janë kanë mrena dhe na kanë përça popullatën në përgjithësi se në Kosovë kanë qenë dy grupe, njëri për shtet e tjetri për pushtet”, tha Geci.

Ai shtoi se grupit të parë i ka prirë ish-presidenti Ibrahim Rugova.

“E grupi që ka qenë për shtet jam unë në krye me presidentin Ibrahim Rugova- po mbaj përgjegjësi për Drenicën. Kurse, grupi që ka qenë për pushtet janë disa këtu që po i shoh dhe të na shpjegojnë qysh çka, e unë jam këtu për me u ballafaqu me ta”, tha Geci.

Sipas Gecit, grupi i dytë ka qenë më ngjyrim marksist-leninist që e ka pasur “kokën” në Rusi, e që janë quajtur LPK. Ndërsa tha se grupi tjetër është ai i LDK-së që e ka pasur kryesinë në Amerikë.

“Grupi i parë e ka quajt Amerikën armik, kurse ne kemi thënë se vetëm Zoti dhe Amerika-anglo-amerikanët së bashku me popujt demokratik kanë me na arritë me na çliru. Unë e kam mbrojtë këtë drejtim”, u shpreh Geci.

Gjithashtu, dëshmitarit iu prezantua një dokument që sipas prokurorit James Pace, është një intervistë e Komandant Selimit (Sylejman Selimit). Ai tha që nuk i ka parë këto shënime më përpara, deri tash në Hagë.

Prokurori tha se intervistuesi e pyet Selimin se cilët njerëz përbënin bërthamën e Prekazit dhe fshatrave të tjera, që më vonë do të merrte strukturë ushtarake dhe do të shtrihej në tërë Drenicën.

Më pas, Pace shpjegoi se përgjigja e Selimit ishte se grupin e hershëm të luftëtarëve të Prekazit e përbënin : Adem Jashari, Hamëz Jashari, Sahit Jahari, Sami Lushtaku dhe Fadil Kodra.

Tutje, prokuroi tha se përgjigja e Selimit ishte që Ademi ishte nip i Gecajve të Llaushës e që Jetullah Geci, Sejdi Geci, Xhevahir Geci dhe Osman Geci ishin luftëtarë të parë Llaushë.

Ndonëse fjala ishte për Sylejman Selimin, dëshmitari e ngatërroi se kush ishte i intervistuari, duke menduar se ishte i akuzuari Rexhep Selimi.

“Është e vërtetë që disa janë ndër të parët, por i ka harru Rexha do, se luftëtarë përpara tanë këtyre edhe përpara Rexhës vetë është Gani Geci. E ka harru me qëllim sigurisht ose po du me thanë gabim, ka harru kështu diçka kumedit çka është ba e ka lanë anash.

Familja Geci, vëllezërit Geci janë ndër të parët përpara të gjithëve këtyre në tana proceset edhe te Adem Jashari, edhe te lufta, edhe te paqja, edhe gjithkund. Jam këtu, le t’më pyesin e ju tregoj”, tha Geci.

Sipas tij, e para ishte familja e Adem Jasharit, pastaj ajo Geci.

Me kërkesë të avokatit të Rexhep Selimit, Robert Geoffrey, u sqarua që intervista ishte bërë me Sylejman Selimin dhe jo me të akuzuarin.

Një gjë të tillë e vuri ndër dije edhe prokurori Pace, i cili tha se është e saktë që intervista është bërë me Sylejman Selimin.

Po ashtu, gjatë dëshmisë, dëshmitari tha se pasluftës e ka njohur një person me emrin Maxhun Smajli dhe sipas tij, ka qenë gazetar gjatë luftës e që është djalë i mirë.

Fillimisht, Gecit iu prezantua një fotografi, për të cilën tha se nuk e di kah është marrë, por që i njeh përafërsisht personat në të.

Sipas prokurorit Pace, në përshkrim të fotografisë thuhet që janë Esat Geci, Fadil Geci, Besim Dajaku dhe Sami Hajri.

Kur u pyet për Esat Gecin, dëshmitari tha se të gjithë djemtë e vëllait të tij kanë qenë në luftë.

Për Besim Dajakun, dëshmitari tha se ai ka qenë pjesëmarrës në luftë dhe kontribues deri sa është vra paslufte.“Deri sa është vra nga disa forca që tash po dihet se nga kanë ardhë. Ka qenë truproje e presidentit Ibrahim Rugova”, tha dëshmitari.

Ndërsa, kur u pyet për Sami Hajrën, nuk u dëgjua përgjigja e dëshmitarit për shkak se foli përpara se të hapet mikrofoni.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Geci tha se nuk ka qenë pjesë e zinxhirit komandues.

“Organizatë leniniste, krytë në Rusi”- Geci “konfronton” disa nga ish-krerët e UÇK’së

Fadil Geci është dëshmitari i radhës i Zyrës së Prokurorisë së Specializuar që po dëshmon në rastin e ish-krerëve të UÇK’së.

Geci është “konfrontuar” me disa nga ish-krerët e UÇK’së prezentë, duke iu drejtuar atyre me fjalët “LPK’ja ishte organizatë leniniste dhe koka e tyre ishte në Rusi”.

Ai e tha këtë duke folur për Këshillin e Emergjencave.

“Na kanë përça popullatën në përgjithësi, se në Kosovë kanë qenë dy grupe: Njëri për shtet, e tjetri për pushtet. Grupi që ka qenë për shtet jamë unë në krye me Ibrahim Rugovën, kurse grupi që ka qenë për pushtet dhe do të na spjegojnë qysh pse, e unë jam këtu me u ballafaqu me ta”, ka deklaruar ndër të tjera Geci.

Geci ironizon me Selimin: Rexha ka harruar që Gecët janë të parët që kanë luftuar në Prekaz

Fadil Geci, dëshmitari i radhës në rastin kundër ish-krerëve të UÇK’së ka kontestuar një intervistë të dhënë nga Rexhep Selimi për Sylejman Selimin.

Geci në dëshminë e tij ka thënë se vëllai i tij, Gani Geci, është lënë jashtë celulave të para të UÇK’së në Drenicë.

Në dëshminë e tij, ai thotë se familja Jashari ishte e para ajo që krijoi rezistencë ndaj forcave serbe, e më pastaj familja Geci.

“E ka gabim aty. Kushdo që e thotë, e ka gabim. E shtramon historinë. Me një fjalë trup, rren”, ka thënë ndër të tjera ai.

ZPS për Fadil Gecin: Do të flas për autorësinë e komunikatës 59-të dhe për kërcënimet që Thaçi e Selimi ia kanë bërë Tahir Zemajt

Prokurori James Pace, përfaqësues i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) tha se dëshmitari Fadil Geci do të flas lidhur me autorësinë e komunikatës 59-të të lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

“Dëshmitari ka luftuar gjatë luftës dhe ka pas pozicione të ndryshme brenda LDK-së, duke përfshirë këtu edhe postet drejtuese të LDK-së në Skenderaj. Dëshmitari jep informacion lidhur me themelimin e LDK-së, strukturën e saj, anëtarësimin dhe aktivitetet dhe marrëdhëniet në mes LDK-së dhe UÇK-së, duke përfshirë këtu edhe kërcënimet, sulmet nga pjesëtarët e UÇK-së kundër anëtarëve të LDK-së”, tha prokurori.

Prokurori Pace theksoi se kjo komunikatë e etiketonte vëllain e dëshmitarit, Gani Gecin, si bashkëpunëtor dhe se si e tillë ajo kishte pasoja negative mbi familjen e tyre, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Dëshmia e dëshmitarit përfshinë informacion që ka të bëjë me autorin e komunikatës 59 të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në tetor të ’98-ës që etiketon vëllain e tij, Gani Gecin si bashkëpunëtor si dhe ndikimin negativ dhe pasojën që ka pas kjo komunikatë mbi atë dhe mbi anëtarët e familjes dhe të tjerët”, tha prokurori.

Ndërsa, shtoi se do të japë informacion për kërcënimet që sipas tij, Thaçi dhe Selimi ia bënë Tahir Zemajt.

“Gjithashtu, dëshmitari jep informacion lidhur me kërcënimet që i ka bërë Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi, Tahir Zemajt dhe informacion lidhur me arrestimin, ndalimin dhe keqtrajtimin e përfaqësuesve të Asamblesë së Kosovës dhe të Kuvendit të Kosovës në ose përreth Qirezit në shtator të ’98-ës, si dhe arrestimin, ndalimin, vrasjen dhe keqtrajtimin e anëtarëve të UÇK-së dhe individëve të tjerë. Po ashtu, dëshmitari jep informacion  lidhur me ndërveprimet, njohuritë apo bisedimet që kanë pasur anëtarët e UÇK-së duke përfshirë Rexhep Selimin, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Sylejman Selmin dhe Samedin Xhezairin lidhur me këto ngjarje”, tha Pace.

Më 18 shtator 2018, dëshmitari  kishte dhënë dëshmi për ZPS-në, e cila kishte dhjetë pjesë, e që u pranua në prova materiale së bashku me tri materiale përcjellëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat