Analistët për Asociacionin: Qeveria nuk do të dërgojë në Kushtetuese draftin

Aktuale

Analistët për Asociacionin: Qeveria nuk do të dërgojë në Kushtetuese draftin

Më: 21 tetor 2024 Në ora: 16:02
Foto ilustrim

Qeveria e Kosovës nuk do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të hartuar nga Bashkimi Evropian, thonë analistët politikë. Pavarësisht kërkesës së ndërkombëtarëve, veçmas të amerikanëve, një gjë e tillë shihet vështirë e arritshme, derisa Kosova gjendet në parafushatë zgjedhore.

Në ditën e vizitës në Kosovë të ndihmës-sekretarit amerikan për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, kërkohet nga aleatët që mos të bëjnë presion ndaj Kosovës që si e vetme të respektojë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, të arritur vitin e kaluar në kuadër të dialogut, ku përfshihet edhe themelimi i Asociacionit.

O’Brien dje qëndroi edhe në Serbi, ku kërkoi zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog, veçmas e konsideroi të domosdoshme që Qeveria e Kosovës të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draftin e Asociacionit të hartuar nga Bashkimi Evropian.

Analisti politik, Dorajet Imeri, thotë për KosovaPress se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet e arritura, mirëpo nevojitet që Serbia fillimisht të tërheq letrën të dërguar vitin e kaluar në BE, ku theksojnë se nuk do të zbatojnë nene të caktuara të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, kryesisht ku flitet për respektim të integritetit territorial të palëve dhe mospengim të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Imeri, pas kësaj e sheh të nevojshme që pala kosovare të bëjë lëvizjen e radhës për themelimin e Asociacionit, por siç thotë ai, që i njëjti të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Imeri: Presoni ndaj Kosovës qe e vetme të respektojë marrëveshjen është i padrejtë

“Serbia ka paraqitur një letër në BE, ku përmes të cilës tregon rezervat e saj për zbatimin e kësaj marrëveshje. Shkelje më të madhe të marrëveshjes sa kaq nuk mund të ketë. Serbia nuk është e interesuar që të respektojë marrëveshjen dhe presoni ndaj Kosovës qe e vetme të respektojë marrëveshjen unë konsideroj se është i padrejtë. Kosova dhe Serbia duhet të respektojnë në plotni marrëveshjet e arritura dhe ndër to është natyrisht edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Gjithmonë sipas frymës së Kushtetutës së Kosovës dhe germës së saj. Se kush duhet të bëjë një veprim të tillë, aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese në raport me draftin e Asociacionit të vitit 2015 është treguesi i qartë se çfarë rruge duhet të ndjek Kosova. Natyrisht nëse serbët janë të interesuar që të themelojnë një OJQ ndërmjet komunave të tyre mund ta bëjnë. Si e tillë do të ishte edhe nevojshme por edhe një veprim që nuk do të ishte në kundërshtim me kushtetutën dhe frymën e saj”, thekson Imeri.

Në anën tjetër, politologu, Arbnor Sadiku, thotë se pavarësisht insistimit amerikan që qeveria Kurti të dërgojë në Kushtetuese draftin e Asociacionit, një gjë e tillë është e pamundur për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme më 9 shkurt 2025.

Sadiku: Pritjet janë të vogla që Qeveria të dërgojë në Kushtetuese draftin për Asociacionin

“Tema boshe ose kyçe e cila ka bllokuar të gjitha përparimet në dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është Asociacioni i komunave me shumicë serbe, që Kurti tash e quan vetëmenaxhim. Ata po kërkojnë që Kosova të bëjë hapin e parë dhe mos të predikojë rezultatin që do të ketë Gjykata Kushtetuese për dokumentin në fjalë. Si fillim të nisin procedurën dhe të bëjnë hapin e parë dhe pas kësaj të bisedohet për hapa të tjerë. ShBA-ja është shumë qartë ndaj Kosovës dhe po kërkojnë diçka që Kurti është pajtuar në Bruksel dhe me aneksin e Ohrit më pas... Në rast që vendosë Qeveria Kurti të dërgojë duhet të merr një vendim pasi ai është një dokument i rëndësishëm...Pritjet e mia janë të vogla që Qeveria të ndërmerrë diçka në këtë drejtim, megjithatë uroj dhe shpresoj që sa më shpejt që i kryejmë detyrat tona, Kosova të ecë më shpejtë në hapat e anëtarësimit në organizata ndërkombëtarëve dhe të ketë progres në fusha të tjera”, deklaron Sadiku.

Ndihmës-sekretari amerikan për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, gjatë qëndrimit të tij sot në Kosovë do të pritet në takim nga kryeministri Albin Kurti.

Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë në shkurt të vitit 2023 në Bruksel dhe më pas aneksin e zbatimit një muaj më pas në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Mirëpo palët ende nuk kanë nisur zbatimin e saj, pavarësisht negociatave të vazhdueshme për planin e sekuencimit të saj.

Në tetor të vitit të kaluar, Bashkimi Evropian, përmes përfaqësuesit special për dialogun, Miroslav Lajçak i kanë dorëzuar kryeministrin Albin Kurti draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Pavarësisht kërkesës se aleatëve ndërkombëtarë për ta dërguar të njëjtin në Gjykatë Kushtetuese për interpretim, kreu qeveritar nuk ka pranuar ta bëjë një gjë të tillë.

Ai ka kërkuar fillimisht nënshkrimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit për të krijuar mirëbesim në proces të dialogut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat