Gjykimi i Bedri Krasniqit për kanosje ndaj Shkumbin Mehmetit, dëshmitarët: S’dëgjuam komunikim mes tyre

Aktuale

Gjykimi i Bedri Krasniqit për kanosje ndaj Shkumbin Mehmetit, dëshmitarët: S’dëgjuam komunikim mes tyre

Më: 21 tetor 2024 Në ora: 17:24
Bedri Krasniqi

Se Bedri Krasniqi të ketë kërcënuar Shkumbin Mehmetin, dëshmitarët thanë se nuk kanë dëgjuar diçka të tillë.

Në gjykimin ndaj Krasniqit, dëshmuan Sabahudin Durmishi dhe Bujar Qadraku, të dy zyrtarë nga njësiti i transportit të burgosurve.

Ata thanë se në ditën kritike kur pretendohet të jetë bërë kanosja ndaj Mehmetit, nuk kishin dëgjuar ndonjë komunikim mes tij dhe Krasniqit, raporton Betimi për Drejtësi.

Fillimisht, dëshmitari Durmishi tha se bazuar në përshkrimin e detyrave  të punës ai nuk del në tërën, por merret me koordinimin e punëve për transportin e të akuzuarve nga zyra.

Ai tutje pas pyetjes së prokurores Adriana Veseli, deklaroi se sipas rregullores të Shërbimit Korrektues lejohet që në të njëjtin furgon të vendosen personat që janë në të njëjtin proces gjyqësor, qoftë si dëshmitar apo si të akuzuar.

Pas Durmishit, u dëgjua edhe dëshmitari Qadraku, i cili tha se në ditë kritike nuk ka qenë brenda furgonit përmes të cilit është bërë transportimi i të pandehurve Krasniqit dhe Mehmetit për në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Ai  tha se në furgonin transportues ekziston ndarja fizike për personat që vendosen brenda dhe se  sipas rregulloreve lejohet qe të futen edhe personat e gjinisë së kundërt, moshës madhore me të mitur.

Dëshmitari Qadraku, gjithashtu tha se në ditën kritike kur kanë realizuar transportin për Krasniqin dhe Mehmetin nuk ka dëgjuar bisedë mes tyre.

Më pas u bë administrimi i provave materiale të renditura si në aktakuzë.

Seanca vijoi me dhënien e mbrojtës nga i akuzuari Krasniqi, i cili deklaroi se në respekt të gjykatës mund të bëjë pranimin e fajësisë, por se veprën penale për çka po akuzohet nuk e ka kryer.

Sipas aktakuzës së ngritur më 31 tetor 2019, më 18 prill 2019 në rrugën prej Burgut të Sigurisë së Lartë në Gërdoc të Podujevës, në drejtim të Prishtinës, tani i akuzuari Bedri Krasniqi me qëllim të frikësimit apo shkaktimit të ankthit, e ka kanosur me fjalë të dëmtuarin Shkumbim Mehmeti gjatë transportimit të tij për në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali.

Tutje, në aktakuzë thuhet se pasi janë vendosur të dy në të njëjtin mjet transporti gjatë rrugës, i akuzuari Krasniqi ka komunikuar me të dëmtuarin Mehmeti para hyrjes në automjet dhe gjatë trasnportimit, duke e kanosur këtë të fundit me fjalët “qysh e ki familjen, e di se familjen e ki në Francë dhe se djali yt i ka bërë katër vite, po ashtu edhe vëllezërit tuaj punojnë me disa kabllo interneti”, duke i bërë me dije të dëmtuarit për mundësinë e arritjes së qëllimeve ndaj tyre.

Në vazhdim sipas aktakuzës, i akuzuari ka thënë “Është më mirë të kujdesesh për familjen tënde, e mos të merresh me punë tjera”, duke aluduar në mosdëshmimin e tij ndaj të akuzuarit në çështjen penale të vrasjes së rëndë dhe thuhet se me këto fjalë i akuzuari e ka shqetësuar seriozisht të dëmtuarin se do ta privojë nga jeta ose që do t’i shkaktojë lëndim të rëndë trupor ndonjë anëtari të familjes.

Me këtë, Krasniqi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, par.2 të Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me gjobë ose me dënim deri në një vit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat