Maqedonci: Nuk do të lejojë që dikush tjetër pos meje të jetë dera e VV-së në ministri

Aktuale

Maqedonci: Nuk do të lejojë që dikush tjetër pos meje të jetë dera e VV-së në ministri

Më: 21 tetor 2024 Në ora: 20:09
Ejup Maqedonci

U takuan, megjithatë askush nuk tregoi se çka u bisedua në takimin e komandantes supreme të FSK-së, presidentes Vjosa Osmani dhe ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

E ky i fundit, tregoi se në të nuk mori pjesë komandanti i FSK-së Bashkim Jashari për shkak të vizitës në SHBA.

Ai tha se informoi presidenten edhe për tema të tjera, por që kryesorja ishte ajo e furnizimit me ushqim në kazermat e FSK-së.

 “E kam siguruar dhe gjithashtu e kam njoftuar se që në asnjë moment, asnjë pjesëtarë i Forcës së Sigurisë së Kosovës, nuk ka pasur mungesë të ushqimit, pavarësisht që është stërmadhuar çështja e ushqimit,  në asnjë rast dhe asnjë ditë, asnjë pjesëtarë i FSK-së nuk ka mbetur pa ushqim”, deklaroi Maqedonci.

Maqedonci pretendon se Ministria që ai udhëheq është cak i lajmeve të rreme, siç ishte çështja e dorëheqjes së tij e deri te humbja e armatimit, mbrapa të cilave thotë se qëndrojnë faktorë të brendshëm shkaku i fushatës por edhe të jashtëm që duan të destabilizojnë vendin.

Por, është zëvendësi i tij Shemsi Syla për të cilin u tha shumë herë që po e destabilizon këtë Ministri.

Maqedonci mohon këtë, megjithëse çon edhe porosi për ata që tentojnë të ndikojnë në forma të tilla në vendimmarrje brenda Ministrisë së Mbrojtjes.

 “Mund të them me përgjegjësi të plotë se unë jam dera, e cila është e hapur,  për të gjithë ata që kanë çështje rreth Ministrisë së Mbrojtjes, dhe nuk ka nevojë, dhe nuk do të ketë nevojë, por edhe nuk do të lejoj, që dikush tjetër të jetë dera e Vetëvendosjes apo cilësdo strukturë, brenda Ministrisë së Mbrojtjes”, shtoi Maqedonci.

Ministri Maqedonci foli edhe për largimin 119 ushtarëve që tha se paga, është ndër arsyet e fundit për largimin e tyre.

Në Qeverinë Kurti, Ejup Maqedonci është ministri i dytë që udhëheq me fushën e Mbrojtjes. Para tij, në krye të kësaj ministrie ishte Armend Mehaj që u dorëhoq për arsye personale.

Maqedonci, ish-komandant i UÇK-së e pjesë e FSK-së erdhi në krye të Ministrisë së Mbrojtjes si kuadër i jashtëm e jo partiak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat