“Kur është vra familja Jashari, disa prej këtyre janë gëzu”, Geci vazhdon me dëshminë ‘tronditëse’ në Hagë – jep këto detaje

Aktuale

“Kur është vra familja Jashari, disa prej këtyre janë gëzu”, Geci vazhdon me dëshminë ‘tronditëse’ në Hagë – jep këto detaje

Më: 22 tetor 2024 Në ora: 06:43 Përditësuar në ora: 15:31 më 22.10.2024
Fadil Geci

Avokati Ellis- Gecit: Po e përdorni gjykatën për deklarata politike

Avokati i Jakup Krasniqit, Aiden Ellis i tha dëshmitarit Fadil Geci se po e përdor gjykatën për deklarata politike.

“Unë po ju them juve që po e përdorni këtë gjykatë për të bërë deklarata politike”, tha Ellis.

Kjo deklaratë e avokatit Ellis erdhi pasi dëshmitari tha se njerëzit janë kërcënuar e janë vratë për ta shuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Bardhyl Mahmuti e ka sulmu LDK-në me krejt fuqinë, kundërshtar të LDK-së, komplet ekipi e edhe ai person. Kurrgjë këta nuk kanë pas të bëjnë me LDK-në. LDK-ja për këta u kanë pengesë për me marrë frymë dhe kanë dashët me i likuidu të githa pengesat që i kanë pas. Në Drenicë, katër bashkësi lokale ma të mëdhaja, Xhafer Behrami është vra- drejtor i shkollës e kryetar i nëndegës. Haki Imeri- sa u kanë Haki Imeri, dy fakultete s’ka pas parti tjetër atje. Bahtir Kastrati është kërcenu me jetë. Ismet Rrahmani, themelues i Akademisë së parë ushtarake në Aqarevë është vra”, tha Geci.

Ai shtoi se janë kërcënuar njerëz të tjerë për ta shuar LDK-në, e për “me ecë tjetri organizim”.

Geci tha se persona të caktuar duke përfshirë edhe të akuzuarit, me luftën për pushtet e kanë dëmtuar Kosovën.

“Me luftën për pushtet kanë gabu e i kanë ba dëm Kosovës. Më mirë është kanë me i njoftë institucionet, me e njoftë shtetin e me luftu”, tha Geci derisa u ndalua nga avokati Ellis.

Për Ramë Bujën, dëshmitari tha se ka qenë kryetar i degës së Lipjanit në kuadër të LDK-së, por që sipas tij ai ka qenë marksist-leninist.

“Një djalë i mirë, i mençur e me tana të mirat, por marksist-leninist ka qenë edhe është qashtu hale. Shumë e respektoj edhe m’don edhe e du, po qashtu është”, tha Geci.

Geci për Jakup Krasniqin: Ka përshëndetë me grusht, qashtu qysh është apet e du

Fadil Geci tha se ka shumë respekt për Jakup Krasniqin, por që kanë pasur ideologji të ndryshme e që tashmë i akuzuari përshëndeste edhe me grusht.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Krasniqit, përmes avokatit Aiden Ellis, dëshmitari tha se sërish e do të akuzuarin ashtu siç është.

“Shumë kam respekt. Unë e kam dashtë Jakupin, por ka pasur bindje tjetër dhe me grusht ka përshëndetë. E ka pas mendimin. Ideologji e ka, ideologji edhe nuk mun ja hjek, qashtu iu ka shpërla tru… Qashtu u kanë i mirë, qysh osht apet e du”, tha Geci, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Megjithatë, Geci tha se mendon që Jakup Krasniqi për vëllezërit Geci ka shkruar gabim. Ai tha se nuk ka biseduar me Krasniqin për arsyet e largimit të tij nga LDK-ja.

Dëshmitari theksoi se Krasniqi ka qenë në një organizatë marksiste-leniniste, e cila ka qenë më pas e konvertuar në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK) e në organizata të tjera që për rrjedhojë kanë pasur përshëndetjen me grusht.

“Me metoda marksiste-leniniste është vepru. Me t’i vra shokët. M’u kanë vra gjashtë shokë në Drenicë, m’u kanë vra mu. Nuk më lanë me fol hiç. Njerëz më të mirë të mundshëm m’u kanë vra. Haki Imeri është vra, Xhafer Behrami është vra, u qëllu Bahtir Kastrati, një burrë i fortë i asaj ane. Ismet Rrahmani është vra”, tha dëshmitari.

Tutje, dëshmitari iu drejtua të akuzuarit duke i thënë se nuk është dashur që të dalë kundër familjes së tij.

“Nuk është dashtë Jakupi kundër vëllezërve Geci. Pse bre Jakup këshu me ba? Pse kundër vëllezërve Geci që të kanë neru shumë e të kanë respektu shumë, e kanë ba për ty shumë? Pse me shkru aty çka nuk është në histori e me shkru? Ti e din që ato tubime i ka organizu LDK-ja dhe UÇK-ja. Ka mujtë me dalë veç në Llaushë, aty ku e kanë organizu vëllezërit Geci me krejt Llaushën edhe Prekazin e jo në Qirez e Likoshan! Ke ba gabim Jakup”, tha dëshmitari.

Dëshmitari u betua me jetë se çfarë është duke thënë është fakt. Kjo deklaratë e tij erdhi pasi avokati Ellis tha se janë të interesuar për fakte dhe jo për deklarata politike.

Në kundërpyetjet e Mishetiq, dëshmitari tha se Gani Geci është një shpirt i pastër dhe si rrjedhojë avokati ia prezantoi atij një video ku shihej që në një takim të LDK-së, Gani Geci ishte përfshirë në një incident.

“E ka shpirtin ma të pastër çka janë kanë mrena qaty, këtu u kanë publike. Ka reagu paq e pastër për me ruajt diçka. Mos shkatërroni iu ka thanë. Njerëzit që kanë dashtë me shkatërru dihet tash e ai person që e ka shkatërru LDK-në në këtë formë është Fatmir Sejdiu që do të merr përgjegjësi historike se ka pas marrëveshje me këta për me ardhë vetë e me u ba kryetar e me i marrë përsipër të gjitha dhe ka shkatërru LDK në marrëveshje me Hashim Thaçin dhe i kanë bë bizneset ku me shku e çka me ba”, tha Geci.

Ai shtoi se personi tjetër që ka dashur që të shkatërrojë LDK-në ishte edhe Sabri Hamiti.

Ndërsa, Mishetiq ia prezantoi dëshmitarit një dokument tjetër ku tregonte se Fadil Geci ishte përfshirë në një përleshje fizike me Gani Kocin.

“Jam shty me Gani Kocin dhe i kam thanë se më ka thanë ‘kena me ju vra tanve’. Bon vaki ia kom hi edhe ma shumë. Unë nuk kom kajt, ai ka kajtë. Unë nuk kam kajtë”, tha Geci.

Me kaq përfunduan pyetjet e Mishetiq për këtë dëshmitar. Ndërsa, mbrojtja e Selimit dhe Rexhepit nuk patën pyetje.

Geci: Kur në Drenicë ishim në luftë, Krasniqi bënte “luftë” në Prishtinë për ta marrë LDK-në

Ish-ushtari i UÇK-së, sot dëshmitar në Gjykatën Speciale në Hagë, Fadil Geci, deklaroi se gjatë kohës së okupimit kur në Drenicë ishin në luftë, Jakup Krasniqi bënte “luftë” në Prishtinë për ta marrë LDK-në.

“Neve thjesht na komunikonte në telefon dhe na thoshte ‘Zoti ju ndihmoftë’.

Kur në Drenicë është luftuar, Jakup Krasniqi në Prishtinë ka bërë aktivitete se si ta merrte LDK-në”, deklaroi Geci në bankën e dëshmitarëve në Gjykatën Speciale në Hagë.

Geci me akuza të rënda: Kur është vra familja Jashari, disa prej këtu janë gëzu

Vëllai i Gani Gecit, Fadili, ka akuzuar rëndë disa prej udhëheqësve të UÇK-së.

Ai ka thënë se disa janë gëzuar me masakrën e serbëve në familjen Jashari.

“Kur u vra familja Jashari disa prej këtu janë gëzu, edhe familja Geci ishte pengesë.

Isha unë. Edhe fati, edhe neve na etiketuan.

Po të mos kishim kapital njerëzor e moral, çka ish bo mas kësja komunikate. Ishin likuidu krejt”, tha Fadil Geci.

Geci: Vëllait i kanë ndodhur disa raste të improvizuara nga këta njerëz, është i dënuar për vrasjen që e ka bërë duke u mbrojtur

Fadil Geci tha se vëllait të tij, Ganiut i kanë ndodhur disa raste të improvizuara nga personat që janë në Hagë, të cilët sipas tij kanë tentuar ta vrasin.

Këtë deklaratë, dëshmitari e bëri kur u pyet se a është në dijeni që Rexhep Selimi më 4 mars 2016 ka thënë se Gani Geci është vrasës serial, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Këtu po thotë që e paska quajt ashtu dhe në bazë të komunikatës, ndryshe nuk ke mujt me e quajt”, tha Geci.

Si rrjedhojë, avokati Luka Mishetiq pyeti dëshmitarin se a ka qenë vëllai i tij Ganiu i dënuar më përpara për vrasje.

“Ganiut-vëllait i kanë ndodhë do raste të improvizume prej këtij grupi që kanë tentu me e vra dhe është mbrojtë. E ka mbajtë dënimin, po është dënu 3 vite e gjysmë dhe e ka mbajtë dënimin. Në vetëmbrojtje nga një grup i mirëorganizuar dhe i paguar nga ky Shtab, nga këta njerëz, nga ky njeri që është këtu sot. Ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i tij, ai vrasësi”, tha Geci.

Dëshmitari pohoi se vëllai i tij, Gani Geci është i dënuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.

Përpara të gjithë kësaj, Mishetiq i tha dëshmitarit se për ZPS-në ai ka thënë që ata kanë pasur një problem me Rexhep Selimin në Jabllanicë sa i takon furnizimit me armë.

“Asnjë problem nuk e kemi pas. U kanë një mashtrim. Jena kanë tanë unik, i kam besu, s’u dalë qashtu. Kurrgjë nuk ka të keqe. Nuk është konflikt i madh ajo. S’është kurrgjë”, tha Geci.

Më pas, Mishetiq i tha dëshmitarit se në një intervistë më ’99-ën, Selimi ka thënë që Gani Geci është përpjekur që ta vriste.

“Ka qenë rreptësisht e kundërta. Ai ka qenë përfaqësues i LPK-së. Ne kemi qenë përfaqësues i i shtetit dhe LDK-së dhe ka pas mendime të kundërta. Me Rexhep Selimin jemi takuar disa herë edhe në Llaushë. Kam pas mendime krejt të kundërta. S’është konflikt që ki mendim të kundërt e as nuk është luftë”, tha Geci.

Geci tha se atë intervistë që e ka dhënë Rexhep Selimi ka gabuar dhe që një gjë të tillë duhet ta pranojë.

“Besoj që e pranon edhe vetë që ka gabu. Unë mendoj që duhet me e pranu që ka gabu dhe këto tjerat u panë dhe po shihen se kush, çka. Unë kam mendim të kundërt me Rexhep Selimin, rreptësisht. Ai ka qenë përfaqësues i majtë i LPK-së, unë jam i qendrës së djathë i LDK-së dhe i 90% e popullit të Kosovës”, tha Geci.

Mishetiq pyeti dëshmitarin për një deklaratë të tij në të cilën ai kishte thënë se Rexhep Selimi në intervistën e tij i kishte përsëritur fjalët e Hashim Thaçit kur ka thënë se “Vrasja e komandantit Sandokan është një ndër vrasjet tradhtare që janë me personat e ngjashëm me historinë ku tradhtarët vrasin burra me emër”.

Dëshmitari tha se Thaçi të njëjtat fjalë i ka thënë në komunikatën 59.

“Thaçi i ka thënë në komunikatën 59. Këto fjalë i ka thanë në komunikatën 59. Këto fjalë të Rexhep Selimit, komandanti Selimi i ka demantu. E ka djalë të mixhës Rexhën. Ka thanë që ka gabu dhe nuk është ashtu se çka ka thanë edhe e falënderojmë komandant Selimin kur e ka thënë një të vërtetë. E ky i ka thanë fjalët e Hashimit dhe ka gabu që ka fol edhe e ka vërtetu që ka gabu kur ka thënë”, tha Geci.

Geci u pyet gjithashtu për deklaratën e Rexhep Selimit ku kishte thënë se Ganiu ishte përpjekur që ta vrasë edhe atë në të njëjtin vend ku ishte vrarë Abedin Rexha.

“Nuk besoj që është ajo e vërtetë, pyetni Ganiun kur të vjen”, u përgjigj Geci.

Geci: Komunikata 59 është shkruar nga Thaçi

Fadil Geci thotë se komunikata 59 e cila njolloste vëllezërit Geci, është shkruar nga Hashim Thaçi.

Këtë gjë, Geci e tha të martën gjatë dëshmisë së tij në Hagë, duke u përgjigjur në kundërpyetjet e mbrojtjes së Thaçit përmes avokatit Luka Mishetiq, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“E kam ditë që Hashim Thaçi e ka shkru. Prej ditës të parë që e ka shkru, unë e kam ditë dhe i kam shku në shpi e i kam thanë ama përgjigjen për komunikatën 59. Ka thanë brenda ni muaji babai i tij që ta dha përgjigjen e kurrë s’ma ka dhanë përgjigjen”, tha Geci.

Arsyeja se pse s’e ka dhënë këtë përgjigje, sipas Gecit, është se Thaçi i ka dashur njerëzit e vdekur.

“Na jemi gjallë e ka mendu që edhe neve me na likuidu. Por, jemi këtu dhe na ka ruajt Zoti për me e thanë të vërtetën edhe me e shkru të vërtetën e jo rrenën. Vetëm të vërtetën e jo rrena”, tha Geci.

Avokati Mishetiq i tha dëshmitarit se në një rast Thaçi dhe Veseli kanë qenë ndërmjetësues në një mosmarrëveshje me Azem Sylën dhe Gani Gecin.

“Vëllai yt, Gani Geci e ka përdorur Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin si ndërmjetës për të ndërmjetësuar një mosmarrëveshje me Azem Sylën, kështu?”, tha Mishetiq.

Si rrjedhojë, dëshmitari tha se është e vërtetë që janë takuar. Krahas kësaj, avokati Mishetiq tha se kjo ka ndodhur më 2013 dhe se ata kishin pranuar që të akuzuarit të ishin ndërmjetësuese në mosmarrëveshjen që kishin me Azem Sylën.

“Është rregull e shqiptarit që kur nuk të pret i zoti i shpisë. I zoti i shpisë është vëllai i madh, Halili, unë jam i dyti jam, i treti Haxhia, i katërti, i pesti iu kom besu me folë me ta e jo unë. As në shpi timen kurrë nuk është pranu se e kam ditë çfarë është”, tha Geci.

Geci shtoi se takimi është bërë në Llaushë, jo në shtëpinë e tij, por të Jetullah Gecit i cili sipas tij është dajë i Adem Jasharit.

Mishetiq tutje pyeti dëshmitarin se a është e vërtetë që deri para këtij ndërmjetësimi nuk e kanë ditur se kush e shkroi komunikatën 59.

Dëshmitari insistoi sërish në përgjigjen e tij, duke thënë se e kanë ditur që prej ditës së parë dhe se e kanë pyetur të gjithë Shtabin.

“Azem Syla ka folë e ka thanë që unë e kam shkru. Azem Syla ka thënë që unë qëndroj mbas saj. Azem Syla ka thanë që unë qëndroj mbas saj. Pyetni se nuk e di a qëndron a nuk qëndron apo ka ndërru mendje edhe ai. Kur të vjen këtu pyetni, por publikisht ka thënë që unë qëndroj mbas kësaj, mbas një rrene”, tha Geci.

Edhe gjatë kohës së ndërmjetësimit, Geci tha se e kanë ditur që komunikata është shkruar nga vetë Thaçi.

“E kemi ditë, por kem dashtë me e ditë çka po thonë vetë se kanë folë rrena sa kanë mujt, kanë fol rrena e kanë kërku falje. Komunikatën e ka shkru Hashim Thaçi. A është e kjartë kjo tash? Këta është e kjartë për publik edhe për ty besoj se nuk ka nevojë më shumë se kush e ka shkru”, tha Geci.

Thaçi qeshet kur Geci flet për puthjen e dorës që pretendon se ia bëri ish-presidenti

Dëshmitari Fadil Geci u pyet sërish nga mbrojtësi i Hashim Thaçit, avokati Luka Mishetiq për një deklaratë që ai e kishte dhënë të hënën, e që kishte pretenduar se ky i fundi ia ka puthur dorën në një rast.

Por, teksa dëgjohej përgjigja e Gecit, në sallën e gjyqit Thaçi filloi të qeshte, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Fillimisht, Mishetiq pyeti nëse puthja e dorës tregon respekt.

“Tregon krejt diçka tjetër. Është njeri i rrezikshëm se kur menon që është në rrezik, tana i ban dhe burri që ta puth dorën është katastrof për ata. Për shokë të vet edhe për shoqni është katastrof me i lanë diçka në dorë. Kjo është e vërteta”, tha Geci.

Tutje, avokati Mishetiq tha se për dëshmitarin kur dikush i puth dorën është shenjë e armiqësisë.

Lidhur me këtë, ndërhyri prokurori James Pace i cili tha se ‘nuk është kjo pyetja dhe mos e përshtatni sipas dëshirës”.

Pace kundërshtoi sërish kur pas këtij rasti, Mishetiq pyeti dëshmitarin Geci se a e merr si shenjë armiqësie puthjen e dorës. Megjithatë, gjykatësi Charles Smith urdhëroi dëshmitarin që të përgjigjet duke mos u pranuar kundërshtimi.

“Nuk kam pa kurrë në jetë asi rasti dhe kanë mendu që situata është aq e ashpër qysh kanë ba vetë dhe unë nuk kisha pa kurrë në jetë dhe nuk kisha pa kurrë as sot asi rasti. Kurrë s’ka ba vaki kush me ma puth dorën. Femrat me ma puth dorën ia kam mërzi e jo burrat”, tha Geci.

Geci shtoi se Thaçi e ka bërë një gjë të tillë duke menduar që është në rrezik dhe që t’i ikte rreziku. Sipas tij, ai kurrë s’iu ka përgjigjur më dhe kurrë nuk është deklaru për komunikatën 59.

Përpara kësaj, dëshmitari u pyet se a është e saktë që në deklaratën që ka dhënë si dëshmitar nuk identifikon asgjë që ka thënë Hashim Thaçi, gjë të keqe për të apo për familjen Geci.

“Çka ka më të keqe se me e shkru komunikatën 59. Çka ka me të keqe, çka ka më të rëndë?! Çka ka më vrastare?!

Tutje, Mishetiq tha se për procesverbal po e thekson që Hashim Thaçi e mohon që ka pasur të bëjë komunikatën 59.

“Gjithë thuj të mirë veç shkruaje komunikatën. S’ka burra si ti e ju ka pri ofensivës serbe. Punë ma të poshtër a ka diçka”, tha Geci.

Si u pajtua që Thaçi nuk ka thënë asgjë të keqe lidhur me familjen e tij, por që komunikatën 59 e ka shkruar po ai.

Mishetiq- Gecit: Po i shmangesh pyetjes dhe po i bën bisht përgjigjes.

Mishetiq- Gecit: Po i shmangesh pyetjes dhe po i bën bisht përgjigjes

Mbrojtësi i Hashim Thaçit, avokatit Luka Mishetiq, derisa po e merrte në pyetje dëshmitarin Fadil Geci, i tha atij se po e kupton pyetjen, por që po i bën bisht përgjigjes së tij.

Këtë gjë, Mishetiq e tha kur dëshmitarin e pyeti lidhur me një deklaratë që ai e kishte dhënë për Zyrën e Prokurorit të Specializuar një javë më parë sa i takon pjesës që sipas tij, ai nuk e ka konsideruar veten si pjesë të UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Unë kam thënë që nuk e konsideroj veten pjesë të LPK-së e jo UÇK-së se UÇK-ja është e shenjtë e gjithë shqiptarisë-pjesë e asaj që i kam kontribu ma së shumti unë me familje e me shqiptarë të ndershëm gjithkah”, tha Geci fillimisht.

Dëshmitari mohoi se ka thënë një gjë të tillë për ZPS-në, pasi theksoi ai ka qenë pjesë e UÇK-së.

“Unë nuk kam qenë nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm të LPK-së që e ka quajt veten UÇK”, tha Geci, duke shtuar se asnjëherë nuk ka qenë nën komandën e Thaçit, Zyrapit ose personave të tjerë nga Shtabi i Përgjithshëm.

“A i the javën që shkoi Prokurorisë që një person që nuk e dinte se ishit me Ministrinë e Mbrojtjes do të mendonte se ishit ushtarë të UÇK-së”, pyeti Mishetiq, duke kërkuar përgjigje me ‘po ose ‘jo’.

Ndërsa, Geci gjatë përgjigjes së tij deshi që të bënte sqarime sa i takon kësaj pjese.

“Nuk ka pas asnjë përçarje. 99% një vend i UÇK-së deri sa kanë ardhë na kanë… në mbrojtje të institucioneve”, tha Geci.

Më pas, Mishetiq vazhdoi duke i thënë se ‘besoj që e kupton pyetjet që jam duke të bërë, por po i shmangesh dhe po i bën bisht përgjigjes”. Avokati vijoi duke i thënë se po e përsëritë për herë të tretë pyetjen e tij.

“Edhe gjyqtari edhe të gjithë ju këtu nuk po më kuptoni se çka po them, ishim unik. Një kemi qenë e s’kemi qenë tjerë derisa janë ardhë e na kanë përça këta prej Zvicre”, tha Geci.

Më pas ndërhyri gjykatësi Charles Smith III, duke i thënë dëshmitarit se detyra e tij është që t’i përgjigjet pyetjeve dhe një gjë të tillë nuk është duke e bërë.

“Në ketë rast është e domosdoshme që t’i përgjigjesh me po apo jo. A ia ke thënë këtë ZPS-së, kjo është pyetja dhe t’i mund të përgjigjesh me ‘po ose jo’. Kjo është detyrim për ty. Përgjigju që të vazhdojmë më tejë”, tha kryegjyqtari.

Ai shtoi se në këtë moment duhet t’iu përgjigjet pyetjeve që i bën avokati dhe në rast që më vonë dëshiron që ZPS-ja të bëjë pyetje sqaruese, atëherë do ta kenë mundësinë.

“Po më duket që nuk po i jepet kuptimi me ‘po’ dh e ’jo’ po met mangu. I nderuar gjyqtar po jet mangu dhe po i hupet kuptimi krejt”, tha Geci tutje.

Smith tha se është gabim dhe se kjo pyetje kërkon një përgjigje konkrete. Ndërsa, dëshmitari pohoi se një gjë të tillë e kishte thënë por që kuptimi ishte tjetër.

Tutje, dëshmitari Geci tha se nuk ka qenë i pranishëm kur delegacioni i politikanëve ka qenë në Qirez.

Ai u pyet për një libër që thuhet se e ka shkruar vëllai i tij, e që fliste për një urdhërarrest që e ka lëshuar Sylejman Selimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

“Nuk kam njohuri. Këtë e thotë vetëm ai që ka thanë. Ai vjen këtu edhe pyetni”, tha Geci.

Dëshmitari tha se për komunikatën 59, vëllai i tij Ganiu ishte informuar nga Milaim Zeka. Për këtë të fundit, dëshmitari tha se është nip i Llaushës, por asgjë të afërt nuk ka më atë. Tha se Zeka ishte i afërt me personat që sot gjykohen në Hagë, duke shtuar se edhe vetë gazetari ishte marksist-leninist.

Fadil Geci për Ramë Bujën: Më tha që ka hëngër plumb pse na ka mbrojtë neve

Dëshmitari Fadil Geci po vazhdon dëshminë edhe të martën në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ku tha se kur ka biseduar me Ramë Bujën lidhur me komunikatën e 59-të, ai i ka thënë që ka marrë plumb pse i ka mbrojtur vëllezërit Geci.

Më ka thanë që kemi bisedu në Shtab aty. Ai e di atë, por thotë që kam pas pasoja edhe unë pse kam folë për ju, bile më thotë se unë kam hangër plumb pse ju kam mbrojtë juve e ju keni pas të drejtë edhe ju mirë na e keni ba se keni pas të drejtë.

Ju kam thanë mani e nuk më kanë ngu, le ta bajnë me shnet e le të mbajnë përgjegjësinë”, tha Geci, duke shuar se Ramë Buja personalisht ia ka thënë këto fjalë.

Ndërsa, për deklaratën lidhur me shkruesin e komunikatës 59-të, dëshmitari tha se i qëndron prapa, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Mesazhi është i qartë: ai shqiptar që na ka njoftë mirë kush jem na e e ka shkru komunikatën 59, mundet me kanë tulifar nacie tjetër, por jo shqiptar. Mundet me e kontrollu me thanë që jam shqiptar, po në zemër e në gjak nuk mundet me kanë shqiptar. Këtë e kam thënë dhe është e vërtetë”, tha Geci.

Dëshmitari Geci u pyet edhe për Sabit Gecin, të cilin për ZPS-në e kishte quajtur bashkëfshatar dhe se sipas tij kanë qenë së bashku me një klasë.

“Unë mund të gaboj, por Sabiti ka qenë në burg për një aksident në komunikacion e që është dalë prej burgu më 1997, është kyç”, u shpreh Geci.

Musli Gecin dhe Hetim Gecin, dëshmitari tha se i njeh shumë mirë dhe për këtë të fundit ai tha se është dajë i Adem Jasharit.

Më pas, dëshmitarit iu prezantuan disa fotografi të cilat mbanin numra për secilin që ishte aty e që iu kërkua identifikim nga ana e tij.

“I njoh. Disa 2-3. Numri 5 është Rexhep Selimi. Numër 3, Sylejman Selimi dhe numër 2, ‘Kapuçi’ një hero i Kosovës. Po më del prej menje por na me këtë nofkë e kemi njohur të gjithë, komandant Kapuçin”, tha dëshmitari për njërën nga fotografitë.

Ai tha se Komandant Kapuçi është vrarë duke luftuar me armikun, prandaj edhe është hero dhe sipas tij të gjallët është vështirë sipas tij të jenë heronj.

Më pas, dëshmitarit iu prezantua një fotografi e dytë, e që tha se në numër 3 ishte Rexhep Selimi, ndërsa sipas tij me numër 2 mundet të jetë Abedin Rexha.

Geci tha se nuk e di se ku është realizuar fotografia, por që Rexhep Selimi i cili është i pranishëm në sallë, mund ta dijë më mirë.Edhe në një fotografi të tretë, Geci tha se është Rexhep Selimi e që mundet me qenë edhe Abedin Rexha, por që sipas tij nuk është i sigurt.

Ndërsa, në fotografinë e katërt, dëshmitari identifikoi dy vëllezërit Jashari (Sahit dhe Musë Jasharin), ndërsa për personat tjerë ai tha se nuk po i njeh.

Në prova materiale, u pranuan të gjitha fotografitë që iu prezantuan dëshmitarit.

Me kaq përfunduan pyetjet e Prokurorisë për këtë dëshmitar, për të vazhduar më pas me mbrojtjen e Hashim Thaçit, përmes avokatit Luka Mishetiq.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ZPS ka dorzuar një parashtrim ku ka kërkuar që t’i ndryshojë listën e provave dhe të fus tri prova të tjera që do t’i përdorë me dëshmitarin 04758 dhe gjithashtu ftoi trupin gjykues që të përdorte një kalendar të përshpejtuar.

Mbrojtja e viktimave nuk pati kundërshtime lidhur me këtë. Ndërsa, avokati i Veselit, Rodney Dixon tha se ju duhet që ta shikojnë dokumentin në mënyrë që t’i paraqesin parashtrimet e tyre.

Gjyqtatri Smith urdhëroi që një gjë të tillë të bëhet pas pushimit të orës 11:00 dhe si rrjedhojë palët do t’i paraqesin parashtrimet e tyre.

Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

---

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ndryshe, dje në Speciale ka filluar dëshminë Fadil Geci.

Prokurori James Pace ka theksuar se dëshmitari ka luftuar dhe ka mbajtur pozita të ndryshme, përfshirë poste udhëheqëse në LDK.

Geci është pyetur lidhur me komunikatën 59, e cila përfshin informacione mbi operacionet e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë. Ky është dëshmitari i 96-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Geci do ta vazhdojë dëshminë edhe sot nga ora 09:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat