Spahiu: Që Rusia mos të ketë dorë në BE, amerikanët në pikat kyçe i kanë vendosur njerëzit që s’manipulohen nga rusët

Aktuale

Spahiu: Që Rusia mos të ketë dorë në BE, amerikanët në pikat kyçe i kanë vendosur njerëzit që s’manipulohen nga rusët

Më: 23 tetor 2024 Në ora: 00:05
Nexhmedin Spahiu

Estonezi Riho Terras, i cili ka qenë mes tjerash edhe gjeneral i ushtrisë, do të jetë raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian nga radhët e grupit më të madh të parlamentar në PE, ai i Partisë Popullore Evropiane (PPE).

Pos tij, estonez është edhe Aivo Orav, i cili nga 1 shtatori mori detyrën e përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë.

Ndërkaq, ish-kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, deri në fund të këtij viti do të emërohet për shefe të re të diplomacisë evropiane.

Në lidhje me këtë ka folur profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu, i cili tha se në kohën kur lufta në Ukrainë dhe marrëdhëniet mes ShBA-së e Rusisë janë të tensionuara, atëherë amerikanët përkujdesën që në pikat kyçe brenda BE-së të jenë njerëz që s’do të mund të manipulohen nga Rusia.

“Kur marrëdhëniet mes ShBA-së dhe Rusisë ishin më të relaksuara, ajo kishte komoditetin që për të endur politikën mes Kosovës dhe Serbisë të vendoste njerëz në BE si Miroslav Lajçak e Borrell, nga vende që s’e kanë njohur Kosovën, sepse nuk ishte kjo një kohë kur qëndrimet e tyre personale mund të ishin të rëndësishme në proces”.

“Mirëpo në kohën kur është lufta në Ukrainë dhe marrëdhëniet me Rusinë janë të tensionuara dhe Rusia po përpiqet në çdo mënyrë që ta përçajë BE-në, që të ketë dorë brenda BE-së në procese të cilat po zhvillohen brenda BE-së, atëherë amerikanët përkujdesën që në këto pika të jenë njerëz që nuk mund të manipulohen nga Rusia”, tha Spahiu.

Më tej, sipas Spahiut, njerëz të tillë që s’do të mund të kishte ndikim Rusia në ta vijnë nga vende që kanë vuajtur nga sundimi rus.

“E sigurisht njerëz të tillë janë politikanë që vijnë nga vende që e kanë vuajtur sundimin rus, që janë estonezët, lituanezët, apo eventualisht polakët ose me marrëdhëniet me Serbinë, ku ta zëmë janë kroatët, që janë garanci që aty nuk mund të luhet ndonjë politikë pro-ruse”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat