Elezi: 9440 kërkesa janë pranuar nga diaspora

Aktuale

Elezi: 9440 kërkesa janë pranuar nga diaspora

Më: 23 tetor 2024 Në ora: 08:14
Valmir Elezi

Më 29 gusht 2024  është hapur aplikimi për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovë për zgjedhjet e reja, i cili do të përfundojë më 26 dhjetor 2024.

Mbi 9400 kërkesa nga mërgimtarët për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë regjistruar, derisa mbi 8 mijë janë aprovuar.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Deri më tani përmes platformës elektronike, janë pranuar rreth 9,440 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 8,716, ndërsa 716 të tjera janë refuzuar. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit”, deklaroi Elezi.

Elezi njoftoi se 4935 persona janë regjistruar për fletëvotimin me postë.

Ai tregoi edhe për aplikimet tjera që i kanë bërë mërgimtarët.

“Nga 8,716 aplikime të aprovuara, 2,757 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 1,024 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 4,935 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”, tregoi Elezi.

Por, ndryshe nga zgjedhjet e fundit qendrore, opozita në vend thotë se janë mobilizuar në diasporë dhe se presin rezultat ndryshe nga ai i 14 shkurtit të vitit 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat