“Ky është njeri i rrezikshëm” - Ndërlidhjet me komunikatën 59 dhe rastin Allaqi, çfarë dokumenti prezantoi Thaçi para prokurorisë për Gani Gecin?

Aktuale

“Ky është njeri i rrezikshëm” - Ndërlidhjet me komunikatën 59 dhe rastin Allaqi, çfarë dokumenti prezantoi Thaçi para prokurorisë për Gani Gecin?

Nga: M.L. Më: 23 tetor 2024 Në ora: 11:49 Përditësuar në ora: 12:58 më 23.10.2024
Foto ilustrim

“I bën dëm të mbrojturit tënd”, debat në mes Gecit dhe avokatit të Thaçit

Në një pjesë të seancës së të mërkurës, pati një debat në mes dëshmitarit Fadil Geci dhe avokatit të Hashim Thaçit, Luka Mishetiq.

Në një rast, dëshmitari i tha avokatit se një gjë që e tha ai nuk i bën mirë të mbrojturit të tij. Ndërsa, Mishetiq ia ktheu se me mbrojtjen e klientit të tij merret vetë ai dhe se Geci duhet të merret me gjërat që ai i din, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Me mbrojtjen e klientit tim merrem unë. Ti duhet të merresh me gjërat që do ta na tregosh që i di vetë. Më shumë vlerë ky koment. Faleminderit”, tha Mishetiq.

Këto deklarime, erdhën kur Mishetiq i tha dëshmitarit se gjatë pyetjeve të gjyqtarëve, ai i kishte ‘vënë gishtin’ një personi dhe jo një grupi si hartues të komunikatës 59.

Dëshmitari tha se Rexhep Selimi e ka thënë në televizion se Thaçi është hartuesi i komunikatës 59. Ndërsa, sipas tij, ZPS-ja e ka prezantuar në Hagë deklaratën e Selimit, ku thoshte se ka folur në telefon me Thaçin lidhur me këtë komunikatë.

Si rrjedhojë, Mishetiq e pyeti dëshmitarin se “a mendonte se ZPS-ja e ka rritë armiqësinë e tij ndaj Thaçit dhe se kjo armiqësi është bërë më e madhe sesa ka qenë më përpara me prezantimin e kësaj deklarate”.

“Mendoj që ki gabim, punën më të mirë që e ka ba është që na i ka ofru krejt mundësitë e mundshme që me e pa me sytë tu çka qysh. Është për mu vlerësu për punën e mirë që e ka ba. E kundërta e asaj që po thu ti. Nuk mendoj që si ekspert duhet me e thanë atë. Nuk i bën mirë as të mbrojturit tënd për me e thënë atë. I bën dëm”, tha Geci.

Pas kësaj, erdhi kundërpërgjigja e Mishetiq, i cili tha se është detyra e tij që të merret me mbrojtjen e klientit të vet.

“Me mbrojtjen e klientit tim merrem unë. Ti duhet të merresh me gjërat që do ta na tregosh që i di vetë. Me shumë vlerë ky koment. Faleminderit”, tha Mishetiq.

Ndër tjerash, Geci tha se qëllimi i Thaçit ka qënë që t’i asgjësojnë ata si familje.

“Ka mendu me na shfarosë. Ka mendu me shfarosë. Nuk kem kohë se kam shumë shembuj të tjerë për me tregu. Kjo është e vërteta. Me krejt familjen me na shfarosë”, tha Geci.

Me kaq përfunduan pyetjet e Luka Mishetiqit, të cilat ishin gjatë kohës shtesë ndërsa mbrojtja e Veselit dhe Selimit nuk pati pyetje.

Me pyetje shtesë vazhdoi mbrojtja e Jakup Krasniqit përmes avokatit Aiden Ellis.

Fadil Geci ka vërejtje për përkthimin në Hagë

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Fadil Geci u ankua për përkthimin në seancë, duke thënë se disa fjalëve po iu humb kuptimi.

“I nderuar kryetar i gjyqit, gjithçka është shembullore këtu po e shoh, te përkthimi e kam vërejtje se me një fjalë kuptimi në anglisht na del keq. Shqip po kuptohet mirë, në anglisht te përkthimi kam vërejtje që po na del, një kuptim ja hupum e na del pa kuptim. Për atë po kërkoj edhe njëherë se po na përzihet. Edhe për ju tani është zor me e kuptu se në shqip po thuhet po në anglisht…”, tha Geci.

Dëshmitari këtë e tha kur u pyet nga avokati i Thaçit, Luka Mishetiq për ndërmjetësimin që tani i akuzuari kishte bërë në një mosmarrëveshje në mes Gani Gecit dhe Azem Sylës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Pas përsëritjes së pyetjes, Mishetiq i tha dëshmitarit që sipas një artikulli, marrëveshja ndodhi pas një akuze që Gani Geci tha se Azem Syla ka urdhëruar vrasjen e tij (Gecit) më 2001-ën.

“Deklarimi i Azem Sylës që është e vërtetë që Shtabi e ka lëshu një komunikatë dhe 99% jo por 100% është ashtu, e ka çu deri tek ajo që na hale ishim tu bisedu se kush ka mujt me qenë mbrapa saj dhe ai incident është për qata dhe është bisedu për qat problem”, tha Geci.

Përpara kësaj, nga gjyqtari Fergal Gaynor, dëshmitari u pyet se nga e dinte për bisedën telefonike të realizuar në mes Rexhep Selimit dhe Hashim Thaçit. Por, ai tha se e ka kuptuar nga deklaratat televizive të Selimit, të cilat u prezantuan edhe në sallën e gjyqit.

“Nga deklarata e drejtpërdrejtë që e dha në televizion dhe deklarata që e pam dhe e dëgjum dje e Rexhep Selimit. Është krejt bindëse. Për mua 2 milionë % është bindëse. Dy personat; Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi. I ka thanë mos e shkruaj se nuk është qashtu për qat pjesë. Ka thanë që du me e shfaros atë familje dhe ai ka qenë qëllimi. Na ka dëmtu shumë familjen tonë. Dy të vrarë. Vëllezërit e plagum” , tha Geci duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Gaynor.

Po ashtu, Geci tha se Rexhep Selimi ka prituar shumë ta thotë se komunikata 59 është shkruar nga Thaçi, por që e ka thënë një të vërtetë.

“Është mirë, shumë mirë që e ka thënë dhe kemi marrë frymë pak lirshëm. Kam pas qef me e pa me sy të mi atë person që më ka njoftë mirë dhe ka fol në këtë formë për familjen time”, tha Geci.

Geci për Thaçin: Nuk kam thënë rastësisht që ky është njeri i rrezikshëm

Fadil Geci, gjatë dëshmisë së tij në Hagë, të mërkurën tha se nuk ka thënë rastësisht që Hashim Thaçi është njeri i rrezikshëm.

Një gjë të tillë, ai e tha kur u ballafaqua me deklaratat e Thaçit për autoritetet e drejtësisë, ku kishte përdorur një raport mjekësor të Gani Gecit për të demantuar deklaratat e tij publike që përmbanin akuza për tani të akuzuarin, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Edhe ju vlerësoni vetë çfarë dredhish i bën ky. Çfarë pabesish i bën ky. Nuk iu kam thanë rastësisht që është njeri i rrezikshëm me këto dredhish, por tanave iu vjen fundi. Ganiu është shnosh tash”, tha në Geci ndër tjera në deklaratë.

Por, duke e ndjekur në mënyrë kronologjike të gjithë këtë situatë, fillimisht gjyqtari Guénaël Mettraux lexoi deklarata e Thaçit ku kishte thënë se rasti i Behadin Hallaqit është përdorur për qëllime të caktuara politike nga persona të njëjtë që flasin për komunikatën 59.

“Zoti Thaçi thotë se çështja e zotit Hallaqi është bërë politike dhe është përdorur për qëllime të caktuara politike nga të njëjtit njerëz që flasin për komunikatën 59. Ai thotë ‘që unë jam në dijeni që është postuar në internet nga Rexhep Selimi. Jam munduar që të gjej evidencë të deklaratave të zotit Selimi çka deklaron në kohë të ndryshme me deklarime të ndryshme por edhe të bashkëpunëtorëve të tij politik që kanë bë shkresa politike kundër meje”, tha gjyqtari.

Dëshmitari tha se janë kundërshtarë politik të Rexhep Selimit dhe jo bashkëpunëtorë.

“Jo kurrë. Jemi kundërshtarë politik në ekstrem”, u përgjigj Geci.

Gjyqtari vijoi duke lexuar sërish nga deklarata e Thaçit i cili kishte ofruar dëshmi kinse për të treguar karakterin e Rexhep Selimit.

“Për të treguar karakterin e zotit Selimi do të doja të iu dorëzoja këtë dëshmi sepse ndërlidhjet me 59 edhe të rastit të Hallaqit, zoti Selimi është i ndërlidhur me të dyja sepse u tha që edhe ai ka bërë deklarata publikisht dhe ju e cituat, por ndërlidhet edhe me intervistimet e tij tek organet e drejtësisë në Kosovë lidhur me zotin Hallaqi”,  lexoi gjyqtari.

Si rrjedhojë, gjyqtari thotë se gjatë kësaj interviste, Thaçi thotë se “dua t’ju jap diçka që lidhet me Gani Gecin”, e që e prezanton artikullin ku thoshte se “Geci është vrasës serial” dhe deklarata pastaj vijon me një raport mjekësor të Gecit.

“Zoti Thaçi thotë se kjo ka të bëjë përsëri me komunikatën 59. Zoti Gani Geci ka dhënë deklarata të ndryshme publike dhe dua t’ju jap një dokument. Unë kam marrëdhënie konstruktive, megjithatë dua që ju të keni një panoramë me këtë person. Pastaj ka një diskutim sa i takon një raporti mjekësor që ka të bëjë me gjendjen shëndetësore të vëllait tuaj. Do t’ju bëj një pyetje në lidhje me këtë. Megjithatë për të përfunduar, zoti Thaçi thotë se zoti Geci ka thënë publikisht që është intervistuar nga ju, ka përmendur emrin tim në publik sepse emri im është përmendur në raste të ndryshme nga ky zotëri dhe e ndjej të detyrueshme që t’ua jap këtë dokument. Është një dokument që mund të gjendet nga gjithkush në internet. Nuk po e akuzoj, nuk po e inkriminoj. Nuk po bëj asgjë të tillë, por thjesht po mundohem të sqaroj se për kë po bëhet fjalë këtu”, tha gjyqtari.

Për të biseduar lidhur m këtë raport mjekësor, dëshmitarit iu tha se mund të bëhet edhe në seancë private, gjë të cilën e kundërshtoi Geci.

Në seancë publike, Geci tha se në atë dokument thuhet se vëllai i tij ka pasur tronditje të forta psiqike në momentin kur ka ndodhur një vrasje gjë, për të cilën Ganiu është dënuar.

“Jo në seancë private kurrqysh, vetëm publike. Le të dinë të gjithë se çka ka thanë e çka ka dashtë me thanë. Vëllai im ka pasur një proces gjyqësor që është dënu me 3 vjet e gjysmë burg dhe vetëm shife atë dokument mjekësor, është vlerësu që në momente vendimtare pas gjithë këtyre traumave që i ka pas ai, ai është shumë i fortë. Në dokument thuhet që ka pas tronditje të fortë psiqike në momentin që e ka pas rastin. Atë dokument që është e ndalume me tana të drejtat, e ka marrë me e ba publik, ky edhe me e zhvlerësu intervistën që e ka dhanë Gani Geci, po nuk e ka ditë që është Fadili- vëllai i tij që është shnosh si topi edhe është këtu. Këtë s’e ka ditë. Ka mendu që Gania është vetëm. Gania nuk është vetë. Gania është shnosh tash. Ka pas tronditje po është shumë psiqikisht i fortë”, tha Geci.

Si rrjedhojë, dëshmitari Geci e quajti të rrezikshëm dhe të pabesë Thaçin, me arsyetimin se përdori në mënyrë joligjore dokumentet mjekësore të vëllait të tij.

“Nuk është e drejtë. E ka shkelë ligjin. E ka marrë e ka shfrtyëzu për me e qit publik përmes televizioni. Është në padi televizioni i RTK-së ku ky u kanë kryetar i shtetit që e ka marrë dokumentin që është e ndalume me e marrë. Për këtë do të paditet edhe ajo edhe ky. Edhe ju vlerësoni vetë çfarë dredhish i bën ky. Çfarë pabesish i bën ky. Nuk ju kam thanë rastësisht që është njeri i rrezikshëm me këto dredhish, por tanave iu vjen fundi. Ganiu është shnosh tash. Ka pas tronditje. Është dënu, e ka kry burgun, me sukses e ka kry burgun, tash është në liri dhe do të vjen të bisedoj me ju për të gjitha”, tha Geci.

Tutje, Geci tha se as kjo deklaratë e Thaçit nuk e ndryshon bindjen e tij se kush është autori i komunikatës 59.

Gjatë pyetjeve të tij, përpara kësaj teme, gjyqtari iu kthye sërish pyetjeve për komunikatën 5, ku iu referua një dokumenti i cili fliste në emër të UÇK-së.

Sipas gjyqtarit Mettraux, në paragrafin e fundit të atij dokumenti thuhet “Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së i paraqet ngushëllime familjes Rexha dhe bashkëluftetarëve të tij”. Andaj, dëshmitari u pyet se çfarë e bën të mendojë që ky dokument është hartuar nga një person nga Shtabi ose një grup personash.

“Unë e besoj shumë që ata që e kam thënë është e vërtetë dhe e arsyetoj në këtë formë; Janë dy persona; Rexhep Selimi dhe Hashim Thaçi. Këta të Shtabit, të tjerë nuk dinë në atë punë që është lëshu në emër të tyne, që thotë Rexhep Selimi më ka thirrë në telefon dhe i kam thanë “qikjo pjesë nuk është e vërtetë” , ka thanë “e di po du me i shfaros krejt, e di”. Këta dy persona janë këtu. Ky thotë që ky më ka thanë qeshtu dhe është e vërtetë që ata tjerët veç ia kanë miratu e s’kanë ba za hiç. Kjo më bind 100%, kjo duhet të na bind tanve se kjo është një e vërtetë dhe vetëm e vërtetë”, tha Geci.

Seanca kaloi në sesion privat me arsyetimin e mbrojtjes së dëshmitarit, kur tema ishte tek Cen Desku, Jakup Kastrati dhe përshendetja me grusht e Jakup Krasniqit, të cilën dje Geci e përmendi në seancë.

Ndryshe, gjatë pyetjeve në seancë, gjyqtari ia prezantoi dëshmitarit një deklaratë të Jakup Krasniqit të cilën e kishte dhënë në njërin prej rasteve në ish-Tribunalin e Hagës për Jugosllavinë, ku kishte folur për deklaratën e shtypit që ishte lëshuar në nëntor 1998 nga Drejtoria e Policisë Ushtarake të UÇK-së dhe Shtabi i Përgjithshëm i saj.Sipas gjyqtarit, kjo deklaratë për shtypi kishte të bënte me arrestimin dhe ndalimin e Jakup Kastratit, Cen Deskut dhe me ekzekutimin e Ramiz Hoxhës dhe Selman Biniqit.

Gjyqtari Mettraux tha se Jakup Krasniqi kishte deklaruar se nuk ka dijeni për këtë dokument, e që tashmë i akuzuari kishte thënë që di më shumë për lirimin e tyre sesa për arrestimin.

“Është e vërtetë që lufta speciale është zhvilluar nga disa individë dhe jo vetëm nga ata njerëz që ishin të armatosur e që ishin futur në ushtri, por kishte edhe civilë sepse edhe në UÇK kishte ish-oficerë të Ushtrisë jugosllave që kishin marrë pjesë në Shërbimin Sekret të ushtrisë jugosllave. Kishte njerëz që ishin ndëshkuar dhe akuzuar për vepra penale dhe do të doja të thoja që mbas ofensivës së verës, këta njerëz i kanë dorëzuar armikut 5-6 mijë armë. Është një fakt i njohur rasti për shembull kur armët janë dorëzuar në zonën e Dukagjinit nga Tahir Zemaj. Dorëzimi i këtyre armëve vazhdoi edhe në një masë më të vogël edhe në Komunën e Istogut dhe Komunën e Therandës. Kishte njerëz që kërkuan dorëzimin e armëve edhe në Malishevë dhe kjo është bërë nga Jakup Kastrati dhe Cen Desku dhe në fillim dyshohet se këta njerëz iu kishin bërë thirrje shumë ushtarëve që të dorëzonin armët”, lexoi gjyqtari sqarimin e Jakup Krasniqit.

Lidhur me këtë deklarim të Kransiqit për Tahir Zemajn, u pyet edhe dëshmitari, i cili tha se tani i akuzuari ka bërë gabim që kishte folur ashtu.

“Unë mendoj, masi është komentim do të dha mendimin tim çka unë mendoj. Tahir Zemaj ishte profesionist. Tahir Zemaj i iku luftës vëlla-vrasje. Tahir Zemaj paska thanë Jakupi që paska pas diçka penal, por edhe nëse ka pas penal, ushtaraku na vyn për atë ditë, por mbas lufte do të përgjigjet për ato vepra prapë. Mendimi im. Do të thotë, ai e din ma mirë se Jakupi e Fadli se qysh duhet me u sjellë e qysh duhet me u mbrojtë shteti. U kanë shumë i vlefshëm, por gabim e ka që i ka thënë këto fjalë”, tha Geci.

Geci tutje tha se Tahir Zemaj ka qenë një personalitet që i është dashur Kosovës në ato kohë.

“Është e mundshme që ka qenë në Ushtrinë jugosllave. Ka qenë në Ushtrinë jugosllave e mund të jetë edhe ashtu siç ka thënë Jakup Krasniqi, por ka qenë personalitet që i ka vy Kosovës”, tha Geci.

Në këtë pjesë, ndërhyri mbrojtja e Jakup Krasniqit e përfaqësuar nga avokati Aiden Ellis, duke thënë se dëshiron që të ngre një çështje pa praninë e dëshmitarit.

Kur doli dëshmitari, Ellis tha se problemi që kanë ata është se dëshmitari nuk ka njohuri personale dhe përgjigja e fundit që ai dha përbën spekulim. Tha se pyetjet e tilla duhet t’i bëhen dëshmitarëve që kanë njohuri direkte dhe jo për të tjerët.

Kurse, gjyqtari u shpreh se e ka pyetur dëshmitarin nëse kishte dijeni për këtë gjë dhe si rrjedhojë u soll sërish dëshmitari në sallë.

Tutje, Geci u pyet nëse Jakup Krasniqi e njihte Jakup Kastratin, Cen Deskun dhe Tahir Zemajn që nga koha e paraluftës.

“Unë mendoj që Jakup Kastratin dhe Cen Deskun i ka njoftë mirë. Tahir Zemen nuk besoj që e ka njoftë, por ky e dinë më mirë se unë. Kurse, me këta të dy (Deskun dhe Kastratin) ka punu bashkë se kanë qenë veprimtar të LDK-së dhe i ka njoftë mirë”, tha Geci.

Geci tha se për ngjarjet në Qirez ka biseduar vetëm me Mehdi Bardhin dhe jo me dikë tjetër.

Geci pyetet për dallimet në mes LPK-së dhe LDK-së: Kundërshtimi deri tek jeta, Zemaj u vra në Kosovë e ministri Krasniqi në Tiranë

Nga: M.L.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të mërkurën po vazhdon dëshminë dëshmitari i 96-të i Zyrës së Prokurorit të Spezializuar (ZPS), Fadil Geci i cili mban edhe kodin W04240 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Geci tha se dallimet mes Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kanë qenë të mëdha, duke shtuar se Tahir Zemaj dhe ministri Ahmet Krasniqi ishin vrarë.

Këtë deklarim ai e bëri derisa po merret në pyetje nga trupi gjykues i përfaqësuar nga gjyqtari Guénaël Mettraux, i cili u fokusua tek dallimet në pikëpamjet e LPK-së dhe LDK-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Geci tha se kishte pasur raport të mirë me Tahir Zemajn, kurse u pyet se çfarë i kishte thënë Zemaj atij lidhur me faktin që Rexhep Selimi dhe Hashim Thaçi e kundërshtonin atë të jetë komandant i një nënzone.

“Prej gjithçkafit që ka qenë vlerë janë frigu që po ua merr vlerën, autoritetin dhe këta nuk ekzistojnë kur vetet ai që është kanë gabim i madh. Është kanë gabim. Ai (Tahir Zemaj) ka mendu që këta po e kundërshtojnë se Tahir Zemaj ishte në kuadër të ministrit Ahmet Krasniqi e këta e kanë kundërshtu ministrin Ahmet Krasniqi dhe ministri u vra në Tiranë. Ministri u vra në Tiranë, edhe Tahir Zemaj është vra në Kosovë. Kjo është kundërshtimi deri tek jeta. Edhe Ibrahim Rugova shpëtoi. Veç Zoti e shpëtoi”, tha Geci.

Krahas kësaj, dëshmitari fillimisht u pyet për objektivat kryesore që kishte Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK) gjatë periudhës së paraluftës e tutje.

“Objektivat kryesore të LDK-së ishte shteti i Kosovës, pavarësia e Kosovës dhe përbërja e institucioneve me radhë brenda mundësive që i kishim ashtu, brenda kushteve të regjimit. E kemi mbajtë referendumin për pavarësinë e Kosovës, e kemi mbajtë deklaratën për pavarësi, Kushtetutën e Kaçanikut… Jemi kanë popull dorëthatë, u shkatërru gjithçka e jemi mundu me e ruajt popullin”, tha Geci.

Geci tha se Lidhja Demokratike e Kosovës kishte rrënjë të thella në popullsinë shqiptare.

“Në LDK deri në 800 mijë anëtarë janë regjistru në atë kohë dhe e ka luajt rolin e shtetit brenda kushteve të jashtëzakonshme”, shtoi Geci.

Dëshmitarit iu kërkua që të bëjë dallimin në mes pikëpamjeve të LPK-së dhe LDK-së.“LPK ishte organizatë ilegale që për kohën ishte e pranueshme, kurse LDK-ja ishte e hapur. Çdo gjë që filloi LDK-ja ishte transparente”, tha Geci.

“Orientimi i LPK-së ishte i majtë marksist-leninist. Një rrugë që nuk ia ka pa hajrin askush e shqiptaria hiç. Ka qenë drejtim i dëmshëm. Drejtimi marksist-leninist te Rusia e kanë pas kryet. Ideologjia ka qenë asi soji se kanë mendu që ma të mirët. Kanë vuajt, kanë hjek nëpër burgje edhe kurrfarë mjeti s’u kanë që e zgjedh problemin e Kosovës”, theksoi tutje ai.

Gjyqtari pyeti dëshmitarin se a e pranonte LPK-ja autoritetin e Qeverisë, Parlamentit dhe Presidencës që kishte mbështetur LDK-ja.

“Kurrë hiç. Këtu është krejt dallimi. Ua ka nxanë frymën dhe të gjithë personat që kanë mendu që ua kanë nxanë frymën dhe kanë vlerë e autoritet duhet më i likfudu. Në fund, edhe Presidenti u kanë i rrezikum dy herë, veç Zoti e ka shpëtu. Ka pas atentat. Njëjta procedurë prej nivelit qendror deri në nivelin lokal”, u përgjigj Geci.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020

----------

Edhe sot po vazhdon dëshmia e Fadil Gecit në Hagë. Gjatë seancës së sotme, u paraqitën para Gjykatës disa deklarata të Thaçit, i cili akuzoi Selimin për manipulime politike lidhur me çështjen Allaqi.

Prokurori theksoi edhe deklaratën e Thaçit, ku ka përmendur një raport mjekësor që lidhet me Gani Gecin, duke provokuar reagime të ashpra nga dëshmitari Fadil Geci.

Ai e cilësoi veprimin e Thaçit si keqpërdorim të informacionit, duke nënkuptuar se ai do të padisë ish-kryeministrin për këto akuza. Seanca vazhdon të ngjallë tensione dhe debate të ashpra ndërmjet palëve.

Pjesë nga seanca:

A e dini kush është Behajdin Allaqi

Geci: Nuk kam ndejt me të kurrë, e di kush është, një veprimtar i vlerësuar i LPK-së dhe një njeri që ka punuar në atë drejtim shumë dhe që ka pas kundërshtime me Hashim Thaçin edhe kjo është publike përmes mediave e kam pa. Më shumë nuk di për të.

Prokurori: Z. Thaçi jep një përgjigje për Prokurorinë dhe pjesa e parë që dua t’ua tregojë fillon në rreshtin 20 të kësaj faqeje. Z. Thaci thotë se çështja e z. Allaqi është politike dhe është përdorur për motive të caktuara politike dhe qëllime të caktuara politike nga të njëjtit njerëz që janë marrë me komunikatën 59 dhe për t’njëjtit njerëz që flasin për komunikatën 59. Ai thotë që unë jam në dijeni që diçka është postuar në internet nga Rexhep Selimi jam munduar të gjej evidencë të deklaratave të z. Selimi çka deklaron për këtë çështje në kohë të ndryshme me deklarime të ndryshme por edhe të bashkëpunëtorëve të tij politikë që kanë bërë adresime politike kundër meje.

Pyetje: Ju apo anëtarët e tjerë të familjes suaj a janë bashkëpunëtorë politikë të Rexhep Selimit, me aq sa dini ju.

Geci: Kurrë, jemi kundërshtarë politik në ekstrem.

Pyetja: Më pas z. Thaçi thotë se me aprovimin dhe këshillimin e ambasadorit Prosper dhe në konsultim me të jam munduar të gjej deklarata dhe jam i lumtur që t’ua jap këto deklarata përfaqësueve tuaj në Prishtinë. Unë kam vetëm një pjesë të asaj që desha t’ua prezantoj në raport me ato deklarata, sikurse e thashë nuk po e inkriminojë askënd por dëshiroj që ju ta keni të qartë këtë çështje. Thaçi pyetet se a është fjala për z. Selmi dhe Thaçi thotë po, sepse flet për rastin Allaqi, nuk flet por ka nënshkruar diku diçka dhe e di që jemi intervistuar të dy në një proces hetues në Prishtinë për këtë rast.

Z. Thaçi regjistrohet duke thënë: Për të treguar karakterin e z. Selimi do të doja t’iu dorëzoja këtë dëshmi sepse ndërlidhjet me komunikatën 59 dhe rastit Allaqi, pra z. Selimi është i lidhur me të dyja sepse sikur u tha ai ka bërë edhe deklarata publikisht dhe ju e cituat. Por, që ndërlidhet edhe me intervistimet e tij tek organet e drejtësisë në Kosovë lidhur me z. Allaqi.

Më tej thuhet, për këtë arsye dëshiroj të prezantoj atë që e di unë, të prezantoj opinionet e tij cka thotë për komunikatën 59 në kohë të ndryshme, interesa dhe motive të ndryshme politike qysh i ka pasur por pasi që lidhet me emrin e Gani Gecit, gjithashtu dua t’iu jap diçka në lidhje me atë çka flet ai për Gani Gecin.

Më pas z. Thaç diskuton artikullin që ju e patë dje, që pretendohet të jetë shkruar nga Rexhep Selimi, lidhur me faktin që Rexhep Selimi ka thënë që vëllai juaj është vrasës serial. Pastaj, z. Thaçi përsëri thotë që kjo ka të bëjë përsëri me komunikatën 59. Z. Gani Geci ka dhënë deklarata të ndryshme publike dhe dua t’iu jap një dokument. Pastaj ka një diskutim të një raporti mjekësor që ka të bëjë me gjendjen shëndetësore të vëllait tuaj.

Për të përfunduar: Z. Thaçi thotë që z. Geci së pari ka thënë publikisht që është intervistuar nga ju, ka përmendur shpesh emrin tim në publik sepse emri im është përmendur në raste të ndryshme nga ky zotëri dhe e ndjejë të detyrueshme t’ua jap këtë dokument. Është dokument që mund të gjendet nga çdo kush në internet. Nuk po akuzoj për asgjë nuk po inkriminoj, por thjeshtë po mundohem të sqaroj se për këtë bëhet fjalë këtu.

A e dini se për çfarë raporti mjekësor që lidhet me vëllain tuaj flitet këtu?

Geci: Le ta dinë të gjithë se çka ka thënë. Vëllai im ka pasur një proces gjyqësor që është dënuar tre vjet e gjysme burg, dhe atë dokument mjekësor është vlerësuar se në momente vendimtare pas gjithë këtyre traumave që i ka pasur ai, në dokument thuhet se ka pasur tronditje të fortë psiqike për momentin që e ka pasur atë rastin dhe atë dokument që është e ndaluar me të gjitha të drejtat e ka marr me e ba publik ky (Thaçi) për ta zhvlerësuar intervistën që e ka dhënë Gani Geci. Por, nuk e ka dit ky që është Fadili vëllai i tij që është shëndosh si topi. Ka menduar që Ganiu është vetëm, Ganiu nuk është vetëm, është shendosh dhe psiqikisht shumë i fortë. Për këtë do ta padisim.

Vlerësojeni edhe ju vet se çfarë dredhishë dhe pabesish i bënë ky. Nuk iu kam thënë rastësisht se ky është njeri i rrezikshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat