​Flet Geci pas padisë që ia bëri ministrit Peci: Akuzat ndaj meje të sajuara dhe tendencioze

Aktuale

​Flet Geci pas padisë që ia bëri ministrit Peci: Akuzat ndaj meje të sajuara dhe tendencioze

Më: 23 tetor 2024 Në ora: 12:53
Fehmi Geci

Drejtori i pezulluar përkohësisht i Institutit Bujqësor të Kosovës, Fehmi Geci, për herë të dytë ka paditur për shpifje dhe fyerje ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.

Geci ka deklaruar se prej kur në krye të Ministrisë së Bujqësisë është emëruar si ministër Faton Peci vazhdimisht ai e ka fyer dhe ka shpifur karshi tij.

Shkak tjetër i kësaj padie, sipas Gecit është një deklaratë që ministri Peci e kishte dhënë në Kuvendin e Kosovës në shtator të këtij pas pyetjes që deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Mirlinda Tishukaj-Sadiku lidhur me projektin e invertarizimit të tokave bujqësore.

Ai tha se edhe në tetor të vitit të kaluar ka deponuar padi personalisht me akuza të njëjta për ministrin, Peci.

Geci: Ministri Peci ka shpifur ndaj meje dhe më ka goditur personalitetin tim

 

“Prej 2021, prej që ka ardhur në krye të ministrisë vazhdimisht nëpër çdo medium ka shpifur dhe ka fyer edhe për menaxhimin e keq të Institutit dhe në adresën time personale edhe në vitin e kaluar në tetor 2023 ia kam bërë padinë e parë personalisht. Kurse, padia e dytë që është bërë dje është bërë për arsye të shpifjes në kuadër të parlamentit të Kosovës.. Nëse në nivel Kuvendi në institucionin më kredibil më të lartë të vendit publikisht shpallesh prej një ministri si abuzues dhe si keqpërdorues i një ndër projektit kapital është e papranueshme dhe besoj që jo vetëm është e papranueshme, edhe në familje edhe tek bashkëpunëtorët të brendshëm dhe të jashtëm më ka rrëzuar personalitetin, e ka goditur personalitetin tim”, theksoi ai në telefon.

Drejtori i pezulluar përkohësisht i Institutit Bujqësor, Fehmi Geci thotë se padia e tij është e mbështetur në prova dhe dëshmi që përfshijnë të gjitha shpifjet që ministri i Bujqësisë, Faton Peci i ka adresuar në drejtim të tij.

Lidhur me akuzat që ministri Peci i ka bërë karshi Gecit, ky i fundit tha se të gjitha janë të sajuara dhe me tendencë.

Geci: Akuzat ndaj meje janë të sajuara dhe me tendencë

“Të gjitha provat i kam me dëshmi edhe kur e kam bërë padinë e parë vitin e kaluar në tetor, edhe tash të gjitha provat i posedoj....Absolutisht asnjë bazë nuk e ka pas, komplet është e sajuar dhe komplet është me tendenca dhe komplet është e pabazuar as në argument as në bazë të veprimeve të mija që i kam cekur dhe përgjegjësive që i kam pas në nivel të drejtorit të Institutit. Prej 2021 unë kam tentuar disa herë takime me bë me ministrin Peci dhe me njoftua mbi gjendjen jo të mirë në Institutit Bujqësor të Kosovës, nuk ka pranuar. Në fund të vitit 2021 iu kam drejtuar me shkresë zyrtare ku i kam futur edhe akterët tjerë qeveritar dhe të sigurisë sepse nëse thuhet që një institucion ka abuzim dhe keqpërdorim të projekteve ajo reflekton dhe koiçidon tek një denoncim penal. Dhe nuk ka shkresë që i kam dërguar Faton Pecit zyrtarisht që nuk i kam futur edhe kryeministrin edhe Prokurorinë e Shtetit”, tha ai.

Për më tepër, avokati i Fehmi Gecit, Hajzer Salihu tha për KosovaPress se pavarësisht që ministrit të Bujqësisë i kanë kërkuar që të tërhiqet nga akuzat nuk kanë marr asnjë përgjigje prandaj kanë vazhduar me padi.

Salihu tha se akuzat që ministri Peci i ka adresuar në drejtim të klientit të tij nuk qëndrojnë.

“Pavarësisht që ne i kemi dërguar Pecit një kërkesë më herët dhe i kemi dëshmuar që deklarimet e tij janë të pavërteta dhe që të tërhiqet nga ato dhe të kërkoj falje publike në mënyrë që mos të ndjekim procedurat tutje dhe i njëjti nuk është përgjigjur fare dhe jemi detyruar të parashtrojmë padi pranë gjykatësi që përmban këto elementet do t’i ketë në shqyrtim dhe do të vërtetoj se zotëri Peci kur ka deklaruar se Geci është ngritur aktakuzë lidhur me projektin e tokave bujqësore ka deklaruar pa fakte dhe dokumente sepse asnjëherë ndaj tij nuk është ngritur aktakuzë për një projekt të tillë dhe asnjëherë nuk është marr në pyetje nga Prokuroria në cilësinë e të dyshuarit, në këtë proces ka qenë në cilësinë e dëshmitarit ku i kemi dorëzuar edhe provën dhe faktet që vërtetojnë këtë ligj....Prokuroria në Pejë edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë që kanë qenë si të dyshuar i ka pushuar hetimet, nuk qëndron asnjë fakt apo argument”, tha ai.

Mbrojtësi i Gecit tha se kompensimi që është kërkuar prej kësaj padie është në vlerë 45 mijë euro, dhe synon sensibilizim ndaj politikanëve që të kenë kujdes në deklarimet publike.

“Kërkesa është bërë që të kompensohet dëmi jo material në vlerë prej 45 mijë euro. Ajo ka të bëjë më tepër si çështje satisfaksionit për të sensibilizuar edhe politikanët tjerë edhe ata që e kanë momente që duan të shpifin apo fyejnë për dikë që të kenë kujdes në këto raste”, theksoi ajo.

Në bazë të padisë së paditësit Geci, ministri i Bujqësisë, Faton Peci përmes deklarimeve të tij ka shkelur ligjin Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes dhe ligjin për Marrëdhëniet dhe Detyrimet.

“Më datën 12.09.2024 i padituri Faton Peci, në cilësinë e Ministrit në foltoren e Kuvendit të Kosovës duke iu përgjigjur deputetes, Mirlinda Tishukaj-Sadiku ka shpifur dhe fyer për personalitetin e paditësit, Fehmi Geci kur ka deklaruar se “Projekti për inventarizimi ne tokave bujqësore në vlerë prej 1.5 milion euro është një ndër projektet më abuzive dhe flagrante që unë kam gjetur në Ministrinë e Bujqësisë., ….si rezultat i veprimeve që unë i kam ndërmarrë si ministër, pro edhe mekanizmat e drejtësisë, aktualisht ish-Drejtori i Institutit Bujqësor është i suspenduar dhe me aktakuzë të ngritur be bashkë me të edhe 433 zyrtarë të tjerë për shkak të abuzimit flagrant që kanë bërë me këtë projekt”, thuhet në padinë që tashmë Geci e ka deponuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

KosovaPress ka tentuar të kontaktoj ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrin Peci, por nuk ka qenë i qasshëm. Madje, as këshilltarët e tij nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me këtë padi.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, të datës 12 shtator 2024, ministri Peci kishte thënë se projekti në vlerë prej 1.4 milionë euro është një ndër projektet më abuzive dhe flagrante.

“Projekti në vlerë prej 1.4 milionë euro është një ndër projektet më abuzive dhe flagrante që unë kam gjetur në Ministrinë e Bujqësisë. Në këtë projekt në bazë të të gjeturave të raportit të auditorit dhe denocimeve që i kemi bërë vazhdimisht, del se është njëra prej projekteve më abuzive në kohën e qeverive të kaluara. Si rezultat i veprimeve që unë i kam ndërmarrë si ministër, por edhe mekanizmat e drejtësisë, aktualisht ish-drejtori i Institutit Bujqësor është i suspenduar dhe me aktakuzë të ngritur dhe bashkë me të edhe tre zyrtarë të tjerë për shkak të abuzimit flagrant që kanë bërë me këtë projekt”, ka thënë Peci.

Nga tetori i vitit të kaluar Fehmi Geci është pezulluar përkohësisht nga detyra si drejtor i Institut Bujqësor të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat