“I bën dëm të mbrojturit tënd”, debat në mes Gecit dhe avokatit të Thaçit

Aktuale

“I bën dëm të mbrojturit tënd”, debat në mes Gecit dhe avokatit të Thaçit

Më: 23 tetor 2024 Në ora: 12:55
Foto ilustrim

Në një pjesë të seancës së të mërkurës, pati një debat në mes dëshmitarit Fadil Geci dhe avokatit të Hashim Thaçit, Luka Mishetiq.

Në një rast, dëshmitari i tha avokatit se një gjë që e tha ai nuk i bën mirë të mbrojturit të tij. Ndërsa, Mishetiq ia ktheu se me mbrojtjen e klientit të tij merret vetë ai dhe se Geci duhet të merret me gjërat që ai i din, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Me mbrojtjen e klientit tim merrem unë. Ti duhet të merresh me gjërat që do ta na tregosh që i di vetë. Më shumë vlerë ky koment. Faleminderit”, tha Mishetiq.

Këto deklarime, erdhën kur Mishetiq i tha dëshmitarit se gjatë pyetjeve të gjyqtarëve, ai i kishte ‘vënë gishtin’ një personi dhe jo një grupi si hartues të komunikatës 59.

Dëshmitari tha se Rexhep Selimi e ka thënë në televizion se Thaçi është hartuesi i komunikatës 59. Ndërsa, sipas tij, ZPS-ja e ka prezantuar në Hagë deklaratën e Selimit, ku thoshte se ka folur në telefon me Thaçin lidhur me këtë komunikatë.

Si rrjedhojë, Mishetiq e pyeti dëshmitarin se “a mendonte se ZPS-ja e ka rritë armiqësinë e tij ndaj Thaçit dhe se kjo armiqësi është bërë më e madhe sesa ka qenë më përpara me prezantimin e kësaj deklarate”.

“Mendoj që ki gabim, punën më të mirë që e ka ba është që na i ka ofru krejt mundësitë e mundshme që me e pa me sytë tu çka qysh. Është për mu vlerësu për punën e mirë që e ka ba. E kundërta e asaj që po thu ti. Nuk mendoj që si ekspert duhet me e thanë atë. Nuk i bën mirë as të mbrojturit tënd për me e thënë atë. I bën dëm”, tha Geci.

Pas kësaj, erdhi kundërpërgjigja e Mishetiq, i cili tha se është detyra e tij që të merret me mbrojtjen e klientit të vet.

“Me mbrojtjen e klientit tim merrem unë. Ti duhet të merresh me gjërat që do ta na tregosh që i di vetë. Me shumë vlerë ky koment. Faleminderit”, tha Mishetiq.

Ndër tjerash, Geci tha se qëllimi i Thaçit ka qënë që t’i asgjësojnë ata si familje.

“Ka mendu me na shfarosë. Ka mendu me shfarosë. Nuk kem kohë se kam shumë shembuj të tjerë për me tregu. Kjo është e vërteta. Me krejt familjen me na shfarosë”, tha Geci.

Me kaq përfunduan pyetjet e Luka Mishetiqit, të cilat ishin gjatë kohës shtesë ndërsa mbrojtja e Veselit dhe Selimit nuk pati pyetje.

Me pyetje shtesë vazhdoi mbrojtja e Jakup Krasniqit përmes avokatit Aiden Ellis.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat