Raporti mjekësor i Gani Gecit dhe përplasja me avokatët - çka deklaroi Fadil Geci në Hagë

Aktuale

Raporti mjekësor i Gani Gecit dhe përplasja me avokatët - çka deklaroi Fadil Geci në Hagë

Më: 23 tetor 2024 Në ora: 16:29
Fadil Geci

Fadil Geci ka përfunduar dëshminë e tij në Gjykatën Speciale të Hagës. Geci ishte dëshmitari i 96-të.

Në ditën e fundit të dëshmisë, ai është marrë në pyetje nga gjyqtarët dhe avokatët e krerëve të UÇK-së.

Fadil Geci është pyetur për dallimet që ka pasur LPK-ja me LDK-në.

“LPK-ja ishte e majtë, marksiste-leniniste. Krytë e kishte në Rusi atje”, tha Geci në fillim.

Gjyqtari zviceran Metro e pyeti edhe për Tahir Zemajn, Cen Deskun e Jakup Kastratin.

Tema më e rëndësishme ishte komunikata 59 dhe disa ngjarje që lidhen me të. Gjyqtari e pyeti Fadil Gecin, për rolin që kishte pasur Thaçi në një ndërmjetësim mes Gani Gecit e Azem Sylës.

“Ata që di, Azem Syla e pranon publikisht se është shkru një komunikatë nga Shtabi, dhe 99% është shkru, dhe ashtu është. Mas kësaj deklarate që e fyn Azem Syla Gani Gecin si kriminel, janë kanë këto mosmarrëveshje dhe janë marrë vesh Bajram Rexhepi ua ka dhanë numrin e telefonit dhe kanë kontaktuar dhe kanë lënë takim në Llaushë. Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi kanë thënë se Azem Syla nuk ka gisht”, tha Geci.

“Kush ua sygjeroi z.Thaçin e Veselin si ndërmjetuëses?”, pyeti gjyqtari.

“Nuk e di, veç Bajram Rexhepi iu ka thënë këta janë përgjegjës, e me ta mundeni me fol. Si ministër na ka sygjeru”, tha Geci.

Detaje të rëndësishme zbuloi ky gjyqtar, teksa përmendi intervistën që Hashim Thaçi e kishte dhënë te Prokuroria e Specializuar në Hagë.

“Në një prej vendeve të kësaj deklarate atij iu kërkua të komentonte për komunikatën 59. Do të shikojmë pjesë të caktuara të intervistës për Prokurorinë. Z.Thaçi jep një përgjigje për Prokurorinë. Ai thotë se çështja e Behajdin Hallaqit është bërë politike dhe është përdorur për motive politike dhe qëllime politike nga të njëjtit njerëz që janë marrë me komunikatën 59. Ai thotë që jam në dijeni që diçka është postuar në internet nga Rexhep Selimi, jam mundur të gjejë diçka nga këto deklarata kundër meje. Ju apo anëtarë të tjerë a janë bashkëpunëtorë të Rexhep Selimit?”, tha gjyqtari.

“Kurrë, jem kundërshtar politik në esktrem”, u përgjigj Geci.

“Z.Thaçi thotë sa më poshtë: Me aprovimin e këshillën e ambasadort Prosper jam mundur të gjejë deklarata e do të jem i lumtur të jap këto deklarata në Prishtinë. Unë kam ose mund të kem një pjesë të asaj që desha të prezantoj, nuk po akuzoj askënd, por dëshiroj që ju ta keni të qartë këtë çështje. Kur e pyesin për këtë zotëriun, e keni fjalën për Rexhep Selimin, ai thotë po. E di që jemi intervistuar të dy për këtë rast në Prishtinë. Për karakterin e z.Selimi do të doja të dorëzoja këtë dëshmi, z.Selimi është i lidhur me komunikatën 59 dhe z.Hallaqi, por ndërlidhet me intervistimet e tij tek organet e drejtësisë në Kosovë lidhur me z.Hallaqi. Më tej thuhet: për këtë arsye dëshiroj të prezantoj çka di unë, dhe opinionet e tij çka thotë për komunikatën 59. Interesat e motivet e ndryshme politike. Më pas, z.Thaçi diskuton artikullin që pretendohet të jetë shkruar nga Rexhep Selimi lidhur me faktin që ai ka thënë se vëllai i juaj është vrasës serik. Z.Thaçi përsëri thotë se Gani Geci ka dhënë deklarata të ndryshme publike dhe dua të iu jap një dokument: unë kam marrëdhënie konstruktive, dhe dua të keni panoramë të plotë me këtë person. Kam edhe një raport mjekësor. A e dini se për çfarë raporti mjekësor që lidhet me vëllain tuaj flitet këtu?”, tha më tutje gjyqtari, duke e pyetur për raportin mjekësor që fliste për gjendjen psikologjike të Gani Gecit.

Fadil Geci e pranoi se raporti ekziston, por theksoi se Gani Geci tash është në gjendje të mirë, dhe se vrasjen e Ruzhdi Shaqirit e kishte kryer në gjendje të tronditur.

“Vëllai im ka pasur proces gjyqësor që është dënuar 3 vjet e gjysmë burg. Atë dokument mjekësor është vlerësuar se në momente pas gjithë këtyre traumave që ka pasur ai, është shumë i fortë. Ka pasur tronditje psiqike, thuhet në dokument. Për rastin, dhe atë dokument që është e ndaluar, e ka marrë me bo publik ky, edhe me çvlerësu intervistën e Gani Gecit. Nuk e ka ditur që është Fadili vëllai i tij shëndoshë si topi. Është këtu. Gania nuk o vetun. Është njeri i rrezikshëm, me këto dredhi. Ganiu është shëndosh, ka pasur tronditje, është dënuar, e ka kryer burgun, tash është në liri dhe do të vjen këtu”, tha Geci.

Përplasja me avokatët

Fadil Geci pati përplasje me avokatët në minutat e fundit të dëshmisë në Hagë. Kjo pasi, Geci nuk përgjigjej konkretisht në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Misetiq.

“Unë po të pyes për përpjekjen për ndërmjetësim që Thaçi ka ndërmarrë në mosmarrëveshjen mes Gani Gecit e Azem Sylës. Artikulli i shtypit thotë që mosmarrëveshja ndodhi për shkak se Azem Syla ka urdhëruar vrasjen e tij në vitin 2001?”, pyeti Misetiq.

“Deklarimi i Azem Sylës se është e vërtetë që Shtabi e ka lëshuar një komunikatë, e ka çuar deri te ajo”, tha Geci.

Luka Misetiq bëri disa pyetje të tjera, duke vënë theksin te fakti që Thaçi shihet si rival politik nga familja Geci.

“Që nga 1999, ka fituar një fitore të madhe PDK-ja në të gjitha zgjedhjet në Drenicë?”, pyeti Misetiq.

“Pas vrasjes së 6 njerëzve në Drenicë, maltretimet të shumë tjerëve, kërcënimieve. E kanë marrë me dhunë”, tha Geci.

“Pavarësisht nga fakti se ju keni kandiduar t’i vazhdon të mbash inat Thaçin se ai ka fituar në Drenicë?” pyeti avokati Misetiq.

“Gabim të madh e ki, asnjë personi që zgjedhet në mënyrë demokratike nuk ia kam inati. Vetëm po them te unë janë vra njerëzit, pasi janë vra, e kanë marrë pushtetin”, tha Geci.

Misetiq e pyeti Gecin nëse Rexhep Selimi ka qenë anëtar në VV kur i ka bërë deklaratat se Thaçi e ka shkruar komunikatën 59. Këtu nisi edhe përplasja.

“A e pranoni që ZPS gjatë intervistimit tuaj, e ka rritur armiqësinë tuaj me Thaçin”, pyeti Misetiq.

“Është për mu vlerësu punën e mirë që e kanë bërë. Po i bën dëm edhe mbrojtësit tënd”, u përgjigj Geci.

“Me mbrojtjen e klientit tim merrem unë, ti duhet të tregosh për gjërat që di vet. Por me shumë vlerë ky koment”, reagoi sërish Luka Misetiq.

Në fund të dëshmisë, avokati i Jakup Krasniqit, Adam Ellis, i tha Fadil Gecit se ka shkuar në Hagë për të bërë deklarime politike.

“Keni dhënë deklarata politike, ato që keni thënë për Jakup Krasniqin nuk janë të vërteta”, tha ai.

Fadil Geci reagoi duke thënë se e ka thënë vetëm të vërtetën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat