LIVE: Nis Kuvendi/ Vetëm Konjufca merr pjesë në seancën e opozitës për “skandalet” në KEK

Aktuale

LIVE: Nis Kuvendi/ Vetëm Konjufca merr pjesë në seancën e opozitës për “skandalet” në KEK

Më: 24 tetor 2024 Në ora: 06:39 Përditësuar në ora: 13:05 më 24.10.2024
Kuvendi i Kosovës

Selmanaj: VV rëndoi gjendjen në KEK

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, është shprehu i shqetësuar për siç tha ai “kaosin energjetik”.

Gjatë fjalës së tij në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita për gjendjen në KEK, ai tha se Vetëvendosje e ka rënduar gjendjen në këtë korporatë e cila siç u shpreh ai, është vitale për shtetin e Kosovës.

“Në vend se sot të diskutojmë për kapacitetet e reja energjetike në Kosovë, për sjelljen e gazit në Prishinë dhe mundësitë për ndërtimin e kapaciteteve të reja edhe si burim energjie duke shfrytëzuar edhe gazin, ne sot po flasim për kaosin energjetik. VV e solli gjendjen e rëndë në KEK. Ne si LDK shprehim shqetësimin tonë për atë që po ndodh në këtë korporatë e cila është vitale për shtetin e Ksoovës, kemi ngritur shqetësimet tona me kohë. Asnjë përgjegjësi të vetme politike nga kjo qeveri nuk ka pasur”, tha Selmanaj.

“Kryeministri Albin Kurti dikur thoshte që populli i Kosovës po rri mbi thëngjill dhe po paguajnë shumë shtrenjtë dhe me të ardhur në pushtet ndodhi që energjia elektrike në Kosovë u rrit për 100 për qind pothuajse, u harruan ato që u thanë, u harruan premtime ndërkohë që faktet natyrore nuk ndryshuan vetëm ndryshuan sjelljet politike”, u shpreh deputeti i LDK-së.

Gashi kërkon hetime për përfshirjen e Mihalit në tregtimin e rrymës dhe ndërhyrjet në KEK

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, Kuvendi duhet të zhvillojë debat të hapur për masat që duhet të merren për të përmirësuar menaxhimin në KEK, për të rritur transparencën dhe për t’i ndaluar ndërhyrjet e paligjshme.

Gashi në seancën e jashtëzakonshme lidhur me skandalet dhe keqmenaxhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës tha se po mundohen t’i sqarojnë zhvillimet brenda KEK-ut dhe të flasin për përgjegjësinë e menazhimit me këtë korporatë.

Ai përmendi skandalet me tenderët njëburimorë dhe mungesa e konkurrencës në prokurimin publik në KEK, shitblerjen e energjisë elektrike që tha se ka ngritur shqetësime të mëdha. Ai përmendi koordinatoren e komiteteve në Lëvizjen Vetëvenosje, Dejona Mihali, për të cilën kërkoi hetim të plotë, për rolin e saj dhe ndikimin në KEK.

“Kjo seancë është e domosdoshme për zhvillimin e një debati të gjerë parlamentar lidhur me situatën alarmante të shkaktuar nga keqmenaxhimi dhe ndërhyrjet e jashtëligjshme në Korporatën Energjetike të Kosovës, të cilat kanë dëmtuar funksionimin dhe integritetin e kësaj ndërmarrjeje jetike për vendin”.

“Raportet tregojnë se KEK ka lidhur kontrata jo të favorshme që kanë dëmtuar stabilitetin financiar të korporatës. Një çështje tjetër që duhet të diskutohet dhe për të cilën Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të marrë qëndrimin e vet është përfshirja e personit të quajtur Dejona Mihali dhe ndërhyrjet e paligjshme në KEK, përfshirë punësimet e paligjshme”.

Gashi propozoi një rezolutë që përfshin kërkesën që organet kompetente që të vazhdojnë hetimet e plota dhe të thelluara për skandalet e KEK-ut, përfshirë keqmenaxhimin e tenderëve njëburimorë dhe mungesën e konkurrencës në prokurimin publik.

Rezoluta e propozuar nga Gashi:

“Përmes këtij dokumenti, Kuvendi kërkon që të hetohen të gjitha skandalet në KEK: 1. Kuvendi i Kosovës kërkon nga organet kompetente, që të vazhdojnë hetimet e plota dhe të thelluara për skandalet në KEK, duke përfshirë keqmenaxhimin e tenderëve njëburimorë dhe mungesën e konkurrencës në prokurimin publik. Të gjitha shkeljet e konstatuara të ndiqen penalisht. 2. Kuvendi kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe bordi i KEK që të raportojnë për kontratat e shitblerjes së energjisë gjatë periudhës 2021-2024, duke përfshirë kushte të favorshme për palët e treta dhe ndikimin në financat publike. Kuvendi obligon organet përkatëse që të rishikojnë këto kontrata për të mbrojtur interesin publik dhe të ndjekin çdo parregullsi.”, thuhet në dy pikat e para të rezolutës. Më pas, projektrezoluta kërkon që të hetohen ndërhyrjet e personave të paautorizuar në menaxhimin dhe vendimmarrjen në KEK, duke përfshirë rolin e Dejona Mihalit. 3. Kuvendi kërkon nga autoritetet kompetente të hetojnë ndërhyrjet e personave të paautorizuar në menaxhimin dhe vendimmarrjen në KEK, veçanërisht në lidhje me dhënien e tenderëve, tregtinë e energjisë dhe proceset e punësimit. Të merren masa konkrete për të ndaluar ndërhyrjet e paligjshme dhe për të siguruar një menaxhim transparent dhe të pavarur në KEK. 4. Kuvendi kërkon një hetim të plotë për rolin e Dejona Mihalit dhe çdo personi tjetër që ka ushtruar ndikim të jashtëligjshëm në menaxhimin e KEK dhe proceset e rekrutimit, duke përfshirë punësimet e jashtëligjshme. 5. Kuvendi e obligon Bordin e KEK dhe institucionet përgjegjëse për menaxhimin e energjisë që të rrisin transparencën në të gjitha proceset e prokurimit dhe tregtisë së energjisë, duke përfshirë publikimin e kontratave dhe raportimin e detajuar mbi performancën financiare dhe operacionale. 6. Kuvendi rekomandon që Qeveria e Kosovës të marrë masa për përmirësimin e qeverisjes në KEK, duke emëruar një bord të pavarur dhe profesionist, me qëllim që të sigurohet funksionimi efikas dhe i përgjegjshëm i ndërmarrjes. 7. Kuvendi kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe bordi i KEK që të raportojnë çdo tre muaj për situatën në KEK, përfshirë masat e marra për përmirësimin e menaxhimit, prokurimit dhe transparencës në ndërmarrje”.

Tahiri: Kemi hyrë në vitin e pestë që KEK-u menaxhohet nga njerëzit e deleguar nga VV-ja

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri sot para deputëtëve në Kuvendin e Kosovës është shprehur se që nga 23 prilli i vitit 2020, Korporata Energjetike e Kosovës, udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ai është shprehur se kemi hyrë në vitin e pestë që sipas tij, KEK-u menaxhohet nga njerëzit e deleguar nga VV-ja.

“Ajo që vlen të theksohet është se nga 23 prilli i vitit 2020, Korporata Energjetike e Kosovës, udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje. Ka qenë Qeveria Kurti 1 kur me datë 23 prilli i vitit 2020, emëron bordin e ri dhe drejtorin e ri të Korporatës Energjetike e Kosovës”.

“Tash e pesë vite, kemi hyrë në vitin e pestë, kur Korporata Energjetike e Kosovës menaxhohet nga njerëzit e deleguar nga Lëvizja Vetëvendosje”, është shprehur Tahiri.

Konjufca merr pjesë në seancën e opozitës për “skandalet” në KEK

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka marr pjesë në seancën e jashtëzakonshme për “skandalet” në KEK.

Nga deputetët e pushtetit është thënë se nuk do të marrin pjesë në këtë seancë.

Kjo është seanca e katërt me radhë e jashtëzakonshme, në të cilën nuk po marrin pjesë deputetët e pushtetit.

Sot seancë e jashtëzakonshme për menaxhimin në KEK

Sot Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë një seancë e jashtëzakonshme.

Kuvendi ka njoftuar se e vetmja pikë e rendit të ditës është: “Debat Parlamentar për skandalet dhe keq menaxhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës”.

Ndryshe për këtë seancë të jashtëzakonshme ka shkruar edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

“Në emër të 43 deputetëve të nënshkruar, kam thirrur seancën e jashtëzakonshme, e cila do të mbahet në orën 12:00. Kjo kërkesë është bërë për të adresuar skandalet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), që kanë ngritur shqetësime të mëdha për publikun dhe institucionet”, ka shkruar Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat