“Komandant Lekës” i prezantohet një dokument në Hagë, ja çka thotë ai

Aktuale

“Komandant Lekës” i prezantohet një dokument në Hagë, ja çka thotë ai

Nga: Bota sot Më: 24 tetor 2024 Në ora: 06:43 Përditësuar në ora: 12:02 më 24.10.2024
Nuredin Ibishi

Mbrojtësi i viktimave kërkon ta marrë në pyetje Ibishin: Ka qenë i pranishëm në vendin ku dy viktima pjesëmarrëse janë ndaluar

Mbrojtësi i viktimave, avokati Simon Laws ka kërkuar që ta marrë në pyetje dëshmitarin Nuredin Ibishin, me arsyetimin se ai ka qenë i pranishëm në një vend ku janë ndaluar dy viktima pjesëmarrëse.

Laws tha se intervistat e Ibishit kanë të bëjnë lidhur me këto dy viktima dhe se ai si dëshmitar do të japë dëshmi me rëndësi lidhur me këta dy persona.

“Praktika deri tani në tanësi si kritikë ka qenë që njoftimi të bëhej me shkrim dhe kundërshtimi me shkrim. Që ju i nderuar gjykatës dhe kolegët tuaj të jeni në pozitë që të gjykoni për ato që vendosni, siç keni bërë pa parashtrime me gojë. Unë e di që këtë pjesë do ta bëj në seancë publike e mbase do të na duhet të futemi në seancë të mbyllur.

Por, qëndrimi i mbrojtësit të viktimave përcaktohet në paragrafin 7 për këtë dëshmitar. Intervistat e tij kanë të bëjnë me dy viktima që janë pjesëmarrëse në proces dhe ai ka dëshmi me rëndësi për të dhënë lidhur me këta dy dëshmitarë. Ai i ka njohur mirë ata dhe ky dëshmitar ka qenë i pranishëm në vendin ku ata janë ndaluar të dy”, tha Laws.

Ibishi: Komanda lokale vendoste për pozitat, Shtabi i Përgjithshëm për strukturën

Ish-komandanti i brigadës 151 të UÇK-së, Nuredin Ibishi, ka deklaruar para Dhomave të Specializuara në Hagë se komanda lokale vendoste lidhur me postet e luftëtarëve të UÇK-së në zonën e Llapit. 

Në ditën e dytë të dëshmisë së tij më rastin më të madh të speciales, Ibishi deklaroi se fillimisht emërimet në poste i propozonte te komandanti dhe zëvendëskomandanti. 

“Ajo është bërë me një procedurë brenda strukturës. Bëhej propozimi pasi që kisha mandatin e komandantit të brigadës për postet e caktuara. Bëja propozim te komanda, te komandanti, zëvendëskomandanti dhe ai i bënte vlerësimet dhe konform kësaj, ai bënte edhe postimet, gjegjësisht vendimet për postim në pozicion të caktuar në kuadër të kësaj strukture organizative”, tha Ibishi.

Dëshmitari Ibishi, i cili gjatë luftës e kishte nofkën “Leka”, foli edhe për dokumentet që kishin shabllone ku shkruhej “Shtabi i Përgjithshëm”. Ai tha se struktura e përgjithshme e komandës së Llapit u përcaktua prej Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare. 

“Kjo ka të bëjë me ato adoptimet apo përshtatjet që janë bërë konform strukturës organizative të brigadës të dhënë nga Shtabi i Përgjithshëm… Kjo është ajo çka në realitet e kemi bërë, por duke iu përshtatur përherë strukturë organizative të dërguar nga Shtabit të Përgjithshëm, por e modifikuar me veçoritë që i ka pasur zona – të cilat i ceka më herët. Ka të bëjë me mbrojtjen civile edhe çështjet e tjera strukturore që ne i kemi zhvilluar pas gushtit të vitit 1998”.

Ai tha po ashtu se ka pasur urdhër prej Shtabit të Përgjithshëm në këtë kohë për tu organizuar në nivel batalionesh. 

“Këtë organogram, duke iu përshtatur organogramit të dërguar si formë e përgjithshme nga Shtabi i Përgjithshëm, ne e kemi modifikuar konform pozicionimit me emra apo me persona në poste të caktuara edhe në nivel të strukturës organizative sipas sektorëve edhe në nivel të batalioneve, pasi që në atë kohë, pra në gusht, me sa mbaj mend të vitit ’98 ishte urdhër i Shtabit të Përgjithshëm që të kalohet në nivelin e organizimit në nivel të batalioneve”, tha dëshmitari Ibishi.  

Nuredin Ibishi vazhdon dëshminë në rastin Thaçi dhe të tjerët

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, për të dytën ditë po vazhdon dëshminë dëshmitari i 97-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Nuredin Ibishi, i njohur me nofkën “Komandant Leka”, i cili mban kodin 04758 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmitarit iu prezantua një dokument që sipas prokurores Silvia D’Ascoli është marrë nga institucionet e drejtësisë në Kosovë, e që është një organogram që tregon formacionin e brigadave brenda UÇK-së.

Dëshmitari tha se ka njohuri për përmbajtjen e këtij dokumenti dhe se përfaqëson strukturën e organizimit të brigadave të UÇK-së, konkretisht atë që e kanë aplikuar edhe në Zonën Operative të Llapit.

Ai tha se nuk është i sigurt se kur e ka marrë një organogram të tillë gjatë luftës, por mendon që mund të jetë pas gushtit 1998.

Ibishi pohon se organogrami që ai ka pasur gjatë luftës mbante vulën e njëjtë të Shtabit ashtu siç e ka tashmë dokumenti i prezantuar në gjykatë.

Më pas, dëshmitarit iu prezantua një organogram tjetër, për të cilin ai tha se është formacioni i një komande të një zone operative të UÇK-së.

Ibishi tha se kur e ka marrë një dokument të tillë, nuk i kujtohet koha dhe nga kush e ka marrë.

Dëshmitari tha se këto organograme i ka përditësuar dhe modifikuar me të dhëna përkatëse dhe si rrjedhojë i ka informuar autoritetet përkatëse.

Ludhur me autoritetet përkatëse, dëshmitari tha se e kishte fjalën për komandantin e zëvendëskomandantin e zonës pasi që sipas tij, këto ndryshime i ka bërë në koordinim me ata.

Në seancën e së enjtes, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit. Ndërsa, të mërkurën seanca ka përfunduar si private me kërkesë e prokurores, me arsyetimin për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë edhe sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ndryshe Nuredin Ibishi dje ka filluar dëshminë.

Sipas përmbledhjes së lexuar nga ZPS-ja në gjykatë, Ibishi  ka qenë anëtar i UÇK-së në zonën operative të Llapit.

Dëshmia e Ibishit do të zgjasë rreth një a po dy ditë, 2 orë e gjysmë janë paraparë për pyetje të ZPS-së,, për mbrojtjen e viktimave rreth 20 minuta, e për mbrojtjen e të akuzuarve rreth gjashtë orë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat