Takim trepalësh në Bruksel, i pari pas më shumë se tre muajve

Aktuale

Takim trepalësh në Bruksel, i pari pas më shumë se tre muajve

Më: 24 tetor 2024 Në ora: 07:43 Përditësuar në ora: 16:40 më 24.10.2024
Foto nga takimi

Nis takimi trepalësh në Bruksel

Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, janë duke e zhvilluar një takim trepalësh në Bruksel me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Takimi trepalësh nisi të enjten pasdite, pas takimeve dypalëshe që i dërguari i bllokut mbajti me përfaqësuesit e të dyja vendeve fillimisht, për gjetjen e mënyrave për zbatimin e marrëveshjeve të kaluar në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Ky është takimi i parë trepalësh pas më shumë se tre muajve, pasi në takimeve e kohëve të fundit, Bislimi dhe Petkoviqin nuk kishin arritur pajtueshmëri për t'u takuar së bashku.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke folur një ditë para takimeve në kuadër të dialogut, kishte thënë se mbajtja e një takimi të përbashkët do të varej nga vullneti i palëve.

Në takimin e fundit në shtator, Lajçak nuk arriti t'i bindë Bislimin dhe Petkoviqin të mbajnë takim trepalësh, pasi ata kishin mospajtime për temat që do të donin t'i shtjellonin.Në lidhje me temat që pritet të shtjellohen në takimet në Bruksel, Stano tha se ato kanë të bëjnë me nevojën për zbatimin e detyrimeve nga dialogu i deritashëm, përfshirë edhe Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, për të cilin Kosova dhe Serbia u pajtuan në fillim të vitit 2023.

“Agjenda është e njëjtë sikur që ka qenë edhe në të kaluarën, pra nevoja për nisjen urgjente të zbatimit të obligimeve nga dialogu. Nevoja për nisjen urgjente të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe nevoja që edhe Kosova edhe Serbia të pajtohen për progresin në dialog”, tha Stano.

Deri më tani, zakonisht janë zhvilluar takime dypalëshe mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, por jo edhe takime trepalëshe.

Herën e fundit kur ishte zhvilluar një takim trepalësh ka qenë takimi i 2 korrikut të këtij viti. Megjithatë, pas takimit palët dolën me qëndrime diametralisht të kundërta rreth asaj që kishte ndodhur në takime.

Palët e kishin akuzuar njëra-tjetrën për “mungesë të gatishmërisë për dialog”.Ditëve të fundit, Lajçak ka mbajtur konsultime me palët. Por, përpos pohimeve se po shqyrtohet rruga përpara në dialog, nga ana e BE-së – që ndërmjetëson këtë proces që ka nisur më 2011 – nuk kanë dhënë hollësi se me cilat tema do të merren palët në takimet e radhës.

Në BE, por edhe në NATO gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi lidhur me rrjedhën aktuale të dialogut, duke thënë se procesi nuk po prodhon rezultatet e pritura. Kështu ka konstatuar edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke shprehur shqetësim për këtë.

Emisari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka mandat në këtë post deri në fund të muajit janar të vitit 2025. Ndërkaq, në BE presin të shohin se çfarë qasje rreth dialogut do të ketë përfaqësuesja e e re e lartë për politikë të jashtme, Kaja Kallas, pasi ajo të marrë mandatin. Mandati i saj do të nisë kur të jetë gati i tërë ekipi i ri i Komisionit Evropian, pasi të konfirmohet nga Parlamenti Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se pret dinamikë të re nga Komisioni Evropian, sa i përket dialogut.

Nisin takimet në Bruksel, Lajçaku e pret Petkoviqin

Në Bruksel pak pas orës 09:00 ka nsiur takimi i delegacionit nga Beogradi i udhëhequr nga Peter Petkoviq, me të dërguarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kështu raporton media serbe, Tanjug.

Delegacioni nga Kosova në këtë takim, përfaqësohet nga kryenegociatori Besnik Bislimi.

Lidhur me këtë takim në nivel kryenegociatorësh, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë të mërkurën se temë do të jetë Marrëveshja e Ohrit.

Sot takimi i radhës për dialog, a do të ketë takim trepalësh?

Sot do të zhvillohet takimi i radhës në Bruksel, në nivel të kryenegociatorëve në dialogun Kosovë-Serbi.

Megjithatë nuk dihet nëse do të ketë takim trilateral apo vetëm takime të ndara të palëve me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak.

Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian nuk e kanë konfirmuan se do të ketë takim të përbashkët ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe homologut të tij serb, Petar Petkoviq.

Në ekzekutiv thonë se fokusi i diskutimeve do të jetë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe aneksin e saj të Ohrit.

Nevojën për këtë të fundit e potencojnë edhe në Bashkimin Evropian.

Zëdhënësi i Bashkimi Evropian, Peter Stano, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të ecin përpara dhe të arrijnë përparim në dialog.

Takimi trepalësh nuk është mbajtur as në muajin shtator, kur Bislimi dhe Petkoviq kishin udhëtuar në Bruksel, mirëpo ishin takuar vetëm me ndërmjetësin e dialogut, Miroslav Lajçak. Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë në shkurt të vitit 2023 në Bruksel.

Një muaj më vonë ishte arritur dakordimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Megjithatë, palët ende nuk janë pajtuar për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes.

Në qeverinë e Kosovës insistojnë në nënshkrimin e marrëveshjes për krijimin e mirëbesimit në proces të dialogut, derisa kërkojnë edhe tërheqjen e letrës së Serbisë, të cilën e kishin dërguar në Bruksel vitin e kaluar, ku praktikisht ishin tërhequr nga ujdia e Brukselit dhe aneksi i Ohrit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat