Ish-kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Avni Arifi, ka folur për pritjet nga takimi i sotëm në Bruksel në mes të kryenegociatorëve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
Ai thotë se takimi po bëhet në kohën kur BE ka në tavolinë fondin e rritjet dhe të dy palët presin fonde astronomike nga BE.
“Takimi do të jetë më ndryshe nga takimet e mëparshme ku lehtë ka qenë të prognozohej se asgjë nuk do të ketë dhe faktikisht asnjë takim i tyre nuk solli asnjë rezultat. Ky takim po bëhet në kohën ku BE ka futur fondin e rritjes në tavolinë nga i cili që të dy palët presin fonde astronomike nga BE. Kosova për tri vjet pritet që të marrë €880 milionë, kurse Serbia dyfishin e kësaj shume”, vlerëson ai.
Arifi thotë se të dy palët rrezikojnë titullin e palës destruktive dhe rrezikojnë statusin e përfituesit të fondeve dhe mund të pritet ndonjë zhvillim që ringjall angazhimin serioz në dialog.
“Që të dy palët rrezikojnë që të marrin titullin e palës destruktive dhe ta rrezikojnë statusin e përfituesit të fondeve. Mbase për herë të parë mund të ketë ndonjë zhvillim i cili ringjall prospektet e angazhimit serioz në këtë proces”, deklaron Avni Arifi.