Me kërkesë të mbrojtjes, ndërpritet seanca ndaj të akuzuarit për vrasjen e dhëndrit

Aktuale

Me kërkesë të mbrojtjes, ndërpritet seanca ndaj të akuzuarit për vrasjen e dhëndrit

Më: 24 tetor 2024 Në ora: 14:06
Foto ilustrim

Me kërkesë të mbrojtjes së të akuzuarit Tush Frokaj, i cili ngarkohet për vrasjen e dhëndrin-mikut të tij, është ndërprerë seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Pejë, në mënyrë që mbrojtja të pajiset me shkresa të lëndës për të ofruar mbrojtje efikase.

Tush Frokaj akuzohet për vrasjen e mikut/dhëndrit A.P., me shtatë plumba në Klinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kërkesa për ndërprerje së seancës u parashtrua nga mbrojtësit e rinj të të akuzuarit Frokaj, avokatët Ndrecë Dodaj dhe Agron Galani, pas ndërrimit me avokatët paraprak Gëzim Baloku dhe Gani Kelmendi.

Avokati Dodaj deklaroi se autorizimet i kishin dorëzuar më herët e deri ditën e djeshme tha se nuk e kanë pasur të qartë se kush do të jetë mbrojtës në këtë çështje penale dhe nga paqartësia nuk kanë qenë të pajisur me shkresa të lëndës. Andaj, nuk ishin gati të lëshohen në shqyrtim të sotëm.

Ai kërkoi që seanca të shtyhet për një ditë tjetër, derisa të pajisen me shkresa të lëndës dhe të jenë të gatshëm të lëshohen në shqyrtim.

Prokurori Ersan Qavolli e kundërshtoi propozimin e mbrojtjes për shtyrjen e seancës, me arsyetimin se kjo seancë, ajo e nesërmja dhe seanca e 15 nëntorit, janë caktuar një muaj e gjysmë më herët.

“Sot kanë ardhur dëhmitarët nga Zvicra dhe Gjermania, shtyrja nuk do t’i shërbente efikasitetit të procedurës, ndërsa për pajisje me shkresa të lëndës, ne i kemi dorëzuar me kohë te mbrojtja paraprake”, tha prokurori Qavolli.

Propozimin për shtyrje e kundërshtuan të dëmtuarit dhe përfaqësuesit e tyre, si dhe mbrojtësi i viktimave.

Pas këshillimit trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Shaqë Curri, u tha se autorizimi i avokatëve Dodaj dhe Galani është dorëzuar më 7 tetor 2024 dhe gjykata ka vlerësuar se mbrojtësit kanë pasur kushte të mjaftueshme që të përgatitjen për seancën e sotme.

Mirëpo, gjykatësi Curri shtoi se për të respektuar parimin e ofrimit të një mbrojtje efektive, merr vendim për ta ndërprerë këtë seancë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 12 mars 2024 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Tush Frokaj, po akuzohet se më 7 gusht 2023, ka privuar nga jeta dhëndrin e tij, A.P., si dhe vuri në rrezik jetën e personave të tjerë dhe atë të dëmtuarit F.Rr. Frokaj po ngarkohet se ka shtënë shtatë herë me revole në drejtim të A.P., duke e lënë në vend të vdekur.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.1, nënpar. 1.5 të Kodit Penal.

Gjithnjë sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Frokaj ngarkohet edhe për armëmbajtje pa leje, pasi i janë gjetur një revole me dhjetë fishekë, një brez të pajisjeve të armës me pranga, këllëf të pistoletës, një shufër metalike, trembëdhjetë fishekë të tjerë, dy fishekë të pushkës së gjuetisë, pajisje për pastrim të armës, dhe një thikë.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, pas kryerjes së veprës penale, i akuzuari Frokaj në ditën kritike, del në sheshin “Nëna Terezë” në Klinë, e ndalon veturën Golf VI, të cilën e voziste i dëmtuari A.T., ku edhe i drejton pistoletën “Sig Sauer”, dhe nën kërcënimin e armës duke ia drejtuar e detyron që ta voziste veturën në drejtim të fshatit Zllakuqan. Gjithnjë sipas aktakuzës, i dëmtuari kishte frenuar veturën dhe ishte larguar, ku më pas i akuzuari kishte marrë veturën dhe ishte arratisur. Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Shtrëngimi”, nga neni 192, par.2, nënpar.2.1 dhe 2.3 lidhur me par.1 të KPRK-së.

Në aktakuzë, gjithashtu thuhet se pas ndalimit të veturës nga i dëmtuari e më të larguar nga vetura, Frokaj e merr veturën dhe arratiset e ku më pas atë veturë e lë tek shtëpia e tij, e që me këtë veprim ai akuzohet edhe për veprën penale “Marrja në posedim të pasurisë së luajtshme” nga neni 319, par.1 i KPRK-së.

Në aktakuzë, prokurori Ersan Qavolli, ka kërkuar që në rastin e shpalljes fajtor të të pandehurit, si rrethana rënduese me rastin e përcaktimit të dënimit të merren për bazë mënyra e kryerjes së veprës penale, e kaluara kriminale e të pandehurit, lidhja familjare e të pandehurit me viktimën dhe se tani i ndjeri i kishte ndihmuar disa herë të pandehurit.

I akuzuari Frokaj, ishte i dënuar edhe me dy aktgjykime të formës së prerë, e që sipas aktakuzës, kjo ishte vërtetuar faktin se tek i pandehuri asnjëherë nuk ishte arritur njëri ndër qëllimet e dënimit që është në risocializimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat