Komandanti i KFOR-it takoi Kurtin: Dialogu, platforma e vetme për të zgjidhur çështjet

Aktuale

Komandanti i KFOR-it takoi Kurtin: Dialogu, platforma e vetme për të zgjidhur çështjet

Më: 24 tetor 2024 Në ora: 14:15
Pamje nga takimi

Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është platforma e vetme për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura në mes të Kosovës dhe Serbisë, tha komandanti i ri i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani gjatë një takimi me kryeministrin Albin Kurti.

Në një proces të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Kosova dhe Serbia janë në dialog prej vitit 2011.

Barduani tha se dialogu i Brukselit është gjithashtu platforma e vetme për arritjen e zgjidhjeve “që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”, bëri të ditur KFOR-i përmes një komunikate.

Sipas tij, kjo është kyçe për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë, si dhe për stabilitet rajonal.

“Gjeneralmajor Barduani vuri në dukje gjithashtu angazhimin e tij të palëkundur për të nxitur unitetin e përpjekjeve me të gjithë homologët e tij, në mënyrë që të sigurohet koordinimi dhe të zvogëlohet mundësia për veprime që mund të çojnë në tensione”, u bë e ditur në njoftim.

Enrico Barduani mori detyrën e komandantit të KFOR-it në Kosovë këtë muaj.

Për takimin në mes të Kurtit dhe komandantit të KFOR-it, ka njoftuar edhe kryeministria.

“Biseduan rreth rëndësisë së komunikimit të rregullt dhe bashkërendimit në shërbim të sigurisë dhe paqes në vend, dhe bashkëpunimit dhe aktiviteteve të përbashkëta të KFOR-it dhe institucioneve të sigurisë së Kosovës”, tha Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat