Deklaratat se Qorrolli ishte kandidat i Radoiçiq-it për gjyqtar në Kushtetuese, zv/ministri padit për shpifje Abelard Tahirin

Aktuale

Deklaratat se Qorrolli ishte kandidat i Radoiçiq-it për gjyqtar në Kushtetuese, zv/ministri padit për shpifje Abelard Tahirin

Më: 24 tetor 2024 Në ora: 15:55
Vigan Qorrolli

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka dorëzuar padi për shpifje kundër shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri. Padia për shpifje është ngritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ai ka ftuar mediat që t’i përcjellin seancat gjyqësore në këtë rast.

“Sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i shoqëruar nga avokati im, Genc N. Kadriu, e kam dorëzuar padinë për shpifje, ndaj Abelard Tahirit, shefit shpifës të Grupit Parlamentar të PDK-së. Çapaçuli shpifës do duhet t’i tregojë tashmë gjykatës dhe përmes saj tërë opinionit publik sesi unë jam propozuar për gjyqtar nga benjaminët e tij politik të bashkëqeverisjes. I ftoj mediat që ta përcjellin ditëve në vijim seancën gjyqësore me rastin e caktimit të masës së sigurisë për ndalimin e shpifjeve kundrejt personit tim nga një shpifës ordiner si i padituri në fjalë”, ka shkruar Qorrolli në “Facebook”.

Zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë, Vigan Qorroli, para se të emërohet në këtë pozitë, sipas shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka qenë kandidati i kryeterroristit, Milan Radojiçiç për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

“Kishin një koordinim me Lëvizjen Vetëvendosje dhe kishin kandidatin e tyre për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese”, pati thënë ai në një konferencë për media.

Fatmirësisht votimi i tij në Kuvendin e Kosovës, sipas Tahirit, është pamundësuar nga një pjesë e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Listës Guxo.

“E kemi parandaluar që i njëjti të shkoi në Gjykatën Kushtetuese”, shtoi ai duke potencuar se i njëjti sot shërben si zëvendësministër i Drejtësisë.

“Flasim për një kandidat i cili ka qenë më shumë se katër herë në garë e që është përkrahur nga LVV-ja edhe kur ka qenë në opozitë kjo parti, edhe tani në pushtet. Fatmirësisht Vigan Qorrolli nuk arrin të emërohet në Gjykatën Kushtetuese si rezultat i një angazhimit të opozitës së bashku me një pjesë të vogël të deputetëve nga LVV-ja”, shtoi ai

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat