Bytyçi: Nuk është befasi që nuk pati marrëveshje për temat e rëndësishme në Bruksel

Aktuale

Bytyçi: Nuk është befasi që nuk pati marrëveshje për temat e rëndësishme në Bruksel

Më: 24 tetor 2024 Në ora: 18:37
Seb Bytyçi

Profesori, Seb Bytyçi, nuk e sheh të befasishme mos arritjen e ndonjë rezultati për temat kryesore, në takimin trepalësh të së enjtes në Bruksel mes Bislimit dhe Petkoviq, me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Sipas tij, rezultat mund të jetë arritur vetëm për tema dytësore apo tretësore, pasi siç ka thënë ‘për ato të rëndësishmet Serbia ka gjetur gjithmonë mënyra për ta zvarritur implementimin apo kryerjen e obligimeve të saj’.

“Nuk është befasi fare që nuk ka rezultat, ndoshta mund të arrihet ndonjë rezultat për ndonjë temë dytësore apo tretësore. Temat kryesore dihet janë zbatimi i marrëveshjeve, sekuencimi, pastaj e kemi çështjen e personave të pagjetur dhe të gjitha këto çështje Serbia ka gjetur mënyra për ta zvarritur implementimin apo kryerjen e obligimeve të saj prandaj nuk është befasi”, ka thënë ai.

Bytyçi pret ndonjë takim të nivelit të lartë mes Kurtit dhe Vuqiç vetëm nëse ndryshojnë gjërat me fillimin e mandatit të përfaqësuese Kallas për çka është shprehur skeptik sepse nuk beson se ajo do ta merr me vrull çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk pres ndonjë takim të nivelit të lartë përveç nëse ndryshojnë gjërat me fillimin e mandatit të përfaqësueses Kallas dhe pas zgjedhjeve në ShBA që do të mbahen pas dy javëve, mirëpo nuk pres që do të ketë ndonjë ndryshim të madh nuk pres psh që Kallas ta merr me vrull çështjen e dialogut Kosovë-Serbi sepse kemi çështje më të rëndësishme sic është Ukraina”, ka shtuar ai.

Të enjten në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, kanë zhvilluar një takim trepalësh me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Takimi trepalësh ka nisur pas takimeve dypalëshe që i dërguari i bllokut mbajti me përfaqësuesit e të dyja vendeve fillimisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat