“Do ta shkarkojë për dy sekonda” – Trump flet për prokurorin që ngriti aktakuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Aktuale

“Do ta shkarkojë për dy sekonda” – Trump flet për prokurorin që ngriti aktakuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Më: 24 tetor 2024 Në ora: 19:53
Donald Trump dhe Jack Smith

Kandidati i republikanëve për president të SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se do ta shkarkojë “brenda dy sekondave” prokurorin special, Jack Smith, në momentin kur merr postin e presidentit.

Siç raporton AP, ai ka deklaruar të enjten se ky do të jetë ndër vendimet e para si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, derisa e ka cilësuar prokurorin special si person “të poshtër”.

Smith e ka akuzuar Trumpin për përpjekjet e tij në përmbysjen e procesit zgjedhor të 2020-s dhe keqpërdorim me dokumente të falsifikuara.

Por, prokurori Jack Smith ka mbajtur postin edhe të kryeprokurorit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë, ku po gjykohet ish-presidenti Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Nëntorin e 2022-s, Smith kishte braktisur detyrën në Hagë, për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara me qëllim që ta hetojë Trumpin.

Ai është fokusuar në hetimin e dokumenteve të klasifikuara të gjetura në shtëpinë e Trumpit dhe për rolin e ish-presidentit në sulmin ndaj Capitolit.

Kritika ndaj Smithit ka pasur edhe ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Ai ishte shprehur se aktakuza ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi nga Dhomat e Specializuara u parapri nga negociatat për arritjen e “marrëveshjes finale që përfshinte edhe zhbërjen e Gjykatës Speciale”.

“Një grup prokurorësh nuk mundën të gjenin prova kundër Thaçit dhe ish-prokurori tha se nuk kishte asgjë në të e mbylli dosjen dhe iku. Haga vazhdoi të shpenzonte dollarët amerikanë dhe Jack Smith shpenzoi vite duke hetuar krime lufte”, ka thënë Grenell për Smithin në majin e 2024-s.

Por, Smith pati deklaruar se akuzat nuk janë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e as kundër Kosovës, por ndaj individëve.

“Aktakuza ka të bëjë vetëm me përgjegjësinë penale individuale të të akuzuarve. Në çështjen Thaçi dhe të tjerët, ata janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Megjithatë, kur paraqiten akuza për Ndërmarrje Kriminale të Përbashkët (NKP) si formë përgjegjësie penale, është standard ligjor që në aktakuzë të përmenden edhe disa aktorë kryesorë të tjerë të identifikueshëm”, kishte thënë ai në 2021-n.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat