Abrashi: Sllovakia nuk sheh mundësi të avancimit të marrëdhënieve në këtë fazë

Aktuale

Abrashi: Sllovakia nuk sheh mundësi të avancimit të marrëdhënieve në këtë fazë

Më: 24 tetor 2024 Në ora: 21:27
Emir Abrashi

Vendimi i Sllovakisë për mbylljen zyrës ndërlidhëse në Kosovë po shihet si lajm i keq për diplomacinë kosovare. Njohësi i politikës të jashtme, Emir Abrashi, thotë se Kosova dështoi të krijoi marrëdhënie më të mira diplomatike me Sllovakinë, andaj edhe kjo e fundit vendosi ta mbyll zyrën diplomatike në Prishtinë.

Diplomacia kosovare pranoi edhe një tjetër lajm të keq.

Sllovakia ka vendosur që ta mbyllë zyrën e saj ndërlidhëse në Prishtinë.

Sipas Ministrisë së Jashtme të këtij shteti që nuk e njeh Kosovën, ky vendim ka ardhur për shkak të riorganizimit të rrjetit diplomatik dhe zvogëlimit të buxhetit.

“Sipas vendimit të Qeverisë Sllovake, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Sllovakisë në Prishtinë do të mbyllet deri më 31 dhjetor 2024 për shkak të riorganizimit të rrjetit diplomatik dhe zvogëlimit të buxhetit”, thuhet nga ministria sllovene.

Mirëpo ky vendim po si shihet diçka normale nga Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë.

Sipas tyre ristrukturimet e tilla janë evidente edhe në shtete të tjera. Megjithatë nga Ministria e Jashtme thonë se janë të angazhuar dhe të përkushtuar për t’i forcuar marrëdhëniet me Sllovakinë.

“Bazuar në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Sllovakisë që deri më 31 dhjetor 2024, ambasadat sllovake në Danimarkë dhe Norvegji, konsullatat e përgjithshme në Krakov dhe Shën Petersburg dhe zyra ndërlidhëse në Kosovë do të mbyllen, Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës. e Republikës së Kosovës, edhe në sqarimet e njoftimit, vlerëson se vendimi është pjesë e një sistemi të rrjetit diplomatik të Sllovakisë. Ristrukturimet e tyre të rrjeteve diplomatike në me objektivat strategjike dhe resurset që janë evidente edhe në shtete të tjera”, thuhet nga MPJD.

Por mbylljen e zyrës ndërlidhëse të Sllovakisë e vlerëson si lajm të keq, njohësi i politikës së jashtme, Emir Abrashi.

Abrashi konsideron se Kosova ka dështuar të krijoj marrëdhënie të mira diplomatike me Sllovakinë, pavarësisht se kjo e fundit nuk e njeh shtetin më të ri në Evropë.

“Me gjithë faktin se Sllovakia nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës, ka parë potencial për zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike. Tani kur ka vendosur që ta mbyllë zyrën ndërlidhëse përçohet një mesazh që nënkupton se Sllovakia nuk sheh mundësi të avancimit të marrëdhënieve në këtë fazë dhe rrjedhimisht i kursen resurset dhe i rialokon diku tjetër”, shprehet Abrashi.

Tutje Abrashi ka treguar për disa nga problemet me të cilat ballafaqohet Ministria e Punëve të Jashtme.

“Në periudhën e fundit ka pasur skandale të vazhdueshme diplomatike, ftohje të marrëdhënieve me miqt ndërkombëtar dhe rrjedhimisht nuk kemi arritur që kultivojmë marrëdhënie me shtete tjera.
Gjitha këto tregojnë se kjo qeveri nuk ka ditur t’i qaset politikës së jashtme”
, thotë ai.

Sllovakia, së bashku me Spanjën, Qipron, Greqinë dhe Rumaninë janë shtetet brenda bllokut evropian që refuzojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat