MSH-ja premton investime në Oftalmologji, ambasadori turk: Spitalet tona të gatshme të hapin qendra në Kosovë

Aktuale

MSH-ja premton investime në Oftalmologji, ambasadori turk: Spitalet tona të gatshme të hapin qendra në Kosovë

Më: 25 tetor 2024 Në ora: 11:17
Gexha tha se mbështesin nisma të tilla të cilat ndihmojnë në përparimin e shkencës mjekësore dhe shërbimeve për pacientë.

Oftalmologët e Kosovës kanë organizuar kongresin e katërt nacional dhe takimin e dytë ballkanik të oftalmologëve. Me këtë rast zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha, tha se mbështesin nisma të tilla të cilat ndihmojnë në përparimin e shkencës mjekësore dhe shërbimeve për pacientë.

Sipas sa, kjo është mundësi e jashtëzakonshme për shkëmbimin e njohurive dhe përparimeve të fundit në fushën e oftalmologjisë. Madje tha se janë bërë investime të mëdha në Klinikën e Oftalmologjisë në QKUK, duke premtuar edhe përmirësim të infrastrukturës e aparatura të reja.

“Ky kongres i cili bashkon profesionistët e fushës nga rajoni jonë dhe më gjerë është mundësi e jashtëzakonshme për shkëmbimin e njohurive dhe përparimeve të fundit në fushën e oftalmologjisë. Nëpërmjet punës suaj ju kontribuoni në ruajtjen dhe përkushtimin e shëndetit të syrit për mijëra pacientë në vit. Shoqatat profesionale si e juaja, luajnë një rol kyç në avancimin e kësaj fushe duke nxitur dhe përkrahur bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin e praktikave më të mira”, u shpreh zëvendësministrja.

“Për më tepër bashkëpunimi ndërmjet shteteve reflekton mundësinë e përpjekjeve të përbashkëta për të përmirësuar kujdesin shëndetësor. Ministria e Shëndetësisë mbështet plotësisht nisma të tilla të cilat ndihmojnë në përparimin e shkencës mjekësore dhe përmirësimin e shërbimeve për pacientë. Ne jemi të angazhuar për të ofruar mbështetje për zhvillimin e infrastrukturës dhe burimeve njerëzore në fushën e oftalmologjisë dhe për të përmirësuar qasjen e pacientëve tanë në kujdes shëndetësor. Ne si MSh bashkë me ShSKUK kemi bërë investime të mëdha në Klinikën e Oftalmologjisë si në aparaturë dhe infrastrukturë por edhe në Spitale të Përgjithshme. Kemi rritur buxhetin dhe presim rezultate”, u shpreh ajo.

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, tregoi për bashkëpunimin shëndetësor ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Ai foli edhe për trajtimin që pacientët kosovarë marrin në Turqi.

Sipas tij, spitalet nga Turqia janë të gatshme që të hapin qendrat e tyre edhe në Kosovë.

“Siç e dini, shumë qytetarë të Kosovës preferojnë që të shkojnë në Turqi që të marrin trajtimin e duhur, një pjesë e tyre financohen nga Qeveria e Kosovës, një pjesë e tyre shkojnë në bazë të marrëveshjes bilaterale për shëndetësi e që mbulimi bëhet nga Ministria e Shëndetësisë, por shumica e pacientëve në Kosovë shkojnë në Turqi me shpenzime të tyre dhe unë besoj që ne tashmë mund të kalojmë në një fazë tjetër shëndetësor që të sjellim spitalet turke më shumë këtu në Kosovë dhe rajon, të cilat më pastaj mund ta ruajnë paranë e Qeverisë këtu në Kosovë”, u shpreh ambasadori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat