Grafite fyese kundër Fadil Gecit në Prishtinë, dëshmoi në Hagë kundër Thaçit dhe të tjerëve

Aktuale

Grafite fyese kundër Fadil Gecit në Prishtinë, dëshmoi në Hagë kundër Thaçit dhe të tjerëve

Më: 25 tetor 2024 Në ora: 11:58
Grafite fyese kundër Fadil Gecit në Prishtinë

Grafite fyese për ish-deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fadil Geci, janë shfaqur në Prishtinë, ato ndërlidhen me dëshminë e tij në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

“Shk* i biri i shk*nës”, shkruhet në grafit, njëri prej të cilëve është vendosur në pllakën përkujtimore të ushtarëve të KFOR-it e cila gjendet në sheshin “Nëna Terezë”, në Prishtinë.

Mbi këtë shkrim është vendosur edhe një fotografi e Gecit, ku ai shihet duke dëshmuar në Hagë.

Të martën dhe të mërkurën, Fadil Geci ka dëshmuar në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Ish-deputeti Fadil Geci gjatë dëshmisë para Dhomave të Specializuara në Hagë ka theksuar se ish-presidenti, Hashim Thaçi, e ka pasur synim pushtetin dhe se për këtë arsye ai ka dashur që t’i eliminojë pjesëtarët e Lidhjes Demokratike (LDK) në Drenicë e të cilët i ka parë si pengesë.

Ai ka thënë menjëherë pasi që e ka kuptuar se Thaçi e ka shkruar komunikatën numër 59, ai ka shkuar në shtëpinë e tij. Në këtë komunikatë, sipas dëshmitarit, vëllai i tij, Gani Geci, është fajësuar si tradhtar pas vrasjes së pjesëtarit të UÇK-së, Abedin Rexha – i njohur si Sandokani.

Geci ka theksuar se disa shokë të tij nga dega e LDK-së në Drenicë janë vrarë dhe janë kërcënuar.

Ai gjatë dëshmisë ka folur edhe për komunikatën e 59-të të UÇK-së në të cilën vëllai i tij, Gani Geci, ishte etiketuar si tradhtar pas vrasjes së komandantit të UÇK-së, Abedin Rexha.

Atij nga ZPS-ja iu treguan deklarata të Hashim Thaçit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit lidhur më komunikatën.

Pas kësaj Geci tha se pajtohet me një deklaratë televizive ku Rexhep Selimi kishte thënë se vëllai i tij nuk e kishte vrarë Adedin Rexhën, por ka akuzuar ish-presidentin Thaçi.

Ai gjatë dëshmisë së tij ka folur edhe për ndalimin e aktivistëve të LDK-së, Mehdi Bardhi dhe Cen Desku.

Sipas tij, të dytë i kanë thënë se prapa arrestimit të tyre ka qëndruar i akuzuari Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat