Ahmeti: Kushtëzimi me Asociacionin i jep veto Serbisë për anëtarësimin e Kosovë në KE

Aktuale

Ahmeti: Kushtëzimi me Asociacionin i jep veto Serbisë për anëtarësimin e Kosovë në KE

Më: 25 tetor 2024 Në ora: 14:14
Kreshnik Ahmeti

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret që të jetë anëtare e Këshillit të Evropës. Por, sipas tij, është e vështirë politikisht që brenda këtij vitit të futët në agjendën e Këshillit të Ministrave.

“Në kuptimin politik nuk mund të them, është vështirë të parashikohet, por në kuptimin procedural kjo mundësohet që të thirren seanca të jashtëzakonshme të ministrave në nivel të ministerialit të Komitetit të Ministrave dhe të merret një vendim”. ka thënë Ahmeti.

Zëvendësministri, Ahmeti, thotë se kushtëzimet e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me procesin e dialogut janë të padrejta.

“Ta sqarojmë. Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një çështje që i takon Brukselit, pra dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Çështja e Këshillit të Evropës i takon Strasburgut është një cështje plotësisht e ndarë. Asociacioni asnjëherë nuk ka qenë obligim për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Kemi vizita të juristëve eminent të cilët nuk e kanë përmendur Asociacionin si obligim për anëtarësim. Kemi vizitat e tri raportuese politike të Këshillit të Evropës të cilat në fund e bënë opinionin që u votua me mbi 80% të delagatëve të Asamblesë Parlamentare ku nuk përmendet Asociacioni si parakusht. Aty qartë thuhet që është pika 12.4 e këtij opinioni që thotë që bëhet thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit, pra është fjala për marrëveshjen e fundit ku bënë pjesë edhe Asociacioni. Pras, nuk vihet ekskluziviteti tek një pikë e kësaj marrëveshje. Në bazë të kësaj, ne kemi edhe letrën e zotimeve të tre krerëve institucional, Presidentes, Kryeparlamentarit dhe të Kryeministrit, që zotohen për zbatimin e kësaj marrëveshje për brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Për më tepër, vet zonja Bakoyannis raportuesja kryesore e cila siç e dimë është ish-ministre e Punëve të Jashtme të një shteti mos njohës Greqisë në Asamblenë Parlamentare deklaroi se Asociacioni nuk është një obligim i një anshëm i Kosovës, është pjesë e një marrëveshje që është e dy anshme, prandaj nuk mund të futet si parakushte në opinionin e Këshillit të Evropës”, ka thënë Ahmeti për rtv21.

Sipas zëvendësministrit, Ahmeti, Kosova është interesuar që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës dhe në secilën organizatë në bazë të meritave të cilat i kërkon ajo organizatë.

“Në Këshillin e Evropës është organizata kryesore në Evropë për sundimin e ligjit dhe të drejtave të njeriut dhe aty vet Këshilli i Evropës thotë se ne i kemi plotësuar standardët plotësisht. Madje, në kuptimin e të drejtave të njeriut, juristët eminent theksojnë që legjislacioni i Kosovës është mbi standardet ndërkombëtare.
Ne jemi të gatshëm të punojmë në suazat e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit përbrenda Këshillit të Evropës. Por, ne tashmë i kemi plotësuar këto standarde. Sa i përket Asociacionit dhe marrëveshjes së Brukselit topi është tek Serbia, jo tek Kosova. Kosova është ajo që shprehë interesimin që të nënshkruhet kjo marrëveshje në mënyrë që të zbatohet në tërësi. Pra, është e qartë se Serbia duhet ta tërheq letrën që e ka dërguar ish-kryeministrja e tyre në BE se praktikisht tërhiqen nga ajo marrëveshje. Dhe për të krijuar mirëbesim duhet të dorëzohen kryeterroristët që e bënë sulmin terrorist, agresionin në Banjskë”, tha Ahmeti.

Zëvendësministri, Ahmeti, vlerëson se kushtëzimet e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me themelimin e Asociacionit nuk e vendos Këshillin e Evropës në një dritë të mirë sepse, siç thotë, një organizatë për të drejtat e njeriut nuk duhet të shfrytëzohet si levë presioni për një proces tjetër.

“Në anën tjetër, duhet ta kemi parasysh që është edhe në vetë interesin e Këshillit të Evropës që të bëjnë një anëtar shtesë siç është Kosova. Sepse Kosova është i vendi i vetëm demokratik në Evropë që nuk është pjesë e Këshillit të Evropës dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut nuk ka juridiksion në territorin e Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, duke e kushtëzuar anëtarësimin e e Kosovës me një cështje që nuk ka të bëjë me Këshillin e Evropës dhe që kërkon zgjidhje në Bruksel ku procesi është bllokuar nga Serbia, i jepet veto Serbisë mbi këtë anëtarësim, dhe për më tepër i pamundësohet komunitetit serb në Kosovë fuqizimi i të drejtave për brenda kushtetutës dhe konventave të Këshillit të Evropës. Paradoksalisht duke e pamundësuar anëtarësimin e Kosovës me thirrjen që duhet të bëhet diçka për të drejtat e serbëve, në fakt po pamundësohet mbrojtja e atyre të drejtave. Dhe sot të gjitha komunitetet në Kosovë përfshirë edhe serbët nuk kanë të drejtë të apelojnë vendimet e institucioneve gjyqësore të Kosovës në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, tha Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat