“Centrali i ri” i Kurtit: Pjesët po ruhen në Gjermani – KEK flet për turbinat e reja të Kosova B, kur pritet të përfundojnë punët?

Aktuale

“Centrali i ri” i Kurtit: Pjesët po ruhen në Gjermani – KEK flet për turbinat e reja të Kosova B, kur pritet të përfundojnë punët?

Më: 25 tetor 2024 Në ora: 17:45
Foto ilustrim

Punët për modernizim e turbinave të Termoncetralit “Kosova B”, deri tash po shkojnë sipas planit.  Nga KEK kanë konfirmuar se pjesët kryesore të planifikuara për ndërrim ose modernizim, janë prodhuar tashmë. Ato do të ruhen në Gjermani deri kur të fillojë liferimi për montimin e turbinave. Por, kur do të ndodhë kjo?

Investim të përafërt me ndërtimin e një centrali të ri e kishte cilësuar Kryeministri Albin Kurti, marrëveshjen 56 milionëshe që ishte nënshkruar vjet për modernizimin e turbinave të Termocentralit “Kosova B”.  

Në fjalën që kishte mbajtur në ceremoninë e nënshkrimit, Kurti kishte thënë se këto investime do të rezultojnë në prodhim të shtuar të energjisë dhe se kështu do të ulet varësia ndaj importeve.

“Kapaciteti i njësive do të rritet nga 14 deri në 17 megavat. Pas rekonstruktimit që do të bëhen në Turbinën e Presionit të Lartë dhe atij të Ulët nuk do të kemi nevojë për riparime të shpeshta kapitale; ato do të jenë të nevojshme vetëm çdo 8 apo 9 vite. Në thelb, këto investime rezultojnë në prodhim të shtuar të përafërt me ndërtimin e një centrali të ri të energjisë elektrike”, kishte deklaruar Kurti.

Marrëveshja ishte nënshkruar nga Kryeshefi tashmë i shkarkuar i KEK, Nagip Krasniqi me kompaninë amerikane “General Electric ”, e cila para katër dekadash kishte dizejnuar teknologjinë e këtyre turbinave. Prej vënies së nënshkrimit e deri tash, nuk ka pasur ndonjë njoftim lidhur me këtë projekt.

Detaje lidhur me rrjedhën e punimeve që po bëhen kanë dhënë nga Korporata Energjetike e Kosovës.

Nga kjo ndërmarrje kanë thënë se të gjitha punët që përfshijnë dizajnimin, ndërtimin dhe prodhimin janë realizuar deri në këtë fazë.

Zëdhënësi i KEK, Skënder Bucolli, i ka thënë medias se pjesët kryesore për turbinat e blloqeve B1 dhe B2, të planifikuara për ndërrim ose modernizim janë prodhuar tashmë dhe se do të ruhen në Gjermani deri kur do të fillojë liferimi për montimin e turbinave.

Të gjitha pjesët kryesore për turbinat e njësive B1 dhe B2, të planifikuara për ndërrim ose modernizim, janë prodhuar sipas kushteve të kontratës. Pjesët do të ruhen në Gjermani deri në vitin 2025, kur do të fillojë liferimi për montimin e turbinës së njësisë B2, ndërsa për njësinë B1 do të jetë në vitin 2026”, ka deklaruar Bucolli.

Për bllokun B1, punët do të përfundojnë në pranverë-verë të vitit të ardhshëm, e për B2 në po këtë periudhë por të vitit 2026.

“Punët në terren për demontimin dhe montimin e turbinave janë planifikuar të bëhen krahas me zbatimin e kontratës për ndërtimin e elektrofiltrave të rinj dhe masave për reduktimin e oksideve të azotit (deNOx), financuar nga BE. Prandaj, për njësinë B2, plani përfundimtar i punëve në terren është në pranverë-verë të vitit 2025, ndërsa për njësinë B1 është parashikuar në vitin 2026, në të njëjtën periudhë kohore”, thuhet në përgjigjen e Bucollit për median.

Kur ishte nënshkruar marrëveshja, nga kjo ndërmarrje kishin deklaruar se modernizimi do të zgjasë jetëgjatësinë e turbinave dhe se tash riparimet kapitale të tyre nga çdo 5 vjet, do të bëhen në çdo 8-9 vjet.

Nga Korporata Energjetike e Kosovës kanë deklaruar ky investim do të rrisë kapacitetin e prodhimit për 14-17 MË për njësi, pa emetime shtesë dhe ndikim negativ në ambient, si dhe do të zgjasë jetëgjatësinë e përdorimit të turbinave.

Ky investim do të na lejojë të vazhdojmë me kërkesën në rritje për energji elektrike duke siguruar që termocentralet tona të bëhen më efikase dhe më të besueshme. Me këtë projekt modernizimi, në po prezantojmë përparimet më të fundit teknologjike në inxhinierinë e termocentraleve për të rritur efikasitetin dhe produktivitetin e tyre, si dhe zbatimin e sistemeve të avancuara të kontrollit dhe monitorimit”, thanë nga KEK, pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Në dosjen e tenderit për këtë kontratë theksohej se modernizimi përfshinte komplet rekonstruktimin e turbinës se presionit te lartë dhe asaj të presionit të ulët, ndërsa turbina e presionit të mesëm do t’i nënshtrohej vetëm riparimit të zakonshëm kapital të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat