“Liria ka emër”, ka reaguar pas grafiteve të vendosura në Prishtinë, ku aty denigrohet ish-pjesëtari i UÇK-së Fadil Geci, pas dëshmisë së tij në Hagë në gjykimin kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Kjo platformë thotë se nuk ka të bëjë asgjë me asnjë lloj veprimtarie jozyrtare, e posaçërisht grafiteve të cilat janë shfaqur sot në kryeqytet.
“Veprimtaria e platformës “Liria Ka Emër” është një dhe e vetme: mbrojtja, respektimi dhe promovimi i vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Liria Ka Emër” nuk ka qëllime politike dhe nuk është paltformë e cila merret me denigrimin e askujt. Mbi të gjitha, e gjithë veprimtaria e platformës tonë është legale, publike dhe transparente”, shkruan në reagim.
“Si e tillë, platforma ‘Liria Ka Emër’ kërkon mirëkuptimin e secilit qytetar të Republikës së Kosovës që t’a mbajnë larg nga diskursi, polemikat apo mosmarrëveshjet publike”.
“Liria Ka Emër”, tutje në postimin e saj në Facebook, ftoi organet e drejtësisë që të merren seriozisht me zbardhjen e këtij rasti sa më parë që është e mundur.