MSH-ja s’i ka në Listë Esenciale ilaçet mijëra euro për kancer, pacientët detyrohen t’i blejnë

Aktuale

MSH-ja s’i ka në Listë Esenciale ilaçet mijëra euro për kancer, pacientët detyrohen t’i blejnë

Më: 25 tetor 2024 Në ora: 20:00
Klinika e Onkologjisë

Pacientëve me kancer mjekët u përshkruajnë ilaçe që nuk janë pjesë e listës esenciale. Ato duhet të blihen jashtë vendit dhe kushtojnë mijëra euro. Në Onkologji thonë se kanë kërkuar që këto barna të përfshihen në listën që e siguron shteti, por kjo nuk ka ndodhur deri tash.

Pacientët me sëmundje të rënda dhe familjarët e tyre, pos me sëmundjen, përballen edhe me vështirësitë për të siguruar terapinë që shpesh shkon në mijëra euro.

Familjarja e një pacienti që është duke iu nënshtruar kimioterapisë, ka treguar se mjekët në Klinikën e Onkologjisë ia kanë përshkruar atij dy ilaçe, ‘Mekinist’ dhe ‘Tafinlar’, që nuk janë në Listën e Barnave Esenciale e kësisoj nuk sigurohen nga buxheti i shtetit.

Ajo tha se për familjarin e diagnostikuar me kancer të lëkurës, medikamentet i gjetën jashtë vendit, porse me çmim tejet të lartë.

“I kemi parë që nuk po i gjejmë askund në Kosovë... Terapinë e parë e kemi siguruar në Turqi. Ka qenë goxha e shtrenjtë. Na ka kushtuar gjashtë mijë euro, gjashtë mijë e pak, sidoqoftë, pastaj ka qenë problem edhe transporti, deri si ta sigurojmë transportin për të ardhur në Kosovë, sepse sipas telefonatave që i kemi bërë me Doganë e me aeroport e me institucione të tjera thoshin që duhet të jetë personi fizik, domethënë se pacienti të shkojë t’i marrë, ndërsa nuk është e rekomandueshme prej mjekut të udhëtojë edhe shumë personi”, u shpreh familjarja e pacientit.

Sipas saj, kjo terapi është e mjaftueshme veç për një muaj e për më pas, u shpreh se nuk e di se ç’do të bëhet.

“Është një çmim, një shumë pak e madhe për një familje që mund ta përballojë, në fakt që nuk mund ta përballojë në Kosovë, duke e ditur qysh janë rrogat mesatare në Kosovë, nuk është vetëm ta arrish atë çmim, për të sigurosh barna në muaj se këto janë barna që duhet t’i marrësh çdo muaj dhe për një kohë goxha të gjatë”, ka thënë familjarja.

Familjarja tha se kjo lloj terapie është përshkruar nga mjekët si e vetme dhe bazë.

Në Klinikën e Onkologjisë thonë se janë të vetëdijshëm për vështirësitë që u shkaktohen pacientëve gjatë sigurimit të ilaçeve. Drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurteshi, theksoi se përshkrimi bëhet me pëlqimin e pacientit dhe familjarëve.

“Normalisht si linjë e parë, ne i përdorim tretmanin ose barnat, të cilat i kemi në klinikë dhe të cilat janë pjesë e listës esenciale dhe ndonjëherë kur ka nevojë ose kur ka mendime sekondare nga institucionet e tjera relevante onkologjike, qofshin në shtetet rreth Kosovës ose jashtë, ne ju rekomandojmë ose vazhdojmë rekomandimet, të cilat janë marrë nga ekspertët e onkologjisë dhe pacientët në ato raste duhet t’i sigurojnë, d.m.th. i sigurojnë, është numër i vogël që i sigurojnë edhe ato barna, të cilat ne nuk i kemi dhe të cilat kanë benefit në shëndetin e tyre”, ka deklaruar drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi.

Kurtishi tha se si klinikë kanë kërkuar disa herë që këto barna të përfshihen në listën e barnave që i siguron shteti. 

Në Ministrinë e Shëndetësisë, që është përgjegjëse për hartimin e listës, thanë se këtyre produkteve nuk u është dhënë përparësi për shkak se nuk janë as në listën model të OBSH-së.

“Komiteti Kyç ka bërë revidimin e listës të produkteve mjekësorë konform standardeve të OBSH-së (ku përfshihet edhe kosto-efektiviteti i produktit në raport me GDP-në në specifikë të shtetit) dhe tavanit të buxhetit të ndarë nga institucionet shtetërore për produkte mjekësore (tashmë i rritur nga 35 milionë euro në mbi 60 milionë euro sivjet). Jo të gjitha kërkesat për produkte mjekësore mund të përfshihen në listën e produkteve mjekësore dhe kjo nuk ndodh vetëm në Kosovë. Për njohurinë tuaj, në listën model të OBSH-së nuk janë të aprovuara produktet e përmendura nga ju (për trajtimin e melanomës), ndërsa ato që janë (nivolumab dhe pembrolizumab) gjenden në LBE të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

E ‘Mekinist’ dhe ‘Tafinlar’ nuk janë medikamentet e vetme që u përshkruhen pacientëve e që nuk janë pjesë e Listës esenciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat