​Osmani i kërkon Von der Leyen heqjen e masave ndaj Kosovës dhe reagim ndaj Serbisë

Aktuale

​Osmani i kërkon Von der Leyen heqjen e masave ndaj Kosovës dhe reagim ndaj Serbisë

Më: 26 tetor 2024 Në ora: 12:08
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur Serbinë si satelitin më i fortë të Rusisë në Evropë, për të cilën Bashkimi Evropian duhet të tregojë vendosmëri.

Presidentja Osmani në konferencën e përbashkët me Ursula von der Leyen, uroi këtë të fundit për rizgjedhjen në krye të Komisionit Evropian, duke thënë se pret me padurim që ta vazhdojnë bashkëpunimin që kanë ndërtuar për gjatë viteve.

Osmani tha se vizita e Von der Leyen në vendin tonë është vetëm pak ditë pas miratimit të agjendës së reformave për Kosovën.

Osmani: Mezi presim që të zbatojmë reformat e këtij plani dhe të përfitojmë sa më shumë

“Ky është një lajm jashtëzakonisht pozitiv për vendin tonë. Këta hapa konfirmojnë përkushtimin e BE-së për ta ofruar rajonin gjithnjë e më shumë drejt integrimit në BE e po ashtu do të shërbejnë si një motiv shtesë për të punuar më shumë për të ardhmen tonë të përbashkët në familjen e Bashkimit Evropian. Padyshim që rruga deri këtu nuk ka qenë e lehtë por ia ka vlejtur, prandaj ne mezi presim që të zbatojmë reformat e këtij plani dhe të përfitojmë sa më shumë nga kjo mundësi në muajt dhe vitet në vijim. Agjenda e reformave për Kosovën është fokusuar në pesë fusha prioritare, ekonomi, siguri energjetike, tërheqje të investimeve të huaja dhe fusha tjera, dhe parashihet që deri në fund të vitit 2027, Kosova të përfitojë deri në 882 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian, pas zbatimit të të gjithë hapave të reformës që janë parashikuar në agjendën e reformave, respektivisht Kosova do të jetë përfituese më e madhe nga kjo paketë për kokë banori”, tha Osmani duke theksuar se Kosova shquhet për përafrimin e politikave të jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes me politikat e BE-së.

Megjithatë, Osmani shtoi se është fat i keq për gjithë Ballkanin Perëndimor dhe BE-në që një shtet siç është Serbia, vazhdon të jetë sateliti më i fort në Evropë.

Osmani: BE të tregojë vendosmëri edhe ndaj satelitëve të Rusisë

“Është koha e fundit që vendosmërinë që BE ka treguar në raport Rusinë të tregohet edhe ndaj satelitëve dhe shërbyesve të Rusisë në rajonin tonë. Kjo në veçanti është me rëndësi sa i përket Serbisë për aktin e agresionit ndaj Kosovës të kryer nëpërmjet forcave paramilitare, terroristë në shtator të vitit të kaluar gjë që sipas Shtëpisë së Bardhë ka pasur për qëllim të destabilizoj, jo vetëm Kosovë por të gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha ajo, derisa shtoi se Kosova në anën tjetër po dëshmon qasje konstruktive dhe po vepron në frymën e fqinjësisë së mirë, duke avancuar në sundim të ligjit dhe duke mbajtur sistemin më të avancuar kushtetues në të gjithë kontinentin evropian sa i përket pakicave.

Osmani: Është edhe koha e fundit që edhe masat e padrejta ndaj Kosovës të largohen

“Andaj sot kemi nevojë që Bashkimi Evropian t’i vlerësoj dhe t’i njoh këto arritje. Rrjedhimisht është edhe koha e fundit që edhe masat e padrejta ndaj Kosovës të largohen përfundimisht. Përveç që të padrejta, këto masa po dëmtojnë drejtpërdrejt qytetarët e Kosovës pa dallim dhe kanë dëmtuar edhe vet procesin e dialogun duke e bërë atë të pabalancuar, të pabarabartë dhe të pakredibilitet”, tha presidentja Vjosa Osmani.

Osmani ritheksoi se vendi ynë do të vazhdojë të jetë e palëkundur në aspiratat drejt anëtarësimit në BE.

Von der Leyen po qëndron për vizitë në Kosovë si pjesë e turneut në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, për të shprehur përkushtimin e komisionit për angazhim në afrimin e rajonit drejt BE-së.

Von der Leyen aktualisht është takuar me kryeministrin Albin Kurti, ku mediat do të kenë mundësi të marrin vetëm pamje.

Von der Leyen ndalesën e parë e kishte Shqipërinë më 23 tetor, për të vazhduar në Maqedoninë e Veriut, Bosnje e Hercegovinën dhe Serbi. Vizitën në rajon ajo do ta përfundojë me takimin me liderët e Malit të Zi në Podgoricë.

Ndryshe, të premten e kaluar, BE miratoi agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë paraqitur ato si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes prej 6 miliard eurosh.

Kosova, e cila aplikoi për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2022, mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat