​Kuzhinierët e Mensës në ndihmë të FSK-së: Çfarë ndodh me ushqimin e studentëve?

Aktuale

​Kuzhinierët e Mensës në ndihmë të FSK-së: Çfarë ndodh me ushqimin e studentëve?

Më: 26 tetor 2024 Në ora: 14:53
​Kuzhinierët e Mensës në ndihmë të FSK-së

Po bëhen gati një muaj prej kur 15 kuzhinierë të Mensës së Studentëve në Prishtinë, janë angazhuar në përgatitjen e ushqimit për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Ky shërbim do të vazhdojë derisa të zgjidhen kuzhinierët përmes konkursit të Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërkohë, mungesa e kuzhinierëve në mensë ka rritur ngarkesën dhe përgjegjësitë për stafin e mbetur.

Rreth 65 punëtorë të tjerë janë të angazhuar që të shërbejnë ushqim për afro pesë mijë studentë në dy vakte.

“Mëngjesi suedez”, gjellërat duke përfshirë fasulen, patatet, orizin, lakrën e zier, pastat, specat e mbushur e deri te disa lloje të mishrave, janë pjesë e menysë që përgatiten çdo ditë për studentët.

Po të njëjtat ushqime përgatiten edhe nga kuzhinierët që tashmë po shërbejnë për ushtarët e FSK-së. Atje tanimë është hapur konkursi për kuzhinier, ku paga është mbi 600 euro, ndërkaq në mensë rreth 400 euro.

Por, sipas drejtorit të mensës së studentëve, Fahri Osmani problem thelbësor për punëtorët mbetet paga jo e kënaqshme. Për KosovaPress, ai potencon se paga e ofruar në konkursin e FSK-së, mund t’i nxitë kuzhinierët e mensës që të aplikojnë.

Osmani: Pagat e kuzhinierëve nuk janë në nivelin e kënaqshëm

"Në momentin që Forca e Sigurisë e përfundon procesin e rekrutimit të stafit të tyre, ata do të kthehen në vendet e tyre të punës, kuzhinierët tanë...A ka pasur ndonjë lajmërim prej kuzhinierëve atje që do të konkurojnë në konkursin e FSK-së për kuzhinierë? Nuk kam ndonjë informatë të tillë, nuk e besojmë...Një prej problemeve më thelbësore për stafin këtu është paga e tyre, e cila ka mbetur në nivel jo të kënaqshëm dhe kjo është halli i tyre i vetëm...Ka mundësi që mundet ndonjë punëtorë të jetë në lajthitje, sepse këtu pagat e kuzhinierëve nuk janë në nivelin e kënaqshëm”, thotë Osmani.

Osmani bënë të ditur se kapaciteti i mensës së studentëve ka qenë që t’u dalin në ndihmë FSK-së me 15 kuzhinierë.

Osmani: Ne kemi ofruar një staf prej 15 kuzhinierëve, aq kanë qenë kapacitetet tona

“Ne kemi ofruar një staf prej 15 kuzhinierëve, aq kanë qenë kapacitetet dhe mundësitë tona për t'iu dalë në ndihmë FSK-së. Natyrisht, që kjo lë një vakuum, por atë vakuum njerëzor nga ana e tyre ne e kemi kompensuar ngase kemi një staf prej 80 punëtorëve që janë mjaftë aktiv dhe profesional dhe kemi tejkaluar deri më tani në mënyrën më të mirë. A po vërehet mungesa e tyre? Natyrisht se vërehet por e kemi kompensuar dhe deri më tani nuk është vërejtur ndonjë rënie në shërbim apo në cilësinë e ushqimeve...Ne kemi arritur që këtë mungesë të kuzhinierëve ta kompensojmë me angazhimin edhe të punëtorëve tjerë që punojnë në vija tjera ushqyese siç janë banakierët, servuesit ndihmës kuzhinierët, të cilët janë aktivizuar këto ditë”, potencon Osmani.

Ndër të tjera, Osmani tregon për ushqimin më të preferuar të studentëve.

Osmani: Preferencë e studentëve janë pastat

"Është një meny e pasur, kryesisht e përbërë nga gjellërat, siç është fasulja, orizi, patatet, speca të mbushur, lakra të ziera, makaronat me djathë, me gjellë. Pra, forma të ndryshme të pastave që janë më shumë të kërkuara...Cili ushqim është më i preferuar nga studentët? Kohën e fundit, deri më tani ka qenë fasulja, por kohët e fundit, preferencë e studentëve janë pastat dhe makaronat me djathë", tregon Osmani.

Në mensën e studentëve në Prishtinë ofrohet ushqim për drekë nga ora 10:00 deri në orën 15:00 dhe darkë nga ora 17:00 deri në 21:00. Derisa 15 euro është shuma që paguajnë studentët për të marrë këtë shërbim brenda një muaji. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat