Mbi 5 milionë euro transfere, Inteligjenca Financiare kishte kërkuar hetime për Afrim Gashin dhe gruan e tij

Aktuale

Mbi 5 milionë euro transfere, Inteligjenca Financiare kishte kërkuar hetime për Afrim Gashin dhe gruan e tij

Më: 27 tetor 2024 Në ora: 08:09
Afrim Gashi

I autorizuari i Ylber Hysenit për shitblerjet për këtë pronë, Afrim Gashi ishte arrestuar më 25 gusht 2023. Policia në shtëpi, përveç armëve i kishte gjetur qindra dosje të parcelave.

Në këtë rast dyshohet se përmes legalizimit të përmbajtjes së rreme dhe mashtrimit, rreth 3 hektarë tokë në Veternik iu është marrë palëve Nexhat dhe Gursel Sadiku, duke kaluar në emër tani të ndjerës Zojë Hyseni dhe më pas prona ka kaluar të djali i saj Ylber Hyseni, i cili edhe po hetohet bashkë me Afrim Gashin.

Nga raporti i Policisë thuhej se ndonëse Gashi ishte i autorizuar vetëm për shitblerjen e parcelave, në dosje gjendet i gjithë dokumentacioni origjinal për këtë pronë përfshirë edhe ankesat e palëve të cilat nuk dihet si ka arritur t’i sigurojë.

Gjithashtu në laptopin e tij personal  thuhet se janë gjetur disa akte noteriale të punuara me word të cilat dyshohet se i ka përdorur për falsifikim.

Përveç dokumenteve për këtë pronë në Veternik, Policia ka thënë se janë gjetur edhe dokumente të pronave tjera të cilat Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit si dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke i hetuar dhe ka edhe urdhër ndalues. Madje, thuhet se i dyshuari Gashi ka ofruar për shitje një pronë e cila ka masë të sigurisë me urdhër të gjykatës.

I dyshuari Gashi për të gjitha këto është mbrojtur në heshtje.

Por Gashi duket se është i njohur për organet e drejtësisë.

Nga të dhënat e Policisë së Kosovës, Afrim Gashi në 4 raste ka qenë i dyshuar për mashtrim, 3 raste për falsifikim të dokumenteve, 1 rast për dhënie ryshfeti, 1 rast për kanosje, Si dhe ka katër raste për kundërvajtje 2 raste për prishjen e rendit publik, dhe 2 raste për ngasje e influencuar apo në gjendje të dehur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për falsifikim të dokumenteve, ai ka aktakuzë aktive në Gjykatë që nga viti 2008.

Për Afrim Gashin dhe gruan e tij Melihate Gashin, raport ka nxjerrë edhe Njësia për Inteligjencë Financiare, kur ka kërkuar të hetohen për transfere të dyshimta dhe shmangie nga tatimi.

“Nga Njësiti Inteligjente Financiar ishte përpiluar një raport ku ishte analizuar në mënyrë të detajuar transferet bankare, shitblerjet që ishin bërë në llogari të Afrim Gashit ku për një periudhë kohore nga viti 2006 deri në vitin 2021 kishte qarkullim bankar prej 5 milionë e diçka qarkullim bankar ku të gjitha këto të holla ishin tërhequr në formë “cash” dhe se nuk dihet se kah kanë shku përpos dy transfereve ku ishin bërë në emër të Ylber Hysenit”, ka thënë avokatja e palëve të dëmtuara, Saranda Keqkolla-Sadiku.

Në raportin e NJIF-it, thuhet se edhe para se Policia të kërkonte informata tek Njësia ishin raportuar dy raste të transaksioneve të dyshimta lidhur me Gashin dhe gruan e tij  Melihate Gashi dhe kështu, kërkesa e Policës e kishte rritur dyshimin.

Sipas raportit, Afrim dhe Melihate Gashi aktivitet kryesor kanë patundshmëritë. Në disa raste shumë të mëdha parash ishin transferuar tek njeri tjetri.

Afrim Gashi, nga tri llogari bankare kishte të hyra mbi 5 milionë e 385 mijë euro si dhe 10 mijë euro të pranuara përmes Unionit Financiar, agjent i Western Union për Kosovë. Ndërsa, po aq kishte bërë edhe dalje, ndërsa thuhet se përmes Unionit Financiar në 41 raste kishte dërguar afër 55 mijë euro tek persona të ndryshëm, në shtetet si Serbia, Zvicra, Belgjika, Gjermania, Shqipëri, Mal të Zi dhe Kosovë.

Gruaja e Afrim Gashit nga katër llogari bankare, ka pasur të hyra 790 mijë euro si dhe në katër raste ka pranuar afër 6 mijë euro përmes Unionit Financiar.

Në anën tjetër, ka bërë mbi 789 mijë euro dalje.

Nga marsi deri në nëntor 2021, Afrim Gashi, kishte bërë të hyra mbi 1 milion euro, ndërsa vetëm 240 mijë euro i kishte tërhequr me përshkrimin për pronarin legjitim Ylber Hysenaj.

Sipas raportit që Polica kishte bërë për Prokurorinë, paratë tjera që janë tërhequr nga banka nuk dihet qëllimi i tyre dhe se ku kanë shkuar.

Sipas ATK-së, Afrim Gashi është pronar biznesi individual por nuk ka ofruar deklarata vjetore tek ky institucion.

Po ashtu, edhe Melihate Gashi si pronare e “ADEX Trade”  nuk ka bërë asnjë deklarim të qarkullimit afarist në ATK.

Kështu, NJIF në raportin e saj thotë se Policia e Kosovës hetimet duhet t’i zgjerojë dhe të përfshije edhe evazionin fiskal.

Melihate Gashi, në biznesin e saj ku ishte pronare, sipas ARBK-së, drejtor ka qenë Vekislav Janicijeviq. Ky biznes është pasiv që nga 9 qershori i 2022. Ky biznes kishte një sërë aktivitetesh si: transport rrugor të mallrave, aktivitetet e ndërmjetësimit për shitjen e mallrave të materialeve të ndërtimit, pajisjeve industriale, tregti të pijeve, duhanit, tekstilit, etj.

Pasiv në të njëjtën ditë, pra më 9 qershor 2022 biznesin e tij e ka bërë edhe Afrim Gashi, të cilin e ka të regjistruar që nga viti 2002 dhe aktivitetin kryesor e kishte me patundshmëri.

“Duhet të angazhohet njësiti i AKI-së dhe ta hetojë këtë rast në detaje; Kush janë Sfetllana Millan Josefoviq që Melihat Gashi i dërgon 30 mijë euro të njëjtës? Kush është Vekisllav Janicieviq që figuron që ka punuar si drejtor në biznesin me pronar Melihate Gashi? Kush është Mihajllo Millovanoviq i lindur në Podujevë dhe çfarë lidhje ka ai me Kosovën dhe me njerëz në Kosovë”, ka thënë Ergyn Sadiku, djali i palës Nexhat Sadiku.

“Betimi për Drejtësi”, ka pyetur edhe në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, nëse po heton Afrim Gashin dhe gruan e tij sipas gjetjeve të NJIF, por nuk ka marrë përgjigje.

Po ashtu, media ka tentuar të bie në kontakt me Afrim dhe Melihate Gashin por ata kanë qenë të pa qasshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat