“Jetojnë afër Muhaxherit”- Çka thuhet në dosjen e Prokurorisë për të dyshuarit për sulm ndaj kryetarit të Pejës?

Aktuale

“Jetojnë afër Muhaxherit”- Çka thuhet në dosjen e Prokurorisë për të dyshuarit për sulm ndaj kryetarit të Pejës?

Më: 27 tetor 2024 Në ora: 14:13
Gazmend Muhaxheri.

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për Dukagjin dhe Korab Lulajn, nën dyshimin për veprat penale “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “lëndim i lehtë trupor”. Ata dyshohet që përgjatë ditës së djeshme e kanë sulmuar kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri. E gjithë kjo ndodhi për shkak të mos realizimit të një projekti investiv në Stankaj.

Media ka arritur ta shohë dokumentin e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për Korab e Dukagjin Lulajn. Aty precizohet se janë të plotësuara të gjitha kushtete ligjore.

Në arsyetim e Prokurorisë, thuhet se ekziston rreziku i përsëritjes veprës penale meqë të pandehurit janë afër me shtëpi me kryetarin e Pejës.

“Gazmend Muhaxheri është Kryetar i Komunës së Pejës, sulmin të cilin të pandehurit ditën kritike e kanë bërë ndaj të dëmtuarve, ku si pasojë e kësaj edhe ju kanë shkaktuar lëndime trupore, janë pikërisht për shkak të detyrës së tij të cilën është duke e kryer i dëmtuari Gazmend, ku për shkak të pakënaqësive të cilat të dëmtuarit i kanë pasur ndaj të njëjtit kohë më parë edhe ka ndodh rasti, e gjithë kësaj duke ja shtuar faktin se shtëpia ku të pandehurit banojnë nuk është shumë larg nga shtëpia e të dëmtuarit Gazmend”, ka thënë Prokuroria në dosje.

Në arsyetim përmendet edhe se në vendngjarjen ku dyshohet të ketë ndodhur sulmi fizik ndaj të parit të Pejës, prezent ishin shumë persona. Aty thuhet se në rast të lënies së lirë të Korab dhe Dukagjin Lulajt, ekziston rreziku që të ndikojnë tek dëshmitarët.

Dukagjin Kërveshi, avokati i Muhaxherit, deklaroi dje se politikani nga radhët e LDK’së ishte duke pirë kafe me një familjar të tij dhe se në largim e sipër është sulmuar nga dy të dyshuarit.

“Në cilësinë e avokatit të Kryetarit të Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, njoftoj opinionin se sot rreth orës 8:40 në qytetin e Pejës në vendin e njohur si “Qendra Zejrare” pasi i njejti kishte pirë kafe me një familjar të tij, në largim e sipër, kryetari Muhaxheri ishte sulmuar nga dy persona fillimisht të panjohur. Sulmi kishte qenë i befasishëm. Kryetari Muhaxheri tashmë ka dhenë deklaratën në polici dhe se i njejti beson se arsyeja e sulmit lidhet me punën e tij zyrtare. Gjendja e Kryetarit është stabile. Duke besuar në efikasitetin e oragneve të drejtësisë së Republikës së Kosovës presim që sulmuesit të ndiqen penalisht dhe të marrin dënimin e merituar!”, ka shkruar Kërveshi.

Media përmes burimeve të saja mori vesh se sulmi ndodhi për shkak të mos-realizimit të një projekti investiv.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat