Një muaj paraburgim pronarit të pompës ‘Delta Group’, ku vdiq punëtori pas shpërthimit të cisternës

Aktuale

Një muaj paraburgim pronarit të pompës ‘Delta Group’, ku vdiq punëtori pas shpërthimit të cisternës

Më: 28 tetor 2024 Në ora: 11:17
Delta Group

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Vesel Jusajt, i cili u arrestua disa ditë më parë lidhur me rastin tragjik të vdekjes së një punëtori mëngjesin e 11 tetorit në Pejë.

Kjo është konfirmuar nga Gjykata Themelore e Pejës.

“Lidhur me kërkesën për informacion për çështjen penale ndaj të pandehurit Vesel Jusaj, ju njoftojmë se gjyqtarja e procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës për caktim të masës së paraburgimit të parashtruar nga Prokuroria Themelore në Pejë, ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet nga neni 184 të KPPRK-së, andaj dhe të njëjtit me Aktvendimin me shenjën DP.PP.nr.548/24, i ka caktuar paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji, përkatësisht nga data 23.10.2024”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore.

Arrestimi i Jusajt më 23 tetor, erdhi si rezultat i hetimit nga Njësia e Hetimeve Rajonale në Pejë dhe dyshimeve të ngritura për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Ai ishte intervistuar si i dyshuar për këtë rast, me ç’rast ishte dërguar në mbajtje.

Ndryshe, mëngjesin e 11 tetorit në rrugën “Tahir Zemaj” në Pejë, ka shpërthyer një cisternë dhe si pasojë e kësaj një person ka mbetur i vdekur.

Viktima është Visar Muriqi, i moshës rreth 45-vjeçare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat