Gjykata e shpall fajtor ish-kryetarin e LDK-së në Drenas, të akuzuar për pastrim parash

Aktuale

Gjykata e shpall fajtor ish-kryetarin e LDK-së në Drenas, të akuzuar për pastrim parash

Më: 28 tetor 2024 Në ora: 11:28
Bedri Nika

Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur fajtorë edhe në rigjykim ish-kryetarin e i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Drenas, Bedri Nika dhe Albian Nika, të cilët akuzoheshin për shpëlarje parash.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast është bërë të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, raporton “Betimi për Drejtësi”

Sipas këtij aktgjykimi, të akuzuarit Bedri e Albian Nika në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpëlarja e parave” nga neni 302 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me nenin 56 paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.6 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Ndaj të pandehurit Bedri Nika gjykata ka refuzuar akuzën për veprën “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, pasi që prokurori i Prokurorisë Speciale në përfundim të shqyrtimit gjyqësor është tërhequr nga kjo akuzë.

Trupi gjykues, në bazë të nenit 356 paragrafi 1 nenparagrafi 1.2 dhe paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale për caktimin e dënimit ndaj të akuzuarve ka caktuar seancë të veçantë lidhur me këtë rast.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 14 prill 2023, kishte shpallur aktgjykim duke e dënuar të akuzuarin Bedri Nika me 1 vit burgim dhe 15 mijë euro gjobë për veprën penale “pastrimi i parasë”, ndërsa e kishte liruar për veprën penale “blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale”, kurse të akuzuarin Albian Nika për veprën penale “pastrim i parasë” e kishte dënuar me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Kurse Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndërsa Gjykata Supreme e Kosovës kishte konstatuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është përpiluar duke u bazuar në dispozita ligjore, pasi që si dispozitivi, ashtu edhe arsyetimi nuk përmbajnë sqarime të duhura në lidhje me “aktivitetin kriminal”, që konsiderohet element esencial i figurës së veprës penale për të cilën të dënuarit Nika shpallur fajtor.

Sipas të njëjtit aktgjykim thuhet se shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale me të cilat janë përfshirë aktgjykimet e shkallës së parë dhe së dytë janë të asaj natyre që nuk kanë mundur që të evitohen nga Gjykata Supreme e Kosovës, kështu që të njëjtat kanë qenë arsye që kanë imponuar që detyrimisht kjo çështje penale të kthehet në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë që duhet të marrë një vendim të drejtë, të ligjshëm dhe të arsyetuar mjaftueshëm për çdo pikë të aktgjykimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat