Tahiri: Qeveria Kurti s’është aspak serioze, fati i Kosovës që jemi afër zgjedhjeve

Aktuale

Tahiri: Qeveria Kurti s’është aspak serioze, fati i Kosovës që jemi afër zgjedhjeve

Më: 28 tetor 2024 Në ora: 13:12
Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, e ka quajtur jo serioze Qeverinë Kurti, teksa u shpreh i bindur se në zgjedhjet e ardhshme të 9 shkurtit, do të ketë qeveri të re.

Ai këto komente i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, derisa ka kujtuar deklaratën e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, një vit më parë për draftstatutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe deklaratën e tij sot.

“Më 25 tetor 2023, Konjufca kishte deklaruar se propozimi i draft statutit të Asociacionit është plotësisht në përputhje me Kushtetutën, pra i pamë dy Gluaka, një të vitit 2023 ku thotë që është në përputhje me Kushtetutën dhe nuk e thotë qëndrimin që e ka tani. Tash e kemi një Gluak tjetër që del me një gjuhë tjetër dhe thotë që një dokument i tillë nuk mund të iu imponohet Kosovës, në këtë formë. Ajo që do të duhej me ndodhë se këtë që e tha sot ai do të duhej ta thoshte para një viti”, ka deklaruar Tahiri.

Madje sipas Tahirit, qëndrime të tilla s’duhet të merren seriozishte, duke thënë se janë qëndrime elektorale të tyre.

“Pra këta janë jo serioz, këto nuk janë qëndrime një burrështetasi, qëndrime shtetërore, kjo situatë është e mjerueshme veç një fat e kemi që jemi prag zgjedhjeve dhe jemi të bindur që vendi do të ketë një qeveri të re, qeveri që do ta nxjerrë nga sanksionet dhe qeveri që do t’i hapë vendit tonë perspektiv. Këto qëndrimet nuk duhet të merren seriozisht, këto janë qëndrime elektorale të tyre, kjo është shumë jo serioze”, është shprehur tutje Tahiri.

Po ashtu, Tahiri ka thënë se PDK-ja nuk do të votojë marrëveshjet ndërkombëtare.

“Ajo që kemi pasur në plan është ta ftojmë një seancë të jashtëzakonshëm për shkarkimin e Bordit të RTK-së, dhe për diskutime për mundësinë e ndërhyrjeve në AKI…Marrëveshjet ndërkombëtare, dhe aty ku duhen 61 deputetë ne nuk do të votojmë”, ka deklaruar Tahiri.

Ndër të tjerash, Tahiri ka theksuar se PDK-ja ka në plan të ftojë një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për të diskutuar mundësinë e ndërhyrjes së Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) në disa gazetarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat