​LVV-ja thotë se kanë shumicën parlamentare në Kuvend, opozita shpreh dilema

Aktuale

​LVV-ja thotë se kanë shumicën parlamentare në Kuvend, opozita shpreh dilema

Më: 28 tetor 2024 Në ora: 15:46
Foto nga vendi i ngjarjes

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosja, thotë se ende e kanë shumicën parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Nënkryetari i kësaj partie, njëherësh kryetari i Kuvendit, Glauk Konjfuca, deklaron se LVV-ja së bashku me partnerët e koalicionit nga komunitetet jo shumicë kanë 61 deputetë. Mirëpo, kjo sipas partive opozitare mbetet të shihet në seancën e radhës plenare se a do të mundet LVV-ja t’i miratojë projektligjet me shumicë të thjeshtë, ku nevojitet vota e 61 deputetëve. Opozitarët u shfaqën të ndarë se a do të votojnë ligjet e sponsorizuara nga partia në pushtet, derisa e kritikuan mazhorancën se ka humbur legjitimitetin në Kuvend.

Konjufca, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se në bazë të numrave të shumicës parlamentare beson se Kuvendi do të mund të funksiononte.

Ai bëri të ditur se të mërkurën mbahet seancë plenare me pika të papërfunduara nga seancat e kaluara si dhe të enjten seancë të re plenare.

Konjufca: Mazhoranca në Kuvend ka 61 deputetë

“Mesa e kuptoj unë dhe informatat që i kam, ata që e përbëjnë Grupin Parlamentar të mazhorancën aktualisht janë 61. Tash kur po flasim, 61 deputetë janë të grupit të LVV-së. Jo ndoshta të LVV-së por edhe në tërësi të mazhorancës ku përbëjnë edhe deputetët nga komunitetet jo shumicë. Mazhoranca i ka 61 deputetë të cilët i përkasin koalicionit qeveritar. Në këto kushte unë konsideroj se Kuvendi do të mund të funksiononte”, tha ai.

Konjfuca ironizoi edhe me shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, të cilit iu drejtua duke i thënë “a t’iu tregoj çka të nguca gjatë mbledhjes së kryesisë”. Ai tha se PDK-ja ka përvojën sesi të funksionojë Kuvendi edhe pa e pas shumicën parlamentare duke rikujtuar vitet 2011-2014, kur në vitin e fundit koalicioni qeverisës atëherë kishte vetëm 57 deputetë në Kuvend.

Mirëpo sipas tij, në atë kohë LDK-ja megjithëse në opozitë ishte treguar konstruktive duke i votuar mbi 70 ligje.

Sipas tij, tash kanë ndryshuar rrethanat pasi LDK-ja siç tha ai është rebeluar dhe s’po voton ligje.

Konjufca: LDK-ja është rebeluar, s’po tregohet konstruktive siç ishte në legjislaturat e kaluara

“Bile qe ku e paskemi Abelardin. Abelard a t’iu kallëzojë çka të nguca gjatë mbledhjes së kryesisë. I thash se ai e ka një përvojë, nejse se ju s’keni qenë deputetë, por e ka një përvojë PDK-ja kur pati funksionuar një herë me 57 deputetë. Efekt se atëherë LDK-ja iu dëgjonte, por tash s’po dëgjon. A e dini pse se ata shumë konstruktiv, por tash LDK-ja është rebeluar dhe s’po voton asnjë ligj. S’di qysh i keni bindur Abelard, ndoshta mundeni me iu shpjegua gazetarëve. Ne s’po mundemi me bind LDK me qenë kaq konstruktive sa ishte në vitin 2011-2014 në atë legjislaturë, ku ishin më pak deputetë mazhoranca sesa që janë sot. Mirëpo funksiononte Kuvendi, më kujtohet atëherë nja 60-70 i pati votuar opozita konstruktive e asaj kohe, por rrethanat kanë ndryshuar siç duket. LDK-ja është rebeluar pak më shumë dhe është bërë më revolucionare”, tha ai.

Mirëpo reagoi shpejt shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili i quajti këto deklarata të turpshme.

Ai tha se të quash LDK-në si të rebeluar, derisa është treguar konstruktive është jokorrekte.

Gashi: Kjo deklaratë është e turpshme

“Nëse Vetëvendosje prej 58 deputetë të vet ka ra në 50 deputetë është faj i LDK-së? Pse LVV-ja në katër vjet të qeverisjes së vet nuk ka përkrah asnjë amendament të opozitës është faj i LDK-së? Pse LDK-ja pa asnjë kërkesë ia ka përkrah të gjitha nismat dhe ligjet që kanë të bëjnë me marrëveshje ndërkombëtare është faj i LDK-së? Pse LDK-ja ka qenë gjithmonë konstruktive është faj i LDK-së? Nëse këto janë faje të LDK-së jemi të gatshëm me i marrë këto faje....Të quash rebelim një sjellje normale parlamentare, kjo është e turpshme. Nga kush? Nga LVV-ja që e ka gjuajtur me zollë Kuvendin, nga LVV-ja që e ka gjuajtur kryeministrin dhe deputetët në fytyrë me gaz-lotsjellës. Ata me na quajtur neve rebel? Çka është rebelizmi? Konstruktiviteti konsiderohet tani rebelizëm”, theksoi ai.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se nuk do të votojnë asnjë ligj nga pushteti derisa është në detyrë shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Ai shtoi se jo normalitetin në Kuvend e ka sjellë pushteti aktual dhe jo opozita.

Tahiri: Nuk do të votojmë asnjë ligj derisa Mimoza Kusari-Lila vazhdon të jetë shefe e GP të LVV-së

“Jo-normalitetin në Kuvend nuk e ka sjell opozita, por e ka sjellë pozita. Këtë situatë që e kemi të bojkotit të katër seancave të jashtëzakonshme nuk e ka sjellë opozita. Ne s’kemi thënë asnjëherë që s’marrim pjesë në seanca të rregullta të Kuvendit. Ne kemi mirëpritur edhe atë kohë thirrjen e një mbledhje të kryesisë se këto pika kanë mundur me qenë edhe në kuadër të seancave të rregullta. Ne kur jemi mbështetur për muri për me trajtua problemet si bisedat me Radoiçiqin, ambalazhuesit e ujit, apo ushqimit në ushtri....Qëndrimet i kemi të qarta, s’i votojmë kësaj mazhoranca. Jemi të indinjuar thellë pasi në njërën anë kanë pasur koordinim me Listën Serbe dhe Radoiçiqin për pagën minimale, ndërsa në të njëjtën ditë na kanë akuzuar neve PDK-së se po i dërgojmë ata në seancë. Një gjë është e qartë nëse e largojnë personin në fjalë që kemi kërkuar që mos të jetë drejtues i Grupit Parlamentar, atëherë ne e shqyrtojmë mundësinë. Por në këto rrethana pa e marrë një vendim PDK-ja ne nuk do të votojmë asgjë”, deklaroi Tahiri.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se shumica parlamentare në Kuvend e ka humbur legjitimitetin.

Tahiri: Kjo shumicë parlamentare nuk ka më legjitimet në Kuvend

“Kjo shumicë parlamentare nuk ka më legjitimet. Kjo do të vërtetohet të mërkurën. S’i mund të mbështetet një qeveri e cila ka humbur shumicën që derivon prej qytetarëve të Kosovës. Kjo qeveri dhe ky kryeministër është dashur të dorëhiqet në ditën kur i ka humbur 61 deputetë. Ditën e mërkurë kur të vjen ligji i parë dhe nuk do të mund t’i ketë 61 vota do të duhet të dorëhiqet. Por këtu s’ka përgjegjësi por ka mashtrim”, theksoi Tahiri.

Javë më parë nga Lëvizja Vetëvendosje janë larguar tre deputetë. Deputetët Eman Rrahmani dhe Visar Korenica kanë dhënë dorëheqje nga partia në pushtet dhe janë deputetë të pavarur, kurse deputetja Drita Millaku ka aderuar në LDK. Më parë nga LVV-ja janë larguar edhe deputetët, Haki Abazi dhe Fatmir Humolli. Përveç deputetes Millaku, shefi i deputetëve të LDK-së paralajmëron se shumë shpejtë edhe deputetë të tjerë të LVV-së do të aderojnë në LDK.

Në anën tjetër, mazhoranca s’ka marrë pjesë në katër seanca të jashtëzakonshme të Kuvendit të thirrura nga opozita.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat